Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Katër biblioteka regjionale digjitalizojnë periodikun nga viti 1844 deri në vitin 1944

Gazeta “Rasheto” që botohej në qytetin Ruse
Foto: Veneta Pavllova
“Një gazetë humoriste dhe satirike, për të ndarë të pastrën nga e papastra” – këtë mund të lexojmë në nëntitullin e gazetës “Rasheto” që botohej në qytetin Ruse nga viti 1884. Saktësohet se “një numër kushton 20 qindarka, kurse veresie s’ka”. Gazeta humoriste është ndër botimet periodike që digjitalizohen në kuadër të një projekti të katër bibliotekave të mëdha në vend – Biblioteka e Kryeqytetit, Biblioteka Kombëtare “Ivan Vazov” në Plovdiv dhe bibliotekat regjionale të Veliko Tërnovos dhe Burgasit. Përfshihen 124 edicione që botoheshin në periudhën e viteve 1844-1944.
Spaska Tarandova paraqes revistën “Dennica” (“Ylli i mëngjesit”) me kryeredaktor Ivan Vazov

“Theksi i këtij projekti është të ruhet periodiku i vjetër – tregon në një intervistë për Radio Bullgarinë Spaska Tarandova, zëvendësdrejtore e Bibliotekës së Kryeqytetit dhe koordinatore e projektit. – Pastaj qëllimi është të digjitalizohen botime më të reja, por të kërcënuara nga asgjësimi fizik. Ka gazeta nga vitet 60 të shekullit të kaluar, të cilat janë botuar në një letër shumë të keqe. Dhe që të ruhen dhe të përdoren, është mirë të përfshihen në programin e krijimit të kopjeve elektronike. Kështu lexuesit do të përdorin kopjet elektronike, kurse botimet në letër do të ruhen. Përparësitë janë të shumta – tekstet digjitale mund të lexohen nga distanca dhe njëkohësisht nga shumë përdorues në internet. Një akses i tillë i shpejtë dhe i lehtë sjell shumë dobi – edhe për bibliotekën, edhe për përdoruesit e informacionit.”
Dy revista nga fundi i shekullit XIX-të

Katalogu i bashkuar i shtypit periodik që krijohet nga katër bibliotekat përfshin më tepër botime regjionale, në të mund të përfshihen dhe biblioteka të tjera nga vendi. Në të nuk do të ketë dublim me Bibliotekën Kombëtare “Shenjtorët Kiril dhe Metodij” dhe me bibliotekat e Akademisë Bullgare të Shkencave, sepse ato kujdesen për periodikun kombëtar. Në projektin e digjitalizimit përfshihen për shembull “Njoftimet arkeologjike të Muzeut Kombëtar në Sofje”, që botohen nga viti 1907, revista fetare ortodokse “Beseda” (“Bisedë”), e cila merret me “çështje të të gjitha degëve të shkencës dhe jetës shtëpiake”, gazeta e fundjavës “Borba” (“Lufta”) që botohet nga viti 1885 nga revolucionari, politikani dhe shkrimtari i njohur Zaharij Stojanov, revista letrare “Zvezda” (“Ylli”) e qytetit Veliko Tërnovo e shumë të tjera.

Gazeta e bashkisë së kryeqytetit është shumë e vlefshme për të gjithë ata që interesohen për të kaluarën e Sofjes. Në numrin 24 të vitit 1927 mësojmë hollësi për zgjerimin e ardhshëm të rrjetit të tramvajeve. Thuhet se me urdhër të kryebashkiakut Vladimir Vazov “ky projekt do të diskutohet gjerësisht në shoqëri, para se të miratohet nga këshilli bashkiak”. Në numrin 26 të po këtij viti lexojmë se bashkia shpreson të marrë të ardhura më të larta nga taksat për ujësjellësin e qytetit, taksa për mbeturinat, tatimi mbi ndërtesat, akciza e biletave për teatrot, kinematë dhe klubet e kështu me radhë. Por mbeten pa ndryshim taksat për banjën minerale të qytetit. Pra periudha njëqindvjeçare është e pasur me ngjarje nga historia jonë – edhe dramatike, edhe të gëzueshme. Dhe për të gjitha ato dëshmojnë edicionet periodike.
Gazeta e Bashkisë së Sofjes

“Nga pikëpamja e kujtesës historike ato janë një fushë interesante për studiuesit – thotë Spaska Tarandova. – Programet e digjitalizimit do të lehtësojnë shumë punën me shtypin e vjetër, kështu që mundësitë për studime do të zgjerohen shumë. Por që ta ruajmë këtë trashëgimi, duhet të zgjerojmë edhe më shumë programet e digjitalizimit.”

Digjitalizimi bëhet me ndihmën e skanerëve. Në etapën e parë të projektit u siguruan skanerë të mëdhenj për Bibliotekën e Kryeqytetit dhe për bibliotekën e Plovdivit “Ivan Vazov”. Me makina më të vogla punojnë bibliotekat e Veliko Tërnovos dhe Burgasit. Në etapën e dytë do të sigurohen skanerë me kapacitet më të madh edhe për këto dy biblioteka. Çfarë parashikohet në Bibliotekën e Kryeqytetit pas fundit të projektit?

“Tani jemi shumë të angazhuar me këtë projekt, pastaj skaneri mund të përdoret sipas nevojave të lexuesve tanë – shpjegon zonja Tarandova. – Do të fillojmë të digjitalizojmë edicione më të vonshme, të cilat janë kërcënuar nga asgjësimi, por përdoren shumë nga lexuesit. Një shembull i tillë është gazeta “Sporti popullor”, e cila ka shumë lexues dhe studiues, pavarësisht nga distanca e kohës, por letra e saj është me cilësi të keqe. Planifikojmë të digjitalizojmë dhe librat që kërkohen më shumë nga studentët dhe nxënësit. Bëhet fjalë për tituj që janë përfshirë në programet e tyre arsimore, por nuk janë ribotuar.”

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Veneta Pavllova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Mijëra njerëz festuan 148 vjet nga shpallja e Kryengritjes së Prillit në Oborishtе

Mijëra bullgarë morën pjesë në pelegrinazhin kombëtar në zonën historike "Oborishte", rajoni i Pazarxhikut, ku në prill të vitit 1876 u krijua Kuvendi i Parë Kombëtar Bullgar dhe delegatët vendosën shpalljen e Kryengritjes së Prillit. Në fjalimin..

botuar më 24-05-02 4.18.MD
“Çeta Fluturuese e Benkovskit”, artisti Petër Morozov

Të huajt në “Çetën Fluturuese” të Georgi Benkovskit

Krijuesi i organizatës së brendshme për Çlirimin e Bullgarisë, Vasill Levski , duke formuar komitetet revolucionare në trojet bullgare, ishte i pari që përfshiu të huajt që punonin në "Hekurudhën Lindore" të baron Moritz Hirsch. Në rrjetin e tij..

botuar më 24-04-22 5.22.MD

Para 80 vjetësh u zbulua tuma e Kazanllëkut

"Njeriu nuk e njeh rrugën drejt qiellit, por kali e di", thotë një fjalë e urtë trake. Prandaj, mbretërit trakë dërgoheshin me patjetër në botën e përtejme së bashku me kuajt e tyre. Për shkak të varreve të shumta të sundimtarëve nga epoka helenistike,..

botuar më 24-04-19 7.30.PD