Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Festivali “KvARTal”:

Fryma e Sofjes së Vjetër pushton qendrën e kryeqytetit

“Na takon neve të flasim për historinë dhe kulturën tonë dhe të mos lejojmë që ato të zëvendësohen nga interesa të tjera”, thotë Martina Stefanova.

11
Foto: Festivali "KvARTal"

Na ishte njëherë e një kohë një lagje e jashtëzakonshme. Prej saj filloi ndërtimi i Sofjes së Vjetër, sepse ndodhej midis Pallatit dhe stacionit - rruga kryesore që bënte lidhjen e jetës në qytet. Në këtë hapësirë njerëzit jo vetëm plotësonin nevojën e tyre njerëzore për të komunikuar, por me përpjekjen e tyre për të dhënë më të mirën ndikuan edhe në zhvillimin arkitekturor, kulturor dhe sipërmarrës të kryeqytetit.

Edicioni i sivjetshëm i festivalit “KvARTal” na kthen pikërisht në atë kohë të harruar, për të ndjerë shpirtin e qytetit siç ka qenë para 9 shtatorit të vitit 1944.

“Për gati nëntë vjet iniciativa “KvARTal” lufton që të ketë një qendër të vjetër, sepse Sofja e meriton – thotë Martina Stefanova, organizatore e festivalit. – Këtu ishin vendosur shumë punishte zejtarësh, tregje, ndërsa rrotull silleshin tregimet e shtëpive dhe rilindësve, mjekëve, e tregtarëve. Kjo ishte edhe një pikë kulturore ku ndodhej "Galeria e të Gjashtëve" - një nga galeritë e para, nga e cila filloi arti bullgar në fillim të viteve 20 të shekullit të kaluar. Shumë gjëra do të na çojnë drejt “Shpirtit të Sofjes së Vjetër”, siç është emri i festivalit, aty ku janë ruajtur kujtimet. Qëllimi ynë është ta nxjerrim në dritë dhe ta tregojmë historinë para se të zhduket ose të ndryshohet”.

Nga data 13 deri më 15 shtator, banorët dhe të ftuarit e qytetit do të mund të ecin përgjatë rrugëve këmbësore, të bashkohen me disa nga turnetë historike, të dëgjojnë muzikë nga epoka, të pikturojnë grafite, të transformohen duke veshur rroba retro, të shijojnë parada të makinave retro dhe instalacionin “Dritë nga e kaluara”. Në forumin “KvARTal”, në prani të pronarëve të objekteve, përfaqësuesve të institucioneve dhe politikanëve do të ngrihet çështja e ruajtjes dhe rinovimit të trashëgimisë kulturore.

“Një nga gjërat kryesore është shpëtimi i shtëpive, por kjo është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë, sepse shumë prej tyre janë hequr nga lista e monumenteve të kulturës, e të tjera janë urdhëruar të shemben. Dhe kur të hapet kjo listë, do të shfaqet tabloja e frikshme, se 70% e asaj që është ndërtuar në lagje duhet të prishet dhe të rindërtohet”, tregon realitetin e trishtë Martina Stefanova. Megjithatë, ajo ushqen edhe pak shpresë brenda vetes – duke parë sesi lagjia, me ndihmën e përpjekjeve qytetare, shembull i së cilës është “KvARTal”, fillon të ndryshojë dhe nga rënia që pasoi me ardhjen e regjimit komunist, gradualisht po kthehet në një vend magjik, rojtar i historisë. Kjo është arsyeja pse na çon në një nga ndërtesat e saj të preferuara të mbijetuara, e cila u ndërtua në vitin 1911 për familjen e Zahari Futekov - një botues librash dhe vëllai i Rajna Knjaginjës.
Shtëpia Futekovi
"Megjithatë, ndërtesa është një vepër unike arti nga periudha e Secesionit, kur në revolucionin teknik në zhvillim e sipër - si ai dixhital i sotëm - njerëzit donin t'i shpëtonin prodhimit masiv dhe të ktheheshin drejt natyrës. Kjo është pikërisht arsyeja pse u shfaq lëvizja Art Nouveau, duke përsëritur motivet florale nëpër ndërtesa. E tillë është edhe shtëpia Futekovi, pasi që nga dera, ballkonet dhe fasada, gjithçka është si një vizatim. Por gjëja më interesante është se përpara - në anën e bulevardit "Dondukov", qëndron një shqiponjë me krahë të shtrirë, duke mbajtur në këmbë degë dafine dhe një pergamenë me mbishkrimin: Vincit Veritas ("E vërteta fiton"). Dhe kjo është shumë frymëzuese për kohën në të cilën jetojmë”."

Lagjia boheme, siç e quante populli i Sofjes, ishte një vend i preferuar për përfaqësuesit e shquar të grupit të shkrimtarëve - Ivan Vazov, Pejo Javorov, Geo Milev, Bojan Bollgar, nga familja mjekësore Ellmazov, gazetari Josif Herbst etj.

Por qendra ideale e Sofjes kishte edhe anën e saj pariziane.

“Atëherë njerëzit jetonin më lirshëm dhe më të lumtur, sepse vendi njihej edhe si “Red Light District” (Lagjia e dritave të kuqe), vazhdoi organizatorja e festivalit -  Aty kishte shumë kafene ku këngëtare femra këndonin këngë franceze. Zonjat e qytetit nuk e miratonin aspak vizitën e zotërinjve të tyre në këto lokale, më i njohuri prej të cilave ishte restoranti Gambrinus, por e tillë ishte koha. Aty mblidheshin zotërinjtë dhe ndërsa në pjesën e brendshme - mes dy kateve dhe ballkoneve anash, ata fillonin të pinin, në ajër ngrihej edhe tymi i cigares. Ata mbaronin rreth orës 4:00 të mëngjesit, pastaj shkonin në një restorant aty pranë për të ngrënë një supë plënci."

Jeta e një bullgari në ato vite ishte e këndshme, kulturore, e lulëzuar dhe boheme, sipas Martina Stefanovës. Kjo është koha pas Çlirimit (1878), kur, sipas saj, shtetarët dhe rilindasit e parë lanë gjurmë të ndritshme për brezat e ardhshëm; Kjo është epoka në të cilën inteligjenca bullgare udhëtoi në Evropë dhe komunikoi me personalitete të mëdha në Vjenë, Paris dhe kryeqytete të tjera.

“Është shumë interesante që në fillim të shekullit të kaluar në Teatrin Kombëtar u vunë në skenë shfaqjet e para teatrale konstruktiviste – shton Martina Stefanova. – Prodhime të ngjashme vështirë se mund të shohim sot, sepse ndoshta nuk do të lejohen nga ndonjë administratë konservatore. Aktorët dilnin në skenë me kostume që ngjasonin me stilin e Pikasos - figura gjeometrike në vend të trupave. Një fakt tjetër interesant është se vizioni i "Festivalit KvARTal 2024 - Fryma e Sofjes së Vjetër", është frymëzuar nga krijuesi i stemës kryeqytetase, Harallampi Taçev”.

Të gjithë këta njerëz inteligjentë dhe përparimtarë jetonin të bashkuar, të gatshëm për t'u zhvilluar dhe për të ecur drejt një të ardhmeje të ndritur, derisa në vitin 1944 ndodhi një katastrofë e vërtetë me pushtetarët e rinj, të cilët iu përkushtuan shkatërrimit të inteligjencës dhe jetës borgjeze. Komunistët filluan të prishin ose të shtetëzojnë godinat boheme të kryeqytetit, të ngrenë në vend të tyre ndërtesa këndore pa imagjinatë dhe shpirt, hapësira shkretohej gjithnjë e më shumë dhe jeta dukej se po ndalonte. Deri në fillim të vitit 2000, kur në lagjen e konsideruar të rrezikshme prej shumë vitesh erdhën tregtarët e parë me dyqanet e tyre të vogla.

“Falë këtyre gati 9 viteve, ne mund të ecim nëpër të njëjtat rrugë dhe të shohim se ato kanë një pamje krejtësisht të ndryshme - ndërtesat janë rinovuar, ka vende interesante dhe dyqane të hapura në katet e poshtme të shtëpive si në kohën e atëhershme."

Si ndikon mjedisi urban tek ne në aspektin shpirtëror, edukativ dhe nga aspekti i dinjitetit? A mund ta fajësojmë disi atë për të këqijat që kanë pushtuar shoqërinë tonë moderne?

"Ne jetojmë në një mjedis urban jashtëzakonisht të çmontuar me ndërtesa fantazmë nga e kaluara, ndërtime gjysmë të shkatërruara ose të braktisura, në ndonjë mbetje të kapitalizmit të egër me dëshirën për të ndërtuar komplekse të mëdha banimi - përgjigjet Martina Stefanova. - Megjithatë, ato nuk e kanë atë detaj, atë art, që bie në sy. Pas tranzicionit, ne lundruam me kapitalizmin, duke nxituar për të kapur Perëndimin dhe në nxitimin e epokës së re, edukimi dhe kultura mbetën në një plan të dytë. Ne shkatërruam çdo gjë të lindur para vitit 1944. Prandaj qëllimi ynë është të rikuperojmë këtë kujtesë, sepse pa kulturë nuk kemi vlera, nuk kemi arsim dhe do të përfundojmë përsëri në shpella. Pra na takon neve të flasim për historinë dhe kulturën tonë për t'i ruajtur dhe për të mos lejuar që të zëvendësohen me interesa të tjera. Kujtesa është jashtëzakonisht e rëndësishme - duhet të kthehemi pas në atë kohë kur Botev dhe Levski luftonin për zhvillimin evropian të Bullgarisë. Atëherë ne kishim këtë drejtim dhe nuk është rastësi që mund të shikojmë të gjitha këto ndërtesa të bukura. Tranzicioni ka përfunduar dhe është koha për të rikthyer sistemin tonë të vlerave”.

“Fryma e Sofjes së Vjetër” na çon në kohën kur po ndërtohej Bullgaria e re dhe kryeqyteti i ri bullgar, kur kishte shkëmbim kulturor midis shumë vendeve dhe ai zhvillonte shpirtin, edukimin, vetëdijen. "Ky është mesazhi ynë - se pa histori nuk ka të ardhme, prandaj ta dimë dhe ta kujtojmë. Dhe një gjë tjetër - patrioti i vërtetë është ai që kujdeset për historinë dhe dëshiron ta çojë në të ardhmen", thotë Martina Stefanova.

Foto: Festivali KvARTal, BTA, BGNES
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Universiteti i Sofjes

30 vjet Ballkanistikë në Universitetin e Sofjes

Më 17 dhe 18 tetor 2024 në Universitetin e Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” do të mbahet konferenca shkencore ndërkombëtare “Paralelet ballkanike” kushtuar përvjetorit të 30-të të themelimit të degës së Ballkanistikës. Ballkanistika është..

botuar më 24-10-13 6.15.PD

Tregu si fenomen kulturor në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen

Një nga vendet më interesante dhe plot ngjyra në çdo vendbanim është tregu i tij. Pavarësisht nëse është i hapur përditë apo në një ditë të veçantë të javës, nëse ka ose jo specifika të produkteve që ofron, tregu është një fenomen kulturor që ka..

botuar më 24-10-09 7.35.PD

Takim në Ambasadën e Shqipërisë me studentët e Universitetit të Sofjes

Ditën e premte në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Sofje u zhvillua një takim i ngrohtë dhe i përzemërt mes Ambasadores Znj. Inid Milo me studentët dhe profesorët e Gjuhës shqipe në Departamentin e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes “Shën..

botuar më 24-10-06 12.05.MD