Durankullak tërheq si magnet turistë, fotografë amatorë, piktorë dhe njerëz me shpirt poetik. Por shumë pak frekuentues e dinë, se kjo oazë e natyrës së virgjër, që ndodhet në bregdetin tonë verior ka një histori mijëvjeçare. Në plazhin disa kilometrash, që zgjatet deri në kufirin me Rumaninë ka jo më shumë se tre kampingje dhe nga ndonjë çadër të ngulur mbi plazhin pranë dallgëve të detit. Dhe kaq! Mungojnë komplekset hotelesh, kazinotë, tezgat, lokalet për birrë dhe peshk, aq karakteristike për bregdetin tonë. Në vend të zhurmës së njerëzve, klithmave të tregtarëve dhe tallavasë që derdhet nga radioaparatet dhe magnetofonat, plazhi i Durakullakut ofron flladin e erës, murmurimën e dallgëve dhe... cicërimat e zogjve.
Mbi dhjetëra lloje shpendësh, disa prej të cilëve të kërcënuar me zhdukje në përmasa botërore, i bëjnë foletë e tyre në këtë skaj verilindor të Bullgarisë, sepse prej këtej kalon magjistrali i zogjve Via Pontika, që e lidh Evropën me Afrikën. Ndërsa një prej stacioneve kryesore të këtij magjistrali është Liqeni i Durankullakut, që bie nja gjashtë kilometra larg kufirit me Rumaninë. Krahas kolonive të shumta shpendësh rajoni është habitat i rosës gushëkuqe. Pothuaj të gjitha ekzemplaret e këtij lloji rosash që popullojnë botën, kalojnë dimrin në brigjet e liqenit, ndërsa në verë ikin në vendlindjen e tyre – rajonet veriore të kontinentit. Por në liqen ka mjaft shpendë uji të tjerë dhe nga plazhi njeriu mund të vëzhgojë koreografinë e valles së tyre në qiell. Po të hysh në det do të ta shoqërojnë kope delfinësh. Gjitarët kureshtarë s’kanë frikë nga njeriu dhe notojnë pranë bregut për gëzim të turistëve që bëjnë banjë në det.
“Aktualisht baza turistike në rajonin e Durankullakut është plot 100 për qind – thotë Evelina Dimitrova, nëpunëse e Komunës së Shabllës. – S’kemi vende të lira. Në rajon tani pushojnë shumë bullgarë, rumunë, polakë, çekë dhe turistë të tjerë. Shumë prej tyre kanë ardhur me çadra dhe rimorkio kampingu dhe akomodohen jashtë rajonit të kampingut, pranë liqenit. Në fshatin Durankullak atmosfera është e qetë. Përreth ka restorante të vogla ku ofrohen gjellë të shijshme, specialitete të krahinës sonë.”
Në ujërat e Liqenit të Durankullakut ndodhet një ishull i vogël. Ndër kodrat e tij mund të shihen mbetje të ndërtesave të lashta. Këto janë gjurmët e një vendbanimi prehistorik, që ka ekzistuar në vazhdim të dy mijëvjeçareve. Hipoteza është se këtu ka pasur jetë njerëzore qysh në mijëvjeçarin e katërt para Krishtit, që e vë fillimin e kulturës së neolitit. Për shkak të mungesës së pyjeve në këtë rajon paraardhësit tanë kanë ndërtuar shtëpitë e tyre me gurë, bile pamenduar se një ditë rrënojat e këtyre ndërtesave primitive do të shpallen arkitekturat më të hershme prej guri në Evropë. Për shkak të shumë rrethanave vite me radhë këto rrënoja unikale ishin lënë pas dore, por prej kësaj vjeshte, në sajë të një projekti evropian, turistët mund të njihen me të kaluarën enigmatike të kësaj cope tokë ndër liqen. Po ndërtohet dhe një shteg mbi shtylla (shteg palafit), i cili do të lidhë tokën me ishullin, do të ketë dhe një urë varëse, kënde për pushim, një shteg ekologjik, tablo të posaçme me informacion si dhe një Qendër të Vizituesve.
“Kemi ciceronë të aftë, që mund t’i shoqërojnë turistët në shëtitjet në ishull – tregon Evelina Dimitrova. – Me dylbi mund të shihen shpendët që bëjnë fole, të vëzhgohet bimësia, që gjithashtu është shumë interesante, kurse ciceronët shoqërues i njohin turistët me pasurin shtazore dhe me historinë mijëvjeçare të ishullit.”
Udhërrëfyesi i njohur i udhëtimit "Lonely Planet" e renditi resortin bullgar Bansko në Pirin ndër vendet më të mira për t'u vizituar vitin e ardhshëm në udhëzuesin e tij " Best in Travel 2025", raportoi BTA. Platforma e përshkruan Banskon si "një..
Vendi ynë është organizatore e Takimit Vjetor të Komitetit Evropian të Shoqatave të Operatorëve Turistik dhe Agjentëve të Udhëtimit - aktiviteti më i madh i institucionit që bashkon operatorët turistikë të Evropës. “Mikpritja e këtij takimi është një..
Në kërkim të besueshmërisë shkencore, studiuesit e qytetërimeve dhe kulturave të lashta hasin edhe lajme të rreme të krijuara nga të lashtët. Gjëja më kurioze është se edhe atëherë e kanë bërë... në emër të turizmit kulturor. Një nga këto lajme të..