Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Një ekspeditë filologjike-etnologjike në Mandricë

Në fotografinë (nga e majta në të djathtë): Studentet nga dega e Ballkanistikës – Sllaveja Nedelçeva, Anna Kapitanova dhe Darina Felonova bashkë me plakat Marija Dieva dhe Sultana Gramenova në Mandricë.
Foto: Anna Kapitanova

Në fund të tetorit të këtij viti u zhvillua një ekspeditë filologjike-etnologjike në fshatin e vetëm shqiptar në Bullgari – Mandrica. Organizatore e saj ishte profesor Petja Asenova nga Universiteti i Sofjes, pedagoge në fushën e gjuhësisë ballkanike. Në ekspeditën morëm pjesë tri studente nga dega e Ballkanistikës – Anna Kapitanova, Darina Felonova dhe Sllaveja Nedelçeva. Kjo ishte ekspedita e dyte e organizuar nga Universiteti i Sofjes në Mandricë. Ekipi i ekspeditës së parë gjatë vitit 2007 përfshinte profesoren Petja Asenova, docenten e gjuhës dhe letërsisë shqipe Rusana Bejleri, asistentin e saj Anton Pançev dhe ballkanisten Kremena Daneva.

Mandrica është një fshat shqiptar në Bullgari që gjendet në pjesën më lindore të maleve Rodope pranë kufirit bullgaro-grek. Ndodhet 15 kilometra larg qytetit Ivajllovgrad, në qarkun e Haskovos. Sipas të dhënave të regjistrimit popullsia e fshatit në vitin 2006 ka qenë 75 banorë, shumica prej të cilëve – gra. Historia rrëfen se fshati është krijuar në kuadrin e Perandorisë Osmane gjatë shekullit XVII nga disa çobanë ortodoksë shqiptarë. Ushtria osmane u ka lejuar të marrin një nga copë toke, ku të prodhojnë produkte qumështi, me të cilat ta furnizojnë atë, dhe për këtë shkak të mos paguajnë taksa. Emri i fshatit vjen nga fjala bullgare me origjinë turke “mandra” që në shqip do të thotë “baxho”.

© Foto: Anna Kapitanova

nga arkivi i Sultana Gramenovas

Gjatë shekullit XVIII shumë shqiptarë nga rrethinat e Korçës erdhën në Mandricë, kurse një shekull më vonë fshati u bë vendbanimi i shqiptarëve nga rajoni i Sulit, që tashmë ndodhet në Greqi. Pas Luftërave Ballkanike kufiri bullgaro-grek kaloi nëpër fshatin dhe një pjesë prej tij mbeti në territorin e Greqisë. Sot atje është i njohur një fshat tjetër që mban emrin Mandres (Μάνδρες).

© Foto: Anna Kapitanova

Pamje nga Kisha ortodokse “Shën Dimitri”

Sipas rrëfimeve të një prej plakave Evdokija Moskova fshati Mandres është krijuar në Greqi në vitin 1914. Ajo na tregoi se gjatë Luftës së dytë ballkanike në rajonin e Mandricës erdhi bashibozuku. Ai mblodhi të gjithë burrat dhe djemtë nga fshati në një dyqan për t’i vënë në zjarr. Por një grua nga fshati tjetër i shpëtoi. Ajo kishte marrë vesh për vendimin e bashibozukut dhe arriti të paralajmëroi të gjithë. Kështu burrat dhe djemtë u shpëtuan dhe ikën në Greqi. Atje krijuan një fshat tjetër, të cilin e quajtën Mandres për ta kujtuar Mandricën. E vërteta është se deri tani banorët e njërit fshat mbajnë lidhje me të afërmit e tyre të fshatit tjetër. Për fat të keq kufiri midis atyre hapet vetëm për një ditë në kohën e Pashkëve dhe ngandonjëherë në një festë tjetër fetare.

Plakat Sultana Gramenova dhe Marija Dieva tregojnë se zanatet kryesore të fshatit kanë qenë rritja e krimbit të mëndafshit dhe prodhimi i duhanit. Por tani secila prej plakave kujdeset vetëm për disa kafshë. Në fshat nuk jetojnë të rinj. Një pjesë prej tyre banojnë në qytetet e mëdha të Bullgarisë, ndërsa pjesë tjetër – jashtë vendit. Sipas rrëfimeve të grave të moshuara fëmijët e tyre kthehen gjatë verës dhe qëndrojnë vetëm disa ditë. Prandaj një vizitë e tillë siç ishte ekspedita e Universitetit të Sofjes i gëzoi shumë. Në të vërtetë ato na pritën me ngrohtësi dhe dhanë gjithçka prej vetes për të na njohur me përrallat, këngët, veshjet popullore dhe zakonet shqiptare. Për të gjithë këto ne i falënderojmë nga tërë zemra.

Gjuha e përdorur prej tyre është shumë arkaike. Studime shkencore mbi të ka bërë doktor Bojka Sokolova. Më shumë hollësi për gjuhën mund të lexoni në librin e saj kushtuar dialektit shqiptar të Mandricës. Banorët e sotëm të fshatit përbëjnë brezin e fundit që e flet këtë dialekt. Konsiderojnë veten si shqiptare, por shumica prej tyre nuk kanë vajtur në Shqipëri kurrë. Nuk e dinë as të shkruajnë, as të lexojnë në shqip. Por me shumë kënaqësi na ekzekutuan disa këngë, që mbajnë mend për jetën e përditshme të popullin shqiptar. (Po të klikoni AUDIO mund të dëgjoni një pjesë prej këngëve folklorike shqiptare në ekzekutim të plakave të Mandricës)

Banorët e fshatit Mandricë dinë shumë pak për heronjtë e lavdishëm të Shqipërisë. Kanë dëgjuar pak për Skënderbeun, kurse për historinë e sotme shqiptare - pothuaj asgjë. E quajnë Shqipërinë Albania, ndërsa gjuhën shqipe “arnautçe”. Nuk mund të thuhet se plakat nga Mandrica ruajnë zakone që janë specifike vetëm për Shqipërinë. Gjatë bisedave na bëri përshtypje se për ta tërhequr vëmendjen tonë, ato shpjegonin traditat e fshatit sikur janë shume të ndryshme në krahasim me traditat bullgare. Ose thjesht në nevojën e tyre të ndihen më speciale në jetën e përditshme, ato paraqitën çdo gjë si unike. Më vonë gjatë analizave u bë e qartë se gjuha e tyre përben një formë të vjetër të shqipes, formuar me ndajshtesa – pjesa dërmuese prej të cilave bullgare, më pak turke dhe greke, ashtu dhe zakonet që i ruajnë mandricanët në sasi të madhe janë karakteristike për Bullgarinë. Por në lidhje me gjuhën vrojtimet shkencore kanë tërhequr vëmendjen si të gjuhëtarëve tanë, ashtu dhe të gjuhëtarëve të huaj dhe ato vazhdojnë të përbëjnë interes të madh. Incizimet që kemi bërë gjatë ekspeditës, do të transkriptohen sipas fonetikës së gjuhës shqipe.

Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
По публикацията работи: Anna Kapitanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Arkitekti Rumen Xhagarov restauroi një shtëpi të vjetër dhe u kthye në fshat si një protestë kundër krizës demografike

Në Bullgari ka 5257 vendbanime, sipas regjistrit të Institutit Kombëtar të Statistikave nga viti 2021. Prej tyre, afro 5000 janë vendbanime të vogla, por sipas statistikave, çdo vit “vdes” nga një fshat bullgar sepse prej tij është larguar edhe banori i..

botuar më 24-07-15 7.30.PD

"Topllo Fest" 2024 - fluturojmë "Lartë në qiell" me qifta, muzikë dhe shumë argëtim!

Hapësira për art, kulturë dhe dialog "Topllocentralla" në Sofje po përgatitet për një mbyllje spektakolare të sezonit të saj të pestë me edicionin e pestë të festivalit emblematik "Topllo Fest". Nën moton "Lartë në qiell", qiftet shumëngjyrëshe..

botuar më 24-07-13 8.40.PD

Prof. Ljubomir Gavrillov: Në raundin e parë, francezët votojnë me zemër, dhe në të dytin - me mendjen e tyre

Parlamenti Evropian është në prag të krijimit të një familjeje të re politike të formuar nga e djathta ekstreme në një kohë kur e majta po i jep një goditje të papritur të djathtës në Francë. “ Në vend të parë është i ashtuquajturi “Fronti i..

botuar më 24-07-10 2.40.MD