Ligjet më ambicioze për ruajtjen e natyrës, programi i furnizimeve të vaksinave kundër Covid-19, mbështetja e fortë për Ukrainën dhe toni i ashpër ndaj Kinës. Kështu me disa fjalë mund të karakterizohet mandati i parë i Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Evropian. Ajo është gjithashtu kandidatja më e mundshme për të udhëhequr institucionin për pesë vitet e ardhshme.
Brexit, pandemia e koronavirusit dhe lufta në Ukrainë janë sfidat më të mëdha gjatë mandatit të parë të Ursula von der Leyen. Dhe në vend që të dalë në pension, tani që është 65 vjeç, ajo dëshiron të përfundojë në pesë vitet e ardhshme atë që filloi.
“Ne jemi për Bashkimin Evropian, për Ukrainën, për sundimin e ligjit. Ne duhet të rrisim kapacitetin tonë të mbrojtjes industriale në pesë vitet e ardhshme. Evropa duhet të shpenzojë më shumë, Europa duhet të shpenzojë më mirë dhe Europa duhet të shpenzojë për evropianët. Kemi bërë shumë gjëra të drejta së bashku në pesë vitet e fundit, këtë e tregojnë rezultatet e arritura. Evropa ka ruajtur pozicionin e saj në rrethanat më të vështira dhe ne kemi hedhur themelet për një të ardhme të suksesshme. Tani duhet të punojmë të përqendruar dhe të bashkuar për etapat e ardhshme. Kjo është arsyeja se pse unë kandidoj për mandatin e ardhshëm në krye të Komisionit Evropian.”
Padyshim Ursula von der Leyen, e cila u shpall nga revista “Forbes” gruaja me ndikim më të madh në botë gjatë dy viteve të fundit, duhet të përballet me sfida të reja, ndër të cilat ristrukturimi i mbrojtjes evropiane dhe përballimi i luftës në Ukrainë.
“Së bashku arritëm paktin për migrimin dhe azilin. Ne kemi forcuar kufijtë e Evropës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne kemi përmbushur angazhimet tona edhe në nivel ndërkombëtar. E kemi bërë në të kaluarën, po e bëjmë sot dhe do ta bëjmë edhe në të ardhmen. Por ne, evropianët, vendosim se kush vjen në Evropë dhe në çfarë rrethanash, jo trafikantët dhe kontrabandistët.”
Disa nga eurodeputetët jashtë "familjes" së saj të qendrës së djathtë - Partisë Popullore Evropiane - janë në anën e saj, ndërsa disa të tjerë nuk janë të kënaqur me punën e saj.
Parashikimi i Christine Verger, nënkryetare e zyrës në Paris të Institutit “Jacques Delors”, është se nuk do të ketë shumicë populiste në Parlamentin e ardhshëm Evropian:
“Është e qartë se tre familjet kryesore tradicionale politike – Partia Popullore Evropiane (PPE), apo e djathta e qendrës, socialistët dhe liberalët së bashku do të vazhdojnë të kenë shumicën në Parlamentin Europian, madje po të kenë disa vende më pak, në kurriz të liberalëve. Fushatat parazgjedhore kristalizohen pak javë para zgjedhjeve. Mendoj se një pjesë e madhe e qytetarëve ende nuk e dinë se do të ketë zgjedhje evropiane në fillim të qershorit. Por shpresoj që të ketë debate të rëndësishme në kuadër të fushatave dhe kështu të rritet pjesëmarrja elektorale. Është e nevojshme që njerëzit të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e çështjeve evropiane, sepse ne po zgjedhim eurodeputetë që kanë pushtet dhe do të kenë ndikim, duke përfshirë edhe mbi liderët e vendeve të ndryshme. Votimi në zgjedhjet evropiane është shprehje e qytetarisë, e demokracisë. Është e rëndësishme jo vetëm që liderët t’i japin drejtim Bashkimit Europian, por edhe përfaqësuesit e zgjedhur nga qytetarët.”
Studiuesja Sophia Russack nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) me qendër në Bruksel pret që von der Leyen të marrë mbështetjen e shumicës së vendeve evropiane:
"Unë mendoj se von der Leyen do të marrë lehtësisht mbështetjen e shteteve anëtare, sepse ato në përgjithësi e mbështesin atë. Për shembull, Franca, në personin e presidentit Macron, i cili e propozoi atë në 2019. Megjithatë, Macron nuk është plotësisht i kënaqur me të. Ai mendon se ajo shikon shumë shpesh në drejtim të Uashingtonit. Kështu që asaj mund t'i duhet të bëjë disa kompromise ndaj tij. Por besoj se ai do ta mbështesë. Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm do të jetë ai i qeverisë gjermane, e cila gjithashtu do ta mbështesë atë, jo në vend të fundit, sepse është gjermane.”
Megjithatë, kandidatura e saj nuk do të kalojë pa sfida. Ata që janë të pakënaqur me performancën e von der Leyen mund të shprehin mosmiratimin ndaj saj duke u përpjekur të bllokojnë rizgjedhjen e saj.
“Ajo do të ketë nevojë për votat e socialistëve dhe demokratëve, ndaj nëse ata kërcënojnë se nuk do ta votojnë, kjo do t'i shkaktojë probleme. Herën e fundit Ursula von der Leyen fitoi me rreth 8 vota, ishte një garë e tensionuar. Por këtë herë ajo është kandidatja kryesore dhe tani Parlamenti është më i qetë. Megjithatë ajo nuk mund të mbështetet vetëm në këtë. Sigurisht që ka nevojë për votat e grupit të socialistëve dhe demokratëve. Ata kërcënojnë sepse janë të shqetësuar për afërsinë, megjithëse është e tepruar të flitet për një afërsi të tillë, të von der Leyen me kryeministren e djathtë të Italisë, Giorgia Meloni. Socialistët dhe demokratët janë të pakënaqur që PPE mund të kërkojë mbështetje jo nga e majta, ku janë ata, së bashku me “Rinovo Evropën” dhe “Të Gjelbrit”, për politikat ekonomike dhe monetare dhe për tregun e brendshëm, për më tepër nga konservatorët dhe reformistët evropianë, ose të paktën nga disa prej tyre.”
Vendimin nëse ajo do të qëndrojë në detyrë do të merret nga krerët qeveritarë të vendeve evropiane pas zgjedhjeve të qershorit.
“Në fund të fundit, ka të ngjarë që ajo të fitojë mbështetjen e tyre duke bërë premtime konkrete politike. Zakonisht kështu ndodh. Pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor dhe para se të rizgjidhet, ndoshta, në shtator, ajo ka në dispozicion gjithë verën, gjatë së cilës do të garantojë politika konkrete për të marrë votat e nevojshme”.
Rezultatet e zgjedhjeve evropiane në qershor do të karakterizohen nga qëndrueshmëria, beson Sophia Russack nga Qendra e Brukselit për Studimin e Politikës Evropiane.
“Partia Popullore Europiane do të jetë forca e parë politike në Parlamentin e ardhshëm Europian, ashtu siç ka qenë prej mbi 20 vitesh dhe nuk do të humbasë mandate. Sipas sondazheve, ajo do të marrë rreth 180 eurodeputetë, ose pak a shumë po aq sa ka për momentin. Por bilanci i përgjithshëm i vendeve në Parlamentin Evropian pritet të zhvendoset djathtas. Pra, PPE dhe socialistët dhe demokratët do të mbeten forcat e para dhe të dyta, por partitë në të djathtë të PPE, si konservatorët dhe reformistët evropianë dhe Identiteti dhe Demokracia, do të rrisin mbështetjen e tyre.”
Si do të ndikojë kjo në punën dhe politikat e PPE?
“Kjo do të thotë se kur kërkohet mazhoranca dhe merren vendime, mund të ndodhë që EPP ndonjëherë të “shikojë” djathtas dhe jo majtas. Aktualisht, shumica e vendimeve merren me konsensus midis PPE-së, socialistëve dhe demokratëve, “Rinovo Evropën” dhe ndonjëherë edhe “Të Gjelbërve”. Por në përgjithësi, EPP pritet të bëjë një zhvendosje të lehtë djathtas. Pas zgjedhjeve do të ketë më shumë deputetë të ekstremit të djathtë, por edhe programi i përgjithshëm do të jetë më konservator. Por EPP do të jetë sërish një lojtar i rëndësishëm në Parlamentin Evropian.”
Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Komisionit Evropian është nga njëra anë i vështirë, prandaj Ursula von der Leyen nuk ka kundërshtarë të fortë për momentin, nga ana tjetër është i rëndësishëm, sepse ky pozicion kombinon përcaktimin e prioriteteve të Bashkimit, propozimin e rregulloreve, monitorimin e respektimit të rregullave në 27 vendet anëtare, kërkimin e një ekuilibri dhe të kompromiseve midis kërkesave të ndryshme, duke qenë, përveç kësaj, fytyra e BE-së për botën.
“Në përgjithësi, më e rëndësishmja është se do të ketë një marrëveshje mes dy institucioneve lidhur me këtë proces – Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian. Sigurisht që është i përfshirë edhe Komisioni Evropian, i cili ka të bëjë me atë se kush do ta drejtojë atë, por dy institucionet e tjera, sipas traktateve themeluese, janë të autorizuara për të vendosur se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian. Praktikisht nuk ka dyshim se ajo do të bëhet Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, sepse askush nuk e refuzon. As Parlamenti Europian nuk mund të kundërshtojë, sepse këtë herë ajo është kandidatja kryesore. Von der Leyen është kandidatja që do të gjejë shumicën në Këshillin Europian dhe kundër së cilës Parlamenti Europian nuk mund të bëjë asgjë sepse ajo ndjek procedurën që ata insistojnë. Kandidatura e saj e nxjerr dramën nga procesi, të paktën këtë herë.”
A ka një krizë lidershipi në BE për të cilën flasin kundërshtarët e von der Leyen?
“Unë mendoj se absolutisht jo. Përkundrazi, pikërisht e kundërta. Ne shohim një president shumë të fortë të Komisionit Evropian. Ai karakterizon statusin e Komisionit dhe stimulon punën e tij në mënyrë efektive, ka një autoritet të fortë përballë institucioneve të tjera evropiane dhe pjesës tjetër të botës.”
Foto: Reuters
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Bullgarët zgjedhin sot 240 deputetë, të cilët do të hyjnë në Asamblenë e 51-të Kombëtare. Për pjesëmarrje në zgjedhje janë regjistruar 19 parti dhe nëntë koalicione. Për një vend në parlament do të konkurrojnë 4 858 kandidatë, 3 480 burra dhe..
Sot, 26 tetori në Bullgari është dita e reflektimit para zgjedhjeve të shtatë radhazi parlamentare që nga prilli 2021. Në këtë ditë, votuesi ka mundësinë, pa ndikim të jashtëm, të vendosë për votën e tij në ditën e zgjedhjeve. Sot, si dhe në..
Tema e migracionit u përfshi sërish në axhendën evropiane në sfondin e presionit të shtuar ndaj Brukselit për të dhënë dritën jeshile për ta kufizuar atë. Thirrjet e një numri liderësh evropianë për një qasje më radikale ndaj migrantëve të paligjshëm..
Në kalendarin e Kishës Ortodokse Bullgare janë edhe tri ditë të veçanta në të cilat besimtarët i luten Zotit dhe japin lëmoshë në kujtim të të dashurve..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së..