Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Turistë mësojnë zanate tradicionale bullgare

Foto: Veneta Nikollova

Të modelosh një enë të bukur prej deltine me duart e tua, të thurësh pantofle të buta dhe të ngrohta, të endësh një batanije shumëngjyrëshe ose të farkëtosh një shandan prej bakri... Për njerëzit që kurrë nuk kanë praktikuar punë me dorë kjo mund të duket një gjë e paarritshme që kërkon shumë përpjekje dhe përvojë. Por po të kesh dëshirë, nuk ka gjëra të paarritshme. Kushti është të përfshihesh në një nga kurset e organizuara për mësim të zanateve tradicionale bullgare. Gjithnjë e më shumë turistë bullgarë dhe të huaj e bëjnë këtë, dhe janë shumë të kënaqur nga rezultati i fundit.

Kurset organizohen në tërë vendin, në varësi nga zanatet karakteristike për çdo regjion. Për shembull, po të dëshirosh të punosh në çark të poçarit, vendi më i mirë është qyteti Trojan. Përveç natyrës së bukur dhe mundësive për turizëm në malin Stara planina, qyteti është i njohur me shkollën e tij për sende qeramike. Mjeshtërit e Trojanit janë të dëgjuar me artin e tyre, në të cilin gërshetojnë teknologji të vjetra dhe të reja. Kurse në disa atelie mësojnë jo vetëm profesionistë të ardhshëm që do ta vazhdojnë traditën, por edhe njerëz, për të cilët deltina është një mënyrë që të shprehin talentin e tyre artistik. Ndonjëherë turistë që e vizitojnë rastësisht qytetin mbeten ca kohë për të kombinuar pushimin me mësime për punim të enëve. Trajnimi organizohet nga Ekspozita kombëtare e zanateve dhe arteve në fshatin e afërt Oreshak dhe zhvillohet nga profesionistë me përvojë. Nëse të pëlqen të gdhendësh figura të vogla prej druri, mund ta zhvillosh këtë talent në qytetin Trjavna që ndodhet në malin Stara planina. Atje është qendra e drugdhendjes në Bullgari. Rruga e zanateve, në të cilën ndodhen shumë atelie drugdhendjeje, është zemra e qytetit. Në disa nga këto atelie organizohen kurse për amatorë.

Por mundësi më të shumta për mësim të zanateve tradicionale ofron kompleksi arkitekturor dhe etnografik “Etëra” pranë qytetit Gabrovo. Në të mund të shihen demonstrime të 26 zanateve bullgare. Turistët shfaqin interes më të madh ndaj zotërimit të teknologjive të vjetra të lidhura me endjen, poçarinë, punimin e bakrit, punimin e veglave muzikore. Përveç demonstrimeve organizohen dhe kurse për turistët, në varësi nga koha e qëndrimit të tyre në qytet. Mësimet janë katër orë në ditë. Më parë tregohet historia e zanatit, pastaj demonstrohen teknikat specifike. Zakonisht gratë preferojnë të ashtuquajturat zanate shtëpiake, të cilat në të kaluarën praktikoheshin nga bullgaret, si thurja dhe endja, ngjyrosja e pëlhurave me bojëra të natyrshme, punimi i stolive etj. Ndërsa burrat i tërheq fuqia e zjarrit dhe ujit – për ta është punimi i enëve prej bakri, torneria, punimi i thikave. Hit ndër turistët është një art i vjetër që mund të zotërohet vetëm në “Etëra” – thurja me gjethe misri. Në saje të studimeve të vazhdueshme të specialistëve nga muzeu, sekretet e këtij zanati të vjetër shtëpiak janë zbuluar dhe tashmë bëhen demonstrime dhe kurse për turistët. Në të kaluarën thurja e gjetheve të misrit bëhej si me dorë, ashtu edhe në tezgjah. Tani mysafirët mësojnë si të bëjnë sende të ndryshme nëpërmjet kësaj teknike – shtroja për gota dhe pjata, për këpucë etj.

Teknikat e zanateve të vjetra bullgare mund të mësohen dhe në kompleksin etnografik të qytetit Zlatograd, në malin e Rodopeve, në rezervatin arkitekturor Bozhenci dhe në fshatin Arbanasi në Stara planina dhe në disa vende të tjera. Në fshatin Mogilica të Rodopeve për shembull turistët mësojnë si të thurin pantofle shumëngjyrëshe. Në disa shtëpi për mysafirë ruhen tezgjahë të vjetër dhe mikpritëset u tregojnë turistëve si enden qilima. Turistët kreativë vizitojnë qytetin Sandanski, ku nën udhëheqjen e piktorëve entuziastët mësojnë si të pikturojnë ikona dhe të dekorojnë vitrazhe.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
Fotografi: Veneta Nikollova

По публикацията работи: Veneta Nikollova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Brenda apo jashtë vendit? Rreth 1 milion bullgarë do të udhëtojnë gjatë pushimeve

Këtë vit moti është në anën e turizmit bullgar! Falë temperaturave të larta, pushimet e fundjavës në male apo në fshat janë “aktivizuar” tashmë që në fillim të prillit. Moti i ngrohtë solli drejt plazhit pushuesit e parë të padurueshëm përgjatë..

botuar më 24-05-02 7.20.PD

Disa nga hotelet në pushimoren Sllënçev Brjag janë hapur për festat e Pashkëve

30% e hoteleve në pushimoren Sllënçev Brjagnë Detin e Zi do të hapen më 1 maj. Bëhet fjalë për hotele të kategorisë së lartë për të cilët janë bërë rezervime nga turistë bullgarë, rumunë dhe grekë. “Çmimet e paketave turistike për këtë verë janë..

botuar më 24-05-01 10.21.PD

Dasma në pyll, musaka argjentinase, shëtitje për bimë medicinale ... shtëpia malore e ndryshme e Nikoletës dhe Uriell

Shtëpia me ushqimet më të shijshme, banuesit më të rinj dhe eksperiencat më të pazakonta ndodhet në Rodope dhe mban emrin përrallor "Momçill Junak". Deri pak kohë më parë, baza në pronësi të Bashkisë së Smoljanit ishte bosh. Por mbërritën Nikoleta dhe..

botuar më 24-04-20 7.30.PD