Serbia blen avionë luftarakë “Rafale” nga Franca për 2.7 miliardë euro
Për gjithsej 2,7 miliardë euro, Serbia do të blejë nga kompania franceze “Dassault Aviation” 12 avionë të rinj luftarakë “Rafale” – 9 me një vend dhe 3 dyvendësh. Kjo u bë e qartë gjatë vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në kryeqytetin serb, Beograd. Makineritë franceze do të zëvendësojnë flotën e vjetër të gjuajtësve rusë MiG të Forcave Ajrore Serbe. Macron e përshkroi marrëveshjen si një "ndryshim strategjik". Serbia bëhet vendi i tretë evropian, një klient tradicional i Rusisë, që zgjedh avionin shumëfunksional me dy motorë pas Greqisë, e cila ka 24 makina të tilla, duke përfshirë 12 të përdorura, dhe Kroacisë, e cila bleu 12 avionë “Rafale” të përdorura. Gjëja kurioze është se të tre vendet evropiane janë në Ballkan.
Turqia mori pjesë për herë të parë pas pesë vitesh në një samit të BE-së
Turqia shpreson të përmirësojë lidhjet e saj me BE-në pasi përfaqësuesi i saj mori pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të Unionit në Bruksel më 29 gusht për herë të parë pas pesë vitesh. “Sot, pothuajse të gjithë kolegët e mi nga BE-ja theksuan se dialogu i rregullt me Turqinë duhet të vazhdojë në të gjitha fushat, veçanërisht në politikën e jashtme, politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes”, tha ministri i jashtëm turk Hakan Fidan pas takimit për Agjencinë e Anadollit. Ai përkujtoi se synimi strategjik i Turqisë është anëtarësimi në BE dhe në një perspektivë më të afërt liberalizimi i regjimit të vizave. Megjithatë, Fidani deklaroi kategorikisht se në kuadër të dialogut Turqi-BE, nuk është e “shëndetshme” ndërhyrja në çështjen e Qipros.
Turqia ka dy dekada që po negocion për t'u bashkuar me BE-në, por procesi ka ngecur për disa kohë për shkak të shqetësimeve evropiane lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut, si dhe mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor dhe me Qipron. Në të njëjtën kohë, aleanca varet nga ndihma e Turqisë, anëtare e NATO-s, veçanërisht për çështjet e migracionit.
Rumania dëshiron të blejë një pjesë të portit të vetëm të Danubit të Moldavisë
Qeveria rumune ka vendosur të negociojë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për blerjen e portit të vetëm të Danubit të Moldavisë - Giurgiulesti. BERZH është aksioneri kryesor në port. Pas bllokadës së Rusisë të porteve të Detit të Zi të Ukrainës në vitin 2022, porti i Giurgiulesti është bërë vendimtar në lehtësimin e transportit të mallrave drejt dhe nga Ukraina, duke arritur një vëllim rekord ngarkesash prej 1.8 milion ton këtë vit. Zëdhënësi i qeverisë moldaviane, Daniel Voda, shpjegoi se në Giurgiulesti funksionojnë dy objekte: një Port Ndërkombëtar i Lirë, që i përket BERZH-it dhe një port shtetëror, i cili është në pronësi të Moldavisë. Ai siguroi se shitja e portit shtetëror nuk është në diskutim. Bëhet fjalë për blerjen e Portit Ndërkombëtar, për të cilin interes po shfaqin edhe Turqia, Holanda dhe Danimarka. Porti i Giurgiulesti funksionon që nga viti 2007. Ai ndodhet pranë kufirit të Moldavisë me Rumaninë dhe Ukrainën dhe 134 kilometra nga Deti i Zi.
Athina është numër 7 ndër qendrat më të rëndësishme globale të lundrimit
Porti i Athinës në Greqi - Pire, ka arritur në vendin e shtatë ndër qendrat më të rëndësishme të lundrimit në botë sipas Indeksit të Zhvillimit të Lundrimit Ndërkombëtar Xinhua-Baltic 2024 (Xinhua-Baltic International Shipping Center Development Index), raporton gazeta “Kathimerini". Indeksi merr parasysh jo vetëm trafikun e porteve, por edhe aktivitetin e përgjithshëm të biznesit dhe inovacionet. Dhjetë qendrat më të rëndësishme të lundrimit sipas Indeksit të Zhvillimit të Lundrimit Ndërkombëtar janë: Singapori, Londra, Shangai, Hong Kongu, Dubai, Roterdami, Athina/Pirе, Ningbo-Zhoushan, Hamburg dhe Nju Jork/Nju Xhersi.
Dubrovniku kufizon trafikun e makinave në qytetin e vjetër
Nga 1 shtatori, Dubrovniku do të prezantojë një zonë me qarkullim të kufizuar makinash në qendër të qytetit. Qëllimi është reduktimi i bllokimeve të trafikut në qytetin e vjetër, e bashkë me të edhe pakësimin e emetimeve të gazеve të dëmshme të cilat ndikojnë negativisht në monumentet dhe ndërtesat në zonë, raporton BTA, duke iu referuar HINA. Kryetari i Bashkisë së Dubrovnikut, Meto Frankoviç, tha për media se ky është qyteti i parë kroat me një plan të tillë. Punonjësit e hoteleve dhe pronarët e pronësive do t'i nënshtrohen një trajnimi special për rregullat e reja të qarkullimit, të cilat do të testohen deri më 1 nëntor. Pas kësaj, sistemi i lëvizjes do të perfeksionohet. Gjobat për shkeljen e rregullave të reja do të vendosen nga marsi 2025.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Foto: danas.rs, АА, gifp.md, ekathimerini.com, n1info.hr
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Presidenti Rumen Radev u bëri thirrje politikanëve dhe partive që të zgjidhin problemet e tyre familjare dhe ta kthejnë Bullgarinë në Ballkan "në një plan më të gjerë rajonal". “Është koha që të nxjerrim kokën nga rëra, të mos merremi më me..
Një mosmarrëveshje parazgjedhore përçau partitë në pushtet të koalicionit të madh në Rumani Dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Rumani, socialdemokratët në pushtet dhe liberalët hynë në një mosmarrëveshje. Kjo ndodhi për..
Presidenti Rumen Radev u bëri thirrje përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve për veprime bindëse kundër blerjes së votave. Në takimin me kreun e shtetit morën pjesë ministri i punëve të brendshme Atanas..