Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Letërsia shqipe dhe bilinguizmi i shkrimtarëve

Një nga temat që ngjalli diskutime të veçanta gjatë konferencës shkencore “Historia e Letërsisë Shqipe”, organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës, që u zhvillua në Prishtinë me pjesëmarrje mbarëshqiptare akademike, kishte të bënte me bilinguizmin e autorëve. Më konkretisht u shtrua pyetja nëse shkrimtarët dhe poetët që shkruajnë në gjuhë të huaj duhet të përfshihen në historinë e letërsisë shqipe apo duhet të konsiderohen pjesë e letërsisë së gjuhëve në të cilat krijojnë. Ky problem është specifik për letërsinë shqipe që nga koha e Marin Barletit e deri në kohën e Xhejms Belushit. Në këtë konferencë mori pjesë edhe kolegia jonë doc. Rusana Bejleri nga Universiteti i Sofjes me temë “Aspekte të shkencës letrare krahasuese në studimin e historisë së letërsisë shqipe”. Një pjesë e kumtesës së saj i kushtohet pikërisht shfrytëzimit të potencialit të bilinguizmit të autorëve shqiptar.

Një nga fushat e shkencës letrare krahasuese ku letërsia shqipe mund të inkuadrohet lehtë është bilinguizmi i autorëve si potencial artistik dhe jetësor për adaptim dhe njëkohësisht për dalje në pah. Tema është më aktuale dhe shumëdimensionale për letërsinë shqipe, sesa për letërsitë e tjera ballkanike, për shkak të diasporës historike, pakicave kompakte shqiptare në disa shtete dhe mobilitetit historikisht të madh të inteligjencës shqiptare – kemi parasysh migrantët individualë dhe ekonomikë. Gjatë mijëvjeçarit të ri kur komunikimi mes hapësirës bëhet në çast shfrytëzimi i bilinguizmit në gërshetim të moderuar me temën e identitetit mund të jetë një strategji e suksesshme për afirmim jashtë. Sigurisht në lidhje me bilinguizmin fitojnë shumë peshë faktorët sociologjikë dhe biografikë, por gjithsesi nuk humbet pesha e rezultatit letrar: vepra artistike si e tillë. Në përgjithësi vihen re tri lloje situatash:

Situata e parë: Tema e identitetit si obligim individual brenda të shkruarit në gjuhë të huaj.
Nëse duhet të bëjmë një përgjithësim të problemit të adaptimit në përgjithësi, mund të konstatohet se për krijuesit shqiptar gjendja “jashtë atdheut” nuk gjeneron tensionin tipik për identitetin dhe kjo dëshmohet si nuancë psikologjike më mirë në veprat e tyre letrare. Sistemimi në nivel material ka të bëjë me mbijetimin fizik dhe varijon në mënyrë individuale. Ana shpirtërore ndërkaq mbetet një botë e pavarur paralele, në të cilën krijuesi praktikisht mbetet i palarguar nga specifika kulturore e komunitetit të vetë, që ka mbetur “në vend”. Shumë autorë rilindës dhe klasikë jashtë atdheut kanë shfrytëzuar zotërimin e mirë të gjuhës së huaj për të përçuar drejt botës tjetër, me anë të letërsisë, elemente të identitetit kombëtar, ndër të cilat Pashko Vasa, vëllezërit Frashëri, Çajupi, Faik Konica etj. Më duket se kjo dukuri është pozitive për letërsinë shqipe.

Situata e dytë është shfrytëzimi individual i temës së identitetit brenda shkrimit në gjuhë të huaj.
Përfshirja e elementeve të identitetit është parë si një strategji e suksesshme, edhe nga autorët me prirje kozmopolite që shkruajnë shqip dhe në gjuhë të huaj si Elvira Dones. Tema të identitetit janë preferuar madje nga autorët bashkëkohorë që kanë zgjedhur të krijojnë në gjuhë të huaj si Ornela Vorpsi (italisht), Besa Myftiu (frëngjisht) etj. Një arsye për këtë është fakti se fenomenet kulturore gëzojnë një pritje më të mirë jashtë kur iu përgjigjen stereotipave të krijuara në shoqërinë pritëse. Kështu para pak kohe një trupë teatrale bullgare zgjodhi të luante shfaqjen e saj në Paris në kostume popullore, sepse kjo stimulon interesin vizual në përputhje me idenë e ekzotizmit. Mbi aspektet pragmatike psikolinguistike të këtij fenomeni hedh dritë përgjigja e Ornela Vorpsit. E pyetur pse italishtja është gjuha e librave të saj ajo thotë: “Ndoshta sepse kisha dhe kam akoma nevojë për distancë nga ç’rrëfej dhe një gjuhë e huaj është mjeti më i saktë për të dhënë një dorë në distancën e të vëzhguarit. Ndoshta nesër shkruaj në shqip ose frëngjisht, varet si lënda, libri ose nevojat më përcaktojnë terrenin e lojës.”
Ardian Kyçyku në Rumani vë në dukje potencialin pragmatik që jep gjuha e dytë: “Unë fillova të shkruaj edhe në rumanisht pasi kisha shkruar mbi dhjetë romane e vëllime proze në shqip, pra kisha një vepër në vend të jetës letrare. Kalimi në rumanisht nuk ishte ndonjë lloj hakmarrjeje ndaj heshtjes zyrtare që më rrethonte, por një zgjatim edhe në një gjuhë tjetër” dhe nënvizon përpjekjet e vetëdijshme për t’i shmangur interferencës gjuhë-frymë unike artistike kombëtare: “ ... falë jetës së tërhequr që bëj, kam kohë të mos cenoj asgjë thellësisht shqiptare kur shkruaj rumanisht dhe të mos shformoj asgjë thellësisht rumune kur shkruaj shqip.” Më duket se shkrimtari me shumë të drejtë ka parasysh pikërisht gjendjet psikike të qëndrueshme, të cilat janë specifike për çdo kulturë, dhe që ka mundësi të shtjellohen natyrshëm nga autorët-bilingva në dobi të gjithë letërsisë shqipe. Një shembull aktual i mirë është promovimi i monografisë së kritikut Ali Aliu “Don Qishoti ndër shqiptarë” më 23 tetor 2009 në Sofje në gjuhën bullgare, përkthyer nga maqedonishtja, që u bë e mundshme fal bilinguizmit, siç ka ndodhur më parë edhe me romanin “Koha e dhive” të Luan Starovës.

Situata e tretë ka të bëjë me largimin nga tema e identitetit njëkohësisht me kalimin në gjuhë të huaj.
Në kohën tonë shembull për këtë fenomen në jetën artistike janë brezat më të largëta të emigrantëve si p.sh Xhejmes Belushi. Për emigrantët shqiptar të brezit të parë, në dallim p.sh. të emigrantëve bullgarë, mund të përgjithësojmë se nuk ka qenë tipike të shndërrohen në kozmopolit dhe konstatimi vlen edhe për autorët letrarë. Kohët e fundit ndërkaq vihen re edhe këto tendenca. Ron Kubati, autor i ri në Itali që tenton të kapërcejë subjektet shqiptare jep një shpjegim: “Nevoja për të shkruar në një gjuhë tjetër lind kur zëri i brendshëm ndryshon gjuhe. Kjo ndodh kur vëllimi i shkëmbimeve ne gjuhen e dyte dominon gjatë dhe ne mënyrë absolute kohen tende, ditët, studimin, punën, miqësitë, marrëdhëniet. Ky fenomen është i natyrshëm. Nuk bëhet fjalë për ndonjë sforcim, apo për diçka të stisur e të paramenduar. Bëhet fjalë për diçka që vjen nga brenda dhe nuk është një proces i thjeshtë. Të shkruarit në një gjuhë të dytë implikon shumë gjëra të reja. Mund të ndodhë që të shkruarit të mos jetë i zhdërvjellët fillimisht. Por edhe kjo kthehet ne një gjendje ekzistenciale. Kthehet ne një perspektivë të veçantë. Një identitet i ri, i brishtë i shtohet dhe përzihet me identitetin e mëparshëm.”
Besa Myftiu, e afirmuar në Zvicër, e cila më 26 tetor 2009 ishte në Sofje në kuadrin e forumit frankofon të autorëve të huaj që shkruajnë frëngjisht, ka thënë jo një herë se e ndien veten qytetare të botës. Nëse një autor ka arritur nivel të pranueshëm artistik në mjedisin e huaj, mendoj nuk ka pse të kërkojmë shfaqjen e posaçme të atdhetarizmit, sepse, siç e ka theksuar edhe Faik Konica, këto janë dy gjëra të palidhura. Historia e letërsisë shqipe para Rilindjes përfshin intelektualë dhe krijues me origjinë shqiptare në Evropë dhe në Perandorinë Osmane, pavarësisht nga gjuha në të cilën kanë shkruar dhe nga niveli i lidhjeve etnike që kanë shfaqur në trashëgiminë e tyre kulturore. Në shekullin e globalizmit, kjo forcon lidhjet midis vendeve të ndryshme.

Në përfundim sipas Rusana Bejlerit fakti se një autor në një periudhë krijuese mund të ketë zotëruar më mirë gjuhën e huaj, sesa gjuhën amtare, meriton të diskutohet brenda temës së mësimit të shqipes nga emigrantët ose komunitetet jashtë shteteve etnike shqiptare, por kritika letrare shqipe meriton ta “shfajësojë” për këtë sinqerisht dhe të përfitojë nga anët pozitive të kësaj dukurie.
По публикацията работи: Rusana Bejleri


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Fryma e Sofjes së Vjetër pushton qendrën e kryeqytetit

Na ishte njëherë e një kohë një lagje e jashtëzakonshme. Prej saj filloi ndërtimi i Sofjes së Vjetër, sepse ndodhej midis Pallatit dhe stacionit - rruga kryesore që bënte lidhjen e jetës në qytet. Në këtë hapësirë njerëzit jo vetëm plotësonin nevojën e..

botuar më 24-09-13 7.30.PD
Rajna Manxhukova

"Zemra e Bullgarisë tjetër" – dokumentar për një agjenci të vogël me një mision të madh

Në vjeshtën e vitit 1992, nëpërmjet një urdhri të Këshillit të Ministrave në Bullgari, u krijua Agjencia për Bullgarët Jashtë Shtetit për të koordinuar politikën shtetërore ndaj bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën. Kryetari i parë, Georgi Danaillov,..

botuar më 24-09-12 7.30.PD

Varna pret Festivalin Botëror të Filmave të Animuar

Edicioni i 20-të i Festivalit Botëror të Filmit të Animuar mbahet nga 11 deri më 15 shtator në Qendrën e Kongreseve në qytetin bregdetar bullgar Varna. Janë të përzgjedhur mbi 70 tituj në 7 kategori, ndër të cilët më të priturit, sipas ekipit, janë..

botuar më 24-09-11 6.15.PD