Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Verorja – simboli bullgar i pranverës

Foto: BGNES
Për bullgarin ngjyrat e para të pranverës janë e bardha dhe e kuqja. Fijet e ndërthurura të bardha e të kuqe janë simboli i pranverës, i quajtur verore, (në bullgarisht “martenica”, sipas emrit të muajit të parë të pranverës – mart). Prej kohërave shumë të lashta bullgarët e presin 1 Marsin të stolisur me verore.

Dielli i kuq që po agon shkëlqen mbi dëborën e marsit – një pamje të tillë mund të shohë bullgari në veroren bardhë e kuqe. Në pranverë dielli do të ngrohë tokën, ndërsa gjatë verës rrezet e tij, shkëlqimin e tyre të artë, do t’ia japin grurit që po piqet. Për këtë ka menduar dikur bujku, duke futur veroren në brezin e tij të kuq në mëngjesin e herët të 1 Marsit. Kurse në të njëjtën kohë gjyshet kanë bekuar nipat të rrisin të bardhë me faqe të kuqe si verorja, të cilën ua kanë lidhur duarve të tyre. Vajzat e rritura e vënë veroren në gji, ndërsa beqarët e lidhin në noçkën e këmbës që t’u sjellë ajo forcë burrërore. Edhe zonja e shtëpisë shpejton në mëngjesin e 1 Marsit t’u lidhë verore kafshëve shtëpiake dhe pemëve të bahçes, qe të japin fruta gjatë vitit. Dikur gratë u kanë lidhur verore dhe sendeve më të rëndësishme shtëpiake – tezgjahut për shembull.

Sipas traditës veroret punohen nga gruaja më e moshuar e familjes. Dikur kur po afrohej 1 Marsi, gratë dilnin në fushë dhe mblidhnin copëza leshi, të mbetura nga kopetë delesh në shkurret qysh para dimrit. Prej këtij leshi bënin veroret. Një pjesë prej tij e ngjyrosnin në të kuqe – me bojëra natyrale. Pastaj ndërthurnin penjtë e bardhe dhe të kuq deri sa të bëhej fija dyngjyrëshe e verores, e cila është kryesorja. Ndërsa ndjenja estetike dhe fantazia e çdo gruaje si dhe besimet popullore i kanë bërë grat qe t’i shtojnë verores diçka tjetër – një rruazë bojë qielli, qe të ruajë vajzat dhe fëmijët nga syri i keq; një monedhë të vogël – për pasuri, një thelpi hudhër, për të dëbuar forcat e liga, kështu qe çdo verore të ketë pamjen e vet origjinale dhe të mbajë “magjinë” e vet. Fillimisht verorja mbahej si nuskë – të ruante nga forcat e liga dhe të tërhiqte forcat e mira. Por dalëngadalë besimet dhe simbolet e vjetra janë harruar. Në kohën tonë veroret lidhen me urimet për shëndet dhe kësmet.

Por para se të lidhnin veroret dikur gratë bënin një rit tjetër të rëndësishëm. Qysh para agimit ato mbulonin gardhat e oborrit dhe ballkonet e shtëpisë me sixhade, qilima dhe mbulesa të kuqe. Sipas besimeve popullore, Plaka Marta (siç quhet në folklorin bullgar muaji mars), kur sheh këtë pamje i behet qejf dhe vë buzën në gaz. Kurse buzëqeshja e saj është vet dielli pranveror. Kur Plaka Marta është buzëqeshur pranvera është e ngrohtë dhe me diell, ndërsa kur zemërohet sjell dëborë dhe furtuna. Në përfytyrimet popullore Plaka Marta është motër e 11 vëllezërve, pra, të 11 muajve të tjerë. Vetëm në krahinën e qytetit malor Kotel besohet se ajo është një vajzë e re. Sipas përfytyrimit të përgjithshëm ajo është një plakë kapriçioze, e cila herë-herë e vë buzën në gaz, herë-herë zemërohet. Prandaj edhe moti në mars ndryshohet aq shpejt. Ka dhe një traditë tjetër, qe më 1 Mars të ndizen zjarre në të hapur. Dhe deri sa kërcejnë rreth zjarrit fëmijët këndojnë një këngë rituale, me të cilën premtojnë ta ngrohin Plakën Marta tani, në pranverën e hershme, ndërsa kundër kësaj – dielli i marsit të ngrohë pastaj njerëzit dhe tokën. Sipas zakonit fëmijët si dhe të moshuarit kapërcejnë zjarrin dhe besohet se kjo do t’u sjellë atyre shëndet gjatë tërë vitit. Zjarri, pëlhurat e kuqe në gardhat dhe veroret janë lidhur në një mesazh të përbashkët ritual për shëndet dhe mirëqenie.

Përgatiti në shqip: Gjullka Ilieva
По публикацията работи: Rumjana Panajotova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Festivali i maskaradës dimërore në Trën

Për të katërtin vit radhazi, qyteti i Trënit do të presë një festival dimëror të lojërave të maskaradës. Fillimi do të jetë më 3 shkurt nga ora 12:00 deri në orën 14:00 në sheshin qendror të qytetit. Katër grupe survakarësh / survakarët janë djem..

botuar më 24-02-03 7.05.PD

Verë e kuqe, dragonj, arinj dhe folklor - Dellçevo feston së bashku me bashkitë nga Greqia Veriore

Në fundjavë në Dellçevo do të derdhet verë falas nga dy krojet e fshatit. I vendosur në buzë të malit, fshati i zonës së Goce Dellçevos prej kohësh është bërë një atraksion turistik për shkak të arkitekturës së tij të lashtë dhe pamjeve të bukura të..

botuar më 24-02-01 7.25.PD

"Surva" është zemra e Pernikut dhe Perniku është zemra e "Surva"

Nga 26 deri më 28 janar në qytetin e Pernikut, afër Sofjes po zhvillohet festivali i maskaradës më të gjallë, më të zhurmshme dhe më të mbushur me njerëz në Bullgari. Festivali quhet “Surva”, që është edhe emri i këtij zakoni të lashtë, i ruajtur..

botuar më 24-01-26 5.51.MD