Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2023 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kisha Ortodokse Bullgare shënon Ditën e të Vdekurve

Foto: BGNES
Kur ndonjë prej të afërmve, ose miqve tanë ndahet nga jeta, themi se bashkë me të vdes një pjesëz nga vetë ne. Qenia e gjallë tashmë nuk ekziston, por mbetet ndenja që na ka lidhur, që të mbushë me kujtime të bukura boshllëkun e ndarjes. Në qoftë se besojmë në pavdekshmërinë e shpirtit, na qetëson mendimi se shpirtrat e njerëzve të dashur kanë shkuar në botën më të mirë të përtejmë. Prandaj i drejtojmë Zotit lutje për t’i vendosur shpirtrat e të afërmve tanë të vdekur në një vend të bukur, ku nuk ka as dhimbje, as trishtim, as psherëtima.

Sipas traditës së krishterë ortodokse këto lutje e ndihmojnë shpirtin për të gjetur rrugën e jetës së hareshme. Kisha na këshillon për t’u lutur çdo herë, kur dhimbja për të afërmit tanë na pushton. Sipas besimeve pikërisht dhimbja është thirrja e shpirtit të të vdekurit për t’u lutur për të. Prandaj konsiderohet se lutjet e të gjallëve ndihmojnë për faljen e mëkateve të të vdekurve. Në Dhiatën e Re Krishti thotë se shpirtrat e të ndershmëve ndodhen në vendin e gëzimit, ku jetojnë, ndiejnë dhe mendojnë, kurse shpirtrat e mëkatarëve janë në vendin e dhimbjes, ku vuajnë, kuptojnë gjendjen e tyre të keqe dhe u vjen keq për jetën e tyre të mëkatshme në tokë. Megjithatë edhe për ta ka shpresë, në qoftë se në kohën e kaluar në tokë janë penduar për mëkatet e bëra. Ne, të gjallët, mund të lutemi për shpëtimin e tyre jo vetëm në lutje të veçanta, por edhe në përkujtime dhe duke dhënë lëmoshë.

Përveç ditëve të veçanta dhe përvjetorëve të veçantë, kur nderohet kujtesa e të vdekurit, kisha ka përcaktuar ditë të veçanta për nder të të gjithë të vdekurve. Ato gjithmonë bien ditën e shtunë, sipas shembullit të Krishtit, i cili këtë ditë ishte me trupin e tij në varr. Prandaj ditën e shtunë shërbehet liturgji për paqe dhe kujtim. Këtë ditë mbahen dhe përshpirtjet. Në kalendarin ortodoks ka gjithashtu tri të shtuna speciale – Ditët e të vdekurve: ditët me të gdhirë të Lidhurat e Mishit, Rrëshajat dhe Dita e Arkangjel Mikailit.

E shtuna, e cila paraprin festën e madhe të Shën Arkangjel Mikailit më 8 nëntor, është një prej tri festave të mëdha të krishtera të lartpërmendura kushtuar të vdekurve. Këtë ditë vizitojmë varret e të afërmve tanë të vdekur, i pastrojmë dhe i përgatitim për dimrin. Derdhim verë të kuqe – simbol i gjakut të Krishtit dhe ndezim një qiri në varr si shenjë nderi dhe besimi në pavdekshmërinë e shpirtit. Temjanimi në varr është shprehje e lutjes sonë të pastër për shpëtimin e shpirtit, kurse lulet që vëmë, rikujtojnë për virtytet e të afërmit të dashur, i cili nuk është ndër të gjallët. U japim të afërmve dhe të njohurve bukë dhe grurë, simbol i pavdekshmërisë, si dhe ëmbëlsira të vogla, që të jetë e lehtë jeta e përtejme e të vdekurit. Kjo dhënie e ushqimit quhet gjithashtu lëmoshë, prandaj, në qoftë se afër nesh nuk ka njerëz të afërm, u japim lëmoshë të panjohurve me fjalët “Zoti të faltë”. Disa besimtarë shtrojnë tryezën, ku përveç pites, verës dhe grurit, të cilat janë të detyrueshme, vënë dhe gjellët e dashura të të vdekurit.

Gjatë përshpirtjes para Ditës së Arkangjelit, nderohet kujtesa jo vetëm e të afërmve të vdekur, por e të gjithë ushtarëve bullgarë të vdekur për atdheun.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Darina Grigorova

Më shumë nga rubrika

Katedralja e Patrikanës “Shën Aleksandër Nevski" shënon festën e saj

Me solemnitet të veçantë kleri i lartë i Kishës Ortodokse Bullgare kremtoi festën e Katedrales Patriarkale “Shën Aleksandër Nevski”, njoftoi Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare. Liturgjia e Shenjtë u kryesua nga Hirësia e Tij Mitropoliti i..

botuar më 23-11-23 5.16.MD

Familja e krishterë ruan dashurinë dhe mirëkuptimin në shtëpi

Hyrja e Hyjlindëses Mari në Tempull është një nga dymbëdhjetë festat kryesore të krishtera që kremtohet nga Kisha Ortodokse dhe Katolike më 21 Nëntor. Kisha Ortodokse Bullgare e feston veçanërisht solemne si Ditën e Familjes dhe Rinisë së Krishterë,..

botuar më 23-11-21 5.45.PD

Shën Minai ndihmon në ndërtimin e tempullit "Lartësimi i Kryqit të Shenjtë të Zotit"

Sot, më 11 nëntor, Kisha Ortodokse Bullgare kremton festën e Shën Dëshmorit të Madh Minai, një nga shenjtorët më të dashur në vendin tonë. Ai njihet në popullin tonë si mbrojtës i shpejtë i të vuajturve, të sëmurëve, jetimëve dhe mbrojtës i..

botuar më 23-11-11 6.15.PD