Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Llazar Dobriç mbetet i vetmi artist i cirkut që realizoi "Trapezin e vdekjes"

"Drejtorët e cirkut bënin oferta që në programin e tyre të kishin krijuesin e cirkut bullgar", thotë Magdalena Gigova.

Mbi pesë kuaj në Berlin, 1912
Foto: arkiva

"Para se të shpikja "Trapezin e vdekjes", quhesha Llazar Dobriç dhe kështu më shkruanin nëpër postera dhe nëpër programe”. Mjeshtri i artit botëror të cirkut do të mbahet mend gjithmonë për trukun më të rrezikshëm në ring – me dorën e shtrirë drejt një bote tjetër, por në fakt me dëshirën ndaj tokës në fuqinë, lirinë dhe bukurinë e saj ekstreme.

Që i vogël ai luante me leva, unaza dhe i pëlqente të ecte me duar. Lindur në vitin 1881 në fshatin Ravno Pole të Sofjes, një artist i ardhshëm cirku zbuloi dhuntinë e tij në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, duke përfunduar në këtë mënyrë në Paris me lekët e fundit që i kishin mbetur nga bursa e tij në shkollën politeknike në qytetin francez të Asnieres.

"Me të gjitha paratë e tij, ai blen biletën më të lirë për variete "Folies Bergere", thotë Magdalena Gigova në rubrikën "Adresat e dashurisë" në Radio Sofje të Radios Kombëtare Bullgare. - Trupa rumune "Dimitresku" ishte gjithashtu pjesë e programit. Gjatë pauzës, djali bullgar takohet me një nga akrobatët – Iv Florian, dhe ai e prezantoi atë me shefin e tij. Po atë ditë djali me bursë largohet nga shkolla dhe niset me rumunët për në Bruksel. Ai bëri debutimin e tij si artist profesionist më 1 tetor 1897, duke kryer aktin më të rrezikshëm në program - salto mortale, kërcimin e vdekjes. Suksesi i tij ishte i pabesueshëm”.

Një vit më vonë, përsëri në estradën pariziane që i kishte hapur rrugën drejt famës, ai bie në errësirë. Teksa fluturon nga maja e çadrës së cirkut me krahët e shtrirë drejt rrjetës së shpëtimit, një nga trarët mbështetës e arrin atë. "Nuk është nevoja të nxitoni, ai ka vdekur," mërmëriti një infermiere e përgjumur menjëherë pas urdhrit që ta çonin trupin në spital. Megjithatë, njeriu nën tendën lëshon një rënkim të lehtë dhe në vend që ta çojnë në morg, e çojnë në sallën e operacionit.

Duke i mbijetuar vdekjes për mrekulli, ai filloi një tjetër flirt me të pamundurën, e cila dukej se po e testonte për të parë sa afër do të guxonte të afrohej. Dhe kështu i lindi ideja e duhur.

"Në vitin 1905, Berlini u mbush me postera shumëngjyrëshe”, vazhdon rrëfimin e saj Magdalena Gigova, “Shkronjat e mëdha bërtisnin: “Bullgari Ivanov – shpikësi i “Trapezit të Vdekjes”. Ivanov – ky është emri i babait të Llazar Dobriç, i cili tingëllon më patriotik dhe është më i lehtë për t'u shqiptuar. Cirku Schumann ishte i mbushur plot, trapezi i vdekjes po rrotullohej dhe publiku po çmendej. Drejtorët e cirkut po bënin oferta që ta kishin në programin e tyre Llazar Dobriçin".

Në librin e tij “Kërcimi i vdekjes”, ai përshkruan frymëzimin që pati, i cili do ta kthente në artistin më të kërkuar.

"Një ditë po ecja nëpër panairin e qytetit hungarez Papa në jug të Budapestit. Po shikoja varkat që lëkundeshin, të tilla mund të gjenden sot në të gjitha vendet për argëtim. Një i ri, në dëshirën e tij për t'ia kaluar të gjithëve dhe për të kënaqur të dashurën, e përshpejtoi varkën aq shumë sa majat e saj tejkaluan vijën horizontale. Vazhdova të shikoja varkën, i pushtuar nga një mendim - po nëse trau mbështetës horizontal do të zëvendësohej nga një bosht i fortë metalik, varka do të mund të rrotullohej, sigurisht nëse do të kishte dikush që të merrte mjaftueshëm forcë. A do mundesha ta bëja unë këtë dhe të krijoja një numër të bujshëm që nuk ishte parë kurrë më parë?
Duke kërcyer mbi një makinë në Bordeaux, 1908.
Me trapezin e tij vdekjeprurës, ai dha shfaqje në Evropë, Azi dhe Amerikën e Veriut. Por që performanca e tij të ishte më efektive, atij i duhet një grua – “e re, e hollë, elegante dhe e bukur” – që ta prezantonte para publikut dhe të qëndronte gjatë performancës. Ata i rekomanduan atij një kalorëse cirku të re, e cila prezantohet: "Unë quhem Minnie Nietzsche. Babai im ishte një njeri i ditur - një filozof, por lufta për jetën më detyroi të bëhesha artiste cirku nga mungesa e fondeve për të vazhduar studimet e mia”. Kur e pyetën si e ka emrin babai, ajo përgjigjet: “Friedrich”. Por pas suksesit të madh të turneut në Gjermani, asistentja ndihet e lënë në hije nga fama e tij dhe i kthehet rolit të saj origjinal në arenë.

Kur filloi mobilizimi, si bashkëmoshatarët e tij, i shtyrë nga detyra patriotike, Llazar Dobriç u kthye në Bullgari. Mori pjesë në dy luftëra – në Luftën Ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore. Më pas ai vazhdoi të udhëtonte nëpër botë, duke arritur sukses të paparë.

"Kam lënë pas qindra mijëra kilometra. Një herë i kam rënë rreth e rrotull globit, gjashtë herë jam pagëzuar në ekuator. E kam parë botën nga maja e Vezuvit, u gjenda në stuhitë e tmerrshme të Oqeanit Paqësor. Unë i kam mbijetuar tërmetit të San Franciskos të vitit 1906, kur vdiqën 100 mijë njerëz.” Citoi fjalët e tij në vitin 1969 gazeta “Lajmet e mbrëmjes”. Ndërkohë jeta nuk i kursen as provën e rradhës.
Llazar Dobriç në Romë në vitin 1908. Sipër, mund të shihni një poster të dyfishtë që reklamon turnetë e tij duke performuar Trapezin e vdekjes
“Ai përjeton një përmbytje të anijes – pothuajse njësoj si në Titanik – shton Magdalena Gigova. – Pas një udhëtimi në Angli, Llazar Dobriç dhe trupa e tij duhet të niseshin për në Dresden dhe prej andej – për në Holandë. Papritur, fillon një stuhi e tmerrshme detare. Ai flet me udhëheqësin e anijes "i cili i thotë se do të jetë një mrekulli nëse ata arrijnë gjallë në bregun holandez".

“U zgjova në spital – të gjithë ishim dezertorë nga kthetrat e vdekjes”, kujton ai pas mbytjes së anijes. Me paratë e dëmshpërblimit porosit “Trapezin e vdekjes” të parë.
Pjesë e Cirkut Kolizeum në 1923
Edhe pse në mbarë botën e presin krahëhapur, ai nuk e harron vendlindjen. Në vitin 1919 së bashku me vëllanë e tij Aleksandrin – gjithashtu artist cirku, ndërtoi Cirkun e Sofjes “Kolizeum”. Krijoi edhe cirkun "Royal - Dobriç", trajnoi një pjesë të madhe të artistëve të cirkut në Bullgarinë e pasluftës dhe u bë kryedrejtor i drejtorisë "Cirkut Bullgar". Fondi i Artë i Radios Kombëtare Bullgare ruan një kujtim të aktorit Penço Petrov që nga viti 1974:

"Artistin Llazar Dobriç e pashë për herë të parë në cirkun që ai drejtonte. Bashkë me kërcimet e guximshme dhe marramendëse të vdekjes, m'u kujtua edhe diçka tjetër nga ky artist i madh bullgar. Para shfaqjes ai hynte në arenë me një kostum të mrekullueshëm mbrëmjeje, me mustaqe të dredhura dhe një kamxhik në dorë. Priste që të binte qetësia dhe me një zë shumë të lartë e të qartë shpallte: “Zotërinj, artistët tanë gjetën një orë të artë. “Ju lutem, kushdo që e ka humbur, të paraqitet në arenë për ta marrë atë”. Njerëzit fillonin të bënin zhurmë. Ata pyesnin veten se si artistët e përbuzur mund të ishin kaq të sinqertë. Për t'i kthyer një orë prej ari pronarit të saj në ato vite - kjo kërkonte një moral përrallor. Dhe kështu del në skenë një grua e përlotur, e prekur nga artistët e mirë dhe duke falënderuar Llazar Dobriçin. Fillon verifikimi dhe marrja në pyetje, e gjitha kjo publikisht. Më në fund konstatohej se ora në të vërtetë i përkiste kësaj gruaje dhe Llazar Dobriç ia kthente me një gjest. I gjithë cirku e duartrokiste aktin e bukur. Ky ishte mësimi im i radhës – të jesh artist, duhet të jesh i sinqertë. Pastaj kuptova se ora ishte një numër i programit dhe madje një herë e pyeta Llazar Dobriçin: "Pse në çdo shfaqje tuajën ka orë, para ose unaza martese të humbura?" "Që të edukojmë njëri-tjetrin”, qeshi ai. "Cilët?" "Artistët dhe audiencën. Pjesa tjetër është thjesht një spektakël - edhe hajdutët mund ta realizojnë atë."

Ai largohet nga kjo botë në moshën 89-vjeçare, duke i lënë trashëgim artit të cirkut "Kalërim kalorësi", "Trapez me pesë cepa", "Shkopi", "Shkallë në këmbë", "Vallëzim mbi tel" etj. Sot, nipi Kristofër Dobriç, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, po ndjek hapat e gjyshit të tij.
Kristofër Dobriç
Udhëzimi, besimi dhe forca vijnë nga vendet më të papritura. Dhe jo domosdoshmërisht nga bota e dukshme. Ndonjë ditë publiku do të mund të duartrokasë edhe një herë Dobriçin, duke dalë fitimtar në një betejë me "Kurthin e Vdekjes".

Përpiloi: Diana Cankova (Është përdorur materiali nga Magdalena Gigova, i transmetuar në Radio Sofia të Radios Kombëtare Bullgare)

Foto: arkiva

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Ekaterina Titova

Shën Joani i Rilës dhe Shën Joani i Kronshtadit - dy mrekullibërës "Përmes fuqisë së Krishtit"

Në festën e Hyrjes së Nënës së Zotit në Tempull më 21 nëntor sipas Kalendarit Gregorian dhe Ditën e Kryeengjëjve Mihaill dhe Gavrijil sipas Kalendarit Julian, piktorja Ekaterina Titova prezantoi veprat e saj të reja në ekspozitën "Përmes fuqisë së..

botuar më 24-11-25 7.20.PD

Një bullgare me çmimin prestigjioz Global Lifetime Achievement Women in Tech 2024

Bullgarja Sasha Bezuhanova, një menaxhere e njohur ndërkombëtarisht në industrinë dixhitale dhe një filantrope, u nderua me çmimin prestigjioz Women in Tech Global Lifetime Achievement 2024 për një kontribut të përgjithshëm në zhvillimin e teknologjisë dhe..

botuar më 24-11-19 3.31.MD
Matina Genkova - Mpofu

Në botën e librave për fëmijë të Matina Genkova-Mpofu

"Dy ditët më të rëndësishme në jetë janë dita kur keni lindur dhe dita kur e zbuloni pse." Ky është një mendim që i atribuohet shkrimtarit të famshëm Mark Twain. Bashkëbiseduesja jonë ndjek gjurmët e dashurisë, të cilat e çojnë në një vend tjetër, në një..

botuar më 24-11-09 10.35.PD