Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Opozita turke me një fitore historike në zgjedhjet lokale


Opozita në Turqi shënoi një fitore historike në zgjedhjet lokale të 31 marsit. Nga 10 zona metropolitane, vetëm 3 kanë mbetur për Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit Recep Erdogan, komentoi gazetari Ibrahim Karahasan-Çënar për BNR. Fitoret e opozitës në Stamboll dhe Ankara janë veçanërisht të rëndësishme. Ka një përparim edhe në Bursa. Analistët vënë në dukje se Turqia tashmë ka një hartë të re të hapësirës politike, në të cilën mbizotëron ngjyra e kuqe e opozitës kryesore, Partisë Republikane Popullore Kemaliste, në vend të ngjyrës së portokallit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila ka dominuar për më shumë se 20 vjet. Ekrem Imamoglu, i rizgjedhur kryebashkiak i Stambollit prej 16 milionë banorësh, fitoi postin për një mandat të dytë me një rezultat edhe më mbresëlënës, duke shkatërruar shpresën e Erdoganit që AKP-ja do të rimarrë kontrollin e qytetit. Karahasan-Çënar e quajti fitoren e opozitës "pranvera e demokracisë turke". Ai parashikoi se Imamoglu dhe kryebashkiaku i Ankarasë Mansur Yavash do të ishin figura të forta në politikën turke. “Në të ardhmen i shoh në postin e presidentit apo kryeministrit”, theksoi Karahasan-Çënar.

Drama mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit


Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të bien dakord për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ku është i ndaluar që nga 1 shkurti. Marrëveshja nuk është arritur as pas takimit të tretë radhazi më 4 prill në Bruksel me pjesëmarrjen e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, dhe pritet një takim i ri për këtë çështje.

Kosova e miratoi euron si monedhë zyrtare në vitin 2002, megjithëse nuk është anëtare e eurozonës, por lejohej pagesa në dinarë serbë. Nga 1 shkurti i këtij viti me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës, euroja është bërë valuta e vetme për pagesa me para në dorë. Kjo bëri bujë në komunitetin lokal serb, i cili i merr rrogat dhe pensionet serbe në dinarë dhe bën pagesa me ta në Kosovë. BE-ja dhe SHBA-ja kritikuan vendimin e dinarit, duke thënë se ai është marrë pa konsultim paraprak dhe pa marrë parasysh ndikimin e tij negativ në komunitetin serb në Kosovë.

Taksa më të larta në autostradat e Greqisë


Që nga fillimi i prillit, në Greqi janë në fuqi tarifat e reja rrugore në autostrada, të cilat janë rreth 35% më të larta, raportoi Katja Peeva, korrespondentja e BNR në Greqi. Nga Kullata deri në Selanik çmimi është rritur nga 3.60 euro në 4.15 euro. Kur udhëtoni me traget nga Igumenica, çmimi i tarifës nga Kullata deri në portin grek është 15.55 euro në vend të 12.60 eurove të mëparshme. Nga Selaniku deri në Aleksandropolis ka gjithashtu një rritje prej 30%. Ndryshimi i çmimeve vjen si pasojë e kontratës së re koncesionare për autostradën “Egnatia” dhe tre akset rrugore vertikale që lidhin Greqinë me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Shqipëria me ambicie për të nisur eksportin e produkteve ushtarake “Made in Albania” deri në vitin 2030


Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se ambicia e Shqipërisë është që deri në vitin 2030 të eksportojë produkte ushtarake të markës “Made in Albania”, por edhe të sigurojë armatime të së njëjtës markë për ushtrinë shqiptare. Këtë e bëri të ditur Rama në hapjen në Tiranë të Qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes – një hap në modernizimin e ushtrisë shqiptare. Edi Rama deklaroi se tashmë disponojnë strategji të re ushtarake dhe një plan të ri afatgjatë dhe theksoi se vendet më të avancuara në industrinë e mbrojtjes sot në botën demokratike janë jo vetëm të gatshme, por edhe të interesuara që ndërmarrjet e tyre të zhvillojnë bashkëpunimin me shtetin shqiptar. Rama është i mendimit se shteti duhet të jetë partner në zhvillimin e industrisë ushtarake në vend dhe të marrë pjesën e vet nga të gjitha këto procese të zhvillimit ekonomik.

Gjashtë rumunë janë në listën e "Forbes" të njerëzve më të pasur

Daniel Dines

Gjashtë rumunë hynë në listën e “Forbes” të njerëzve më të pasur në botë për vitin 2024, transmeton Digi24. Pasuria e tyre totale është 10.6 miliardë dollarë. Më i pasuri mes tyre është Daniel Dines, i cili bashkëthemeloi kompaninë teknologjike UiPath - një platformë për automatizim robotik të proceseve e regjistruar në Bursën e Nju Jorkut në prill 2021. Dines u diplomua në Universitetin e Bukureshtit dhe aktualisht jeton në Nju Jork. Me një pasuri prej 2.7 miliardë dollarësh, ai renditet në vendin 1238 nga 2781 njerëz në botë. “Forbes” e quan atë “Boss-i i Boteve” sepse ai e grumbullon pasurinë e tij në bazë të programeve të boteve, transmeton BTA.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Foto: BGNES, apnews.com, karditsastakra.com, ata.gov.alq, romania-insider.com

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Më shumë nga rubrika

Абдуллах Йоджалан

Ngjarjet me adresë ballkanike

Abdullah Öcalan propozoi bisedime paqeje me PKK nga burgu Lideri i Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Öcalan, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm, u vizitua nga një i afërm i tij për herë të parë..

botuar më 24-10-26 2.00.MD

Fushata e dobët zgjedhore dhe pritshmëria për një tjetër votim të parakohshëm vitin e ardhshëm

Fushata e shtatë zgjedhore në maratonën politike në tre vitet e fundit është në final. Vallë, a dëgjuam mesazhe për një rrugëdalje nga kjo krizë, apo lajmet tradicionale të blerjes së votës, blerësit e vërtetë të të cilave nuk u zbuluan..

botuar më 24-10-25 1.22.MD
Dimitër Gllavçev

Kryeministri në detyrë bën thirrje që të votohet për finalen e 'Lojës së Zgjedhjeve'

Njerëzit janë në pritje të titujve përfundimtarë të serialit “Loja e Zgjedhjeve”, nëse e shohin edhe mbishkrimin “fund” do të jetë më së miri”, tha kryeministri në detyrë Dimitër Gllavçev në fillim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Të gjithë..

botuar më 24-10-23 1.16.MD