Në Bullgari ka më shumë se 5 mijë shpella, secila më misterioze dhe e paarritshme, secila me historinë, bukurinë dhe misteret magjepsëse. Disa nga këto thesare të vërteta nëntokësore janë të rregulluara dhe mirëpresin turistët.
Ju sjellim disa nga shpellat më misterioze dhe magnetike për t'u vizituar:
“Gryka e Djallit”
Humnera e shpellës, hyrja e së cilës është në mes të shkëmbinjve të Grykës së Trigradit në malin Rodopa, është një magnet për turistët që dëshirojnë të hedhin një vështrim në mbretërinë e Zotit të botës nëntokësore Hadi. Që nga kohëra të lashta, shpella ka qenë e lidhur me besimet trake për rrugën drejt botës së përtejme. Legjenda tregon për këngëtarin Orfeu, i cili zbriti në botën nëntokësore përmes çarjes ogurzezë për të rikthyer Euridikën e tij të dashur nga mbretëria e të vdekurve.
Shpella “Prohodna” (Pasazhi) ose "Sytë e Zotit"
Ndodhet pranë qytetit Llukovit dhe dallohet për dy hapjet natyrale në tavan, që iu ngjajnë syve hyjnorë që ju shikojnë nga qielli.Shpella ka qenë e banuar që nga kohërat e lashta. Në këtë shpellë trakët mbanin ritet e tyre të kultit, të impresionuar nga loja e dritës. Ashtu si ata, kushdo që e viziton mbetet pa fjalë para misticizmit dhe bukurisë magnetike të saj.
“Magura”: Biblioteka Prehistorike e Antikitetit?
Stalaktitet, stalagmitet dhe stalaktonet mbresëlënëse në shpellë ngjallin një ndjenjë misteri dhe përjetësie.Por ajo që e bën unike janë pikturat e lashta në muret e saj. Më të vjetrit janë 8-12 mijë vjeç dhe konsiderohen si një nga më të hershmet në këtë pjesë të Evropës. Sipas disa studiuesve, “Magurata” ishte një lloj biblioteke në të cilën ishte koduar njohuria e njerëzve të lashtë për botën. Në vitet 70-të të shekullit të kaluar, në një nga sallat e saj u rregullua një spital i përkohshëm. Doli se mjedisi steril në shpellë, pa baktere, viruse dhe alergjenë është i përsosur për astmatikët!
“Veneca”: një ekstravagancë ngjyrash dhe formash
Me ndihmën e ndriçimit LED me ngjyra, shpella "Veneca" merr jetë me gjithë shkëlqimin e saj para syve të vizitorëve. Shpella është rreth 300 m e gjatë dhe ka 5 salla. Në “Veneca” ndodhet edhe stalaktoni më i trashë në Bullgari me perimetër 25 m.Shpella është e mbushur me formacione prej guri gjysmë të çmuar të oniksit, si dhe me koralet malore, kristale akulli, dendrite etj.
“Mitra” - mistere të pazgjidhura dhe pamje të mahnitshme
Një nga shpellat tona më mistike ndodhet në Rodopet Lindore. E quajnë “Mitra” sepse i ngjan organit gjenital femëror. Supozohet se në shekullin XI-X para Krishtit u shfrytëzua nga trakët si një vend i shenjtë i Hyjneshës Nënë. Çdo vit në ditën e solsticit të pranverës, një rreze dielli bie pikërisht në hyrje të shpellës dhe depërton brenda, duke pllenuar barkun e Perëndeshës Nënë.
“Baço Kiro” – nëpër gjurmët e Neandertalëve
Natyra ka gdhendur në shpellë një ujëvarë stalaktitesh dhe stalagmitesh, liqene të çuditshëm shpellore, por ajo që e bën atë të famshme në botë janë gjetjet arkeologjike. Kohët e fundit, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh zbuloi se 45 000 vjet më parë në shpellën “Baço Kiro” jetonin Homo sapiens-ët e parë në Evropë. Dhe ajo që është akoma më kurioze është se ata bashkëjetuan për disa kohë me Neandertalët, ndryshe nga hipotezat e deritanishme.
Shpella me pemën
Ajo është pjesë e disa kamareve të tjera dhe të çarave të thella në një kreshtë shkëmbore pranë fshatit Botunja, të cilat supozohet se kanë qenë të banuara që nga kohërat e lashta. Vetë Shpella me Pemën ka disa hapje, më e madhja është një rreth pothuajse i përsosur. Pikërisht nëpër të kalojnë degët e brishta të kurorës së një mani, duke synuar lart drejt rrezeve të pakta të diellit.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Veneta Nikollova, BGNES, Facebook: Anelia Petrova
Shpatet malore në tre resortet kryesore dimërore të Bullgarisë - Borovec, Bansko dhe Pamporovo, janë të mbuluara mirë me borë para fillimit zyrtar të sezonit, njofton BGNES. Sezoni 2024/2025 do të hapet në Borovec më 15 dhjetor. Në..
Liqenet Çairski janë një zonë e mbrojtur në Rodopet Perëndimore, e njohur për liqenet e formuar në mënyrë natyrale nga rrëshqitja e dheut. Ata janë të mbuluar me një qilim të trashë torfe. Përreth syri kënaqet në livadhe me bimë të llojllojshme..
Tre mediat publike Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) u shpërblyen nga Shoqata Bullgare e Hoteleve dhe Restoranteve për partneritetin më të mirë mediatik në vitin 2024. Çmimin..
Shpatet malore në tre resortet kryesore dimërore të Bullgarisë - Borovec, Bansko dhe Pamporovo, janë të mbuluara mirë me borë para fillimit zyrtar të..
Liqenet Çairski janë një zonë e mbrojtur në Rodopet Perëndimore, e njohur për liqenet e formuar në mënyrë natyrale nga rrëshqitja e dheut. Ata janë..