Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Përfytyrimet popullore për botën e përtejme

Është e vërtetë se vdekja është një temë tabu në shoqërinë bashkëkohore. Vetë mendimi për vdekjen na mbyt. Temës së vdekjes nuk i kushtojmë aspak vëmendje, derisa të na rastisë të takohemi sy më sy me të. Për paraardhësit tanë vdekja ka qenë gjë natyrore, një tranzicion i nevojshëm drejt botës së përtejme ku ekzistenca e njeriut vazhdon në formë tjetër. Kultura tradicionale, e cila kombinon elementë paganë, popullorë dhe të krishterë, përcjell imazhe specifike dhe dije për botën e përtejme. Këto të fundit e ndihmojnë njeriun për të perceptuar më lehtë trancizionin nga jeta tokësore drejt përjetësisë, për të përballuar më lehtë vdekjen e të afërmve, si dhe perspektivën për mbarimin e jetës së vetë.

Në vizionin e botës së përtejme vend kyç zënë përfytyrimet për shpirtin e njeriut, pra për atë pjesë jomateriale të qenies njerëzore, e cila vazhdon të ekzistojë pas vdekjes së trupit. Në përfytyrimet popullore bullgare shpirti lidhet me hijen e njeriut, si dhe me frymën e tij.

Besohet se, vdekja është momenti i së vërtetës – njerëzit e mirë vdesin lehtë dhe pa dhimbje, derisa mëkatarët mundohen shumë. Kur njeriu pushon së jetuari tek ai grumbullohen të afërmit, të cilët përcjellin shpirtin e tij në botën e përtejme. Nëse i vdekuri ka qenë njeri i ndershëm, atëherë rreth tij vijnë engjëj dhe ai ndahet nga jeta tokësore me gëzim. Po ashtu supozohet se, njerëzit e drejtë dhe me shpirt të pastër vdesin në festa të mëdha të krishtere dhe kjo është një shenjë se shpirtrat e tyre shkojnë në parajsë. Derisa te mëkatarët vijnë djaj dhe shpirti mundohet gjatë largimit nga trupi, sepse kupton se e presin vuajtje në ferr. Përfytyrime të tilla lidhen me Kryengjëllin Mihael, i cili merr shpirtrat e njerëzve të ndershëm, duke i mashtruar me një mollë të artë, derisa shpirtrat e mëkatarëve i nxjerr me thikë. Ky subjekt ekziston në artin kishtar bullgar.

Fraza e njohur “ai është udhëtar për te Zoti” përdoret për një person, të cilit i mbeten ditë të caktuara jetë, po ashtu pasqyron se pas vdekjes shpirti niset për në rrugë. Brenda 40 ditëve pas vdekjes shpirti mbetet në tokë dhe shkon në të gjitha vendet të cilat i gjalli i ka vizituar dhe më pas niset në udhëtimin e gjatë drejt botës së përtejme. Së pari, shpirti kalon një fushë boshe plot errësirë. Ja pse të afërmit ndezin qirinj, kështu ia ndriçojnë rrugën të vdekurit që të mos humbet në terr. Pas kësaj, shpirti kalon një fushë tjetër, të mbuluar me shkurre me gjemba. Nëse nuk është me këpucë të mirë, nuk e kalon dot fushën. Ka raste kur të afërmit e varrosin të vdekurin pa këpucë. Supozohet se, ai shfaqet në ëndërr, duke kërkuar këpucët e veta. Që të kalojë i vdekuri nëpër fushën me gjemba, të afërmit a e zhvarrosin atë dhe ia mbyllin këmbët në këpucë, a i dhurojnë këpucë një të varfëri. Pengesë tjetër për shpirtin është lumi i madh, ku kalohet me varkë. I vdekuri duhet t’i paguajë njeriut i cili do ta shoqërojë gjatë lundrimit. Prandaj në duart e të vdekurit lihen para ose hidhen monedha në varr. Në gojëdhënat dhe këngët popullore rrëfehet për një lumë të madh prej zjarri dhe sipër tij është hapur një fije liri ose qime – të ndershmit kalojnë në anën tjetër të lumit, derisa mëkatarët bien në lumë.

Pasi shpirti ka mbërritur në botën e përtejme, ai shfaqet para gjyqit. Veprat e mira dhe ato të këqija vihen në peshore dhe në bazë të peshës shpirti dërgohet a në parajsë a në ferr. Dita e Gjykimit, një koncept mjaft i përhapur në artin kishtar, pasqyron idenë e paraardhësve tanë për botën e përtejme. Parajsa pasqyrohet si një lulishte e bukur, me çezma ku derdh mjaltë dhe qumësht. Aty është pranverë e përhershme dhe përhapet zëri i engjëjve. Derisa në ferr mbizotëron terri. Me vegla të ndryshme djajtë torturojnë mashtruesit, hajdutët, shpifësit dhe lapërdharët – secilin sipas mëkatit që ka bërë. Ka një vend të posaçëm për klerikët mëkatarë, pra për ata të cilët nuk kanë ndjekur rregullat e fesë dhe nuk kanë besuar në dogmat fetare, pra nuk kanë qenë njerëz të përshpirtshëm.

Në një kohë më të vonshme përfytyrimet për parajsën dhe ferrin janë objekt i parodisë, siç është në tregimin e shkurtët të Elin Pelinit “Në botën e përtejme”. Subjekti rrëfen për të vdekurin gjysh Matejko i cili është i pakënaqur se në parajsë nuk ka pijetore dhe preferon të shkojë në ferr që së paku të pi raki herë pas here. Mirëpo, kur ka mësuar se në parajsë nuk ka taksambledhës, ka vendosur të rri aty dhe të mos shkojë në ferr.

Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
По публикацията работи: Vihra Baeva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Festojmë Ditën e Shën Llazarit

Në ditën e tetë para Pashkëve, ne festojmë Ditën e Shën Llazarit. Është e para nga tre festat kryesore të krishtera që lidhen me mrekullinë e Ringjalljes, e ndjekur nga e Diela e Palmave dhe Pashkët. Festa festohet çdo vit në data të ndryshme, por..

botuar më 24-04-27 8.05.PD

Tradita e daullexhinjve ose ndryshe kush i zgjon myslimanët gjatë Ramazanit

Dita e Arafatit është dita e fundit nga ditët e shenjta për myslimanët në muajin e Ramazanit. Në Islam, kjo është dita më fisnike e vitit, dhe lidhet me privimet e rënda 30-ditore - "agjërimin". Ngrënja e bukës dhe pirja e lëngjeve dhe e ujit bëhet vetëm..

botuar më 24-04-09 9.05.MD

Në Rodopet tingulli i gajdes është një magji, për të cilën tregon një muze lokal

Një kompozim skulpturor në fshatin е malit Rodopa - Shiroka Llëka lavdëron gajdexhinjtë dhe këngëtarët vendas, të famshëm në mbarë vendin dhe më gjerë. Quhet “Gajdexhiu”, dhe së fundmi në fshat u prezantua një roman me të njëjtin titull. Fshati..

botuar më 24-03-31 10.45.PD