Programi i ditës
Audio Player
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Qyqja dëgjohet për herë të parë në Ditën e Shën Vangjelizmoit, kafshët zgjohen nga gjumi i tyre dimëror

Dy muze kombëtare – Muzeu Etnografik dhe Muzeu i Shkencave të Natyrës – ndajnë temën e besimeve popullore dhe njohurive për natyrën

Foto: arkiv

Dita e Shën Vangjelizmoit (Ungjillëzimi i Hyjlindëses) është një ditë e shenjtë, simbol i mëshirës së pafund të Zotit ndaj njerëzve dhe veçanërisht ndaj figurës së gruas, e bekuar për të sjellë një jetë të re, por edhe mishërim i dëshirës së përjetshme njerëzore për diçka më të mirë në ditët në vijim. Sipas traditës biblike, në këtë ditë kryeengjëlli Gabriel vizitoi Virgjëreshën Mari dhe i tha asaj lajmin e mirë se ajo do të mbetej shtatzënë me frymën e Shenjtë dhe djali i saj do të bëhej Shpëtimtari i gjithë njerëzimit. Më përpara kjo ditë nderohej edhe nga bullgarët ortodoksë si Dita e Nënës.

Në Bllagovec, siç e quajmë në mënyrë tjetër festën e Shën Vangjelizmoit, tradita dikton që të respektohen një sërë ndalimesh, më i rëndësishmi është që në këtë ditë njeriu nuk duhet të zemërohet, të zhytet thellë në mendime apo shqetësohet, ndërsa zënkat janë krejtësisht të papranueshme. Të moshuarit thonë se mënyra si ndiheni në këtë ditë parashikon si do të jetë viti juaj. Edhe pse festa përkon me kreshmën e Pashkëve, është shumë e rëndësishme që njeriu të jetë i ngopur dhe i kënaqur në 25 mars. Përveç ushqimeve pa yndyrë, në tryezë lejohen edhe pjatat e peshkut. Një tjetër gjë e rëndësishme është të mos mbetemi pa para në Ditën e Shën Vangjelizmoit. Nëse një person dëgjon një qyqe në pyll, ai duhet të mbajë në dorë menjëherë një monedhë prej hekuri për të pasur prosperitet gjatë gjithë vitit.

"Në idetë e popullit tonë për Ditën e Shën Vangjelizmoit, dallëndyshja sjell lajmin e mirë se pranvera po vjen. Më pas gjarpërinjtë dhe hardhucat dalin nga vendet e tyre të fshehta dimërore dhe për këtë arsye në traditën popullore festa lidhet me veprimet për t’u mbrojtur kundër zvarranikëve si dëmtues të mundshëm", vazhdon rrëfimin në lidhje me festën e Shën Vangjelizmoit, etnografja Marija Bojanova. Ajo dërgon ftesë në emër të Muzeut Etnografik dhe atij të Shkencave të Natyrës, që sa më shumë njerëz të vizitojnë ekspozitat e tyre të dhomës, të bashkuara nën titullin "Besimi dhe dija - Natyra gjatë festës".

“Ne jemi shumë të emocionuar për festën dhe këtë bashkëpunim të këndshëm mes dy muzeve”, na thotë Marija Bojanova nga Muzeu Kombëtar Etnografik në Sofje.
Marija Bojanova
"Vitrina jonë është në hollin qendror, dhe paraqet veprimet më themelore rituale në lidhje me festën. Gjarpri është paraqitur si një ndikues i mirë, por edhe një personazh i rrezikshëm në mendjen e popullit tonë. Këtu është gjithashtu e pranishme edhe qyqja, që besohet se dëgjohet për herë të parë në 25 Mars. Janë paraqitur disa nga besimet e rëndësishme dhe gjërat e ndaluara. Ne gjithashtu tregojmë objekte nga fondi i Muzeut ku janë përfaqësuar gjarpri dhe qyqja. Dhe besimet e Ditës së Shën Vangjelizmoit lidhen më së shumti me fjalën "e mirë". Besohej se në këtë ditë duhet të mbilleshin pemë në mënyrë që të jepnin fryte të mira. Besohej se po të hapeshin kosheret në këtë ditë, bletët do të ishin të sjellshme dhe nuk do të thumbonin. Bullgarët gjithashtu besonin se nga ajo ditë uji në lumenj fillonte të ngrohej tashmë, ishte i mirë për t'u larë - ariu lahej në të për herë të parë, dhe që nga dita e sotme e deri në Festa e Martirizimit të “Shën Gjon Pagezuesit” (në gusht), njerëzit mund të lahen në lumenj."
Qyqe
Është mirë të kthehemi në të kaluarën, ku paraardhësit tanë kanë pasur një lidhje të vazhdueshme me natyrën, e cila u ka dhënë shumë mençuri. “Ata dinin shumë gjëra, ishin jashtëzakonisht të vëmendshëm dhe në pjesën tonë të ekspozitës shfaqim kafshët për shkak të të cilave u krijuan besimet që shoqërojnë festën”, thotë Prof. Asoc. Nikollaj Simov nga Muzeu Kombëtar i Shkencave të Natyrës në Sofje.

"Vizitorët do të mësojnë më shumë rreth qyqjes, ata do të shohin vezët e saj, dhe është për t'u habitur se sa të vegjël janë vezët për një zog kaq të madh. Ata gjithashtu do të shohin gjarpërinjtë – Nepërka me brirë dhe Vipera berus. Këto janë gjarpërinjtë e vetëm dhe të zakonshëm në Bullgari që mund të paraqesin një rrezik për njerëzit. Në vendin tonë nuk ka gjarpërinj vdekjeprurës. Rastet e rënda të kafshimeve janë të ndërlikuara sepse njerëzit nuk dinë çfarë të bëjnë pas një kafshimi, jo për shkak të helmit të zvarranikëve. Ne gjithashtu përpiqemi të tregojmë njohuritë e paraardhësve tanë, të cilët besonin se gjarpërinjtë, ishin të dobishëm dhe madje konsideroheshin si mbrojtës të shtëpisë. Prandaj i linin të jetonin të qetë nëpër cepa të ndryshme, edhe nën pragun e shtëpisë, por nuk u vrisnin kurrë. Ky besim është i dukshëm edhe në përrallat popullore, ku gjarpri është një hero që ndihmon njerëzit, ndërsa hardhuca është një mbret që ndihmon në gjetjen e thesarit të groposur. Në ekspozitën tonë prezantojmë edhe kafshë të tjera që tani kanë filluar të zgjohen për shkak të ngrohjes së motit”.
Pranvera është jashtëzakonisht e përshtatshme për vëzhgimin e amfibëve dhe zvarranikëve, pasi kur zgjohen nga letargjia duhet të qëndrojnë jashtë për të thithur mjaftueshëm dritë dielli dhe ngrohtësi - thotë Prof. Asoc. Nikollaj Simov dhe këshillon gjithashtu njerëzit të largohen nga qytetet dhe të ecin në male, fusha, në rrugë të zeza: "Gryka e lumit Iskër është një vend i mrekullueshëm për shëtitje, pjesët jugore të Vitoshës, madje edhe disa pjesë të Bullgarisë Jugore - njerëzit thjesht duhet të dalin jashtë dhe pastaj do të shohin insektet e zgjuara, pjalmuesit që kërkojnë gjithashtu lulet e para, disa flutura gjithashtu shfaqen herët në pranverë dhe më pas zhduken. Të mos flasim pastaj për hardhucat, që zgjohen dhe kërkojnë ushqim, fillojnë kërcimet e dasmave... kështu që ditët e bukura me mot të ngrohtë kanë qenë gjithmonë një ëndërr”.

Lexoni më tepër:


Foto: arkiva, nembg.com, Muzeu Etnografik, bspb.org (Mlladen Vasilev, Miglena Ivanova)

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Biblioteka Probuda – 1928, në fshatin Kralevo

Konkursi i fotografive i bibliotekës në fshatin Kralevo solli në jetë Pizhon dhe Pendën

Biblioteka në fshatin Kralevo të Tëgovishtes (Bullgaria Verilindore) rikrijon çdo vit zakonet tradicionale bullgare dhe organizon gara si "Mjeshtri i hajvarit" dhe "Nga sënduku i gjyshes". Për të tretin vit radhazi, ajo arriti të bashkojë patriotë nga..

botuar më 25-03-19 7.00.PD

Projekti “Traditat” hap punëtori për dashamirët e qeramikës së Busincit

Në muajt e ardhshëm në kryeqytetin e Sofjes, Burgas (Bullgari Jugore) dhe Ihtiman (Bullgari Jugore) do të mbahen tre cikle punëtorish për qeramikë dhe leksione edukative për shkollën e qeramikëssë Busincit. Në kuadër të projektit “Traditat”,..

botuar më 25-03-11 6.20.PD
Foto: Muzeu Kombëtar Etnografik – Akademia Bullgare e Shkencave

E kuqe dhe e bardhë - amuleti bullgar i pranverës për shëndet është i mbështjellë me legjenda dhe besime

Sipas besimeve popullore, ngjyra e kuqe zotëron fuqinë e diellit dhe i jep vitalitet çdo qenieje të gjallë, ndërsa e bardha simbolizon pastërtinë, pafajësinë dhe gëzimin. Shfaqja e fijeve të përdredhura të bardha dhe të kuqe të njohura si..

botuar më 25-03-01 8.30.PD