Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Delegacionet e Shqipërisë dhe Kosovës në Seminarin “Roli i Parlamenteve në procesin e negociatave për anëtarësim në BE”

Foto: arkiv

Më 31 mars dhe 1 prill në Sofje u mbajt Seminari Ndërkombëtar me temë: “Roli i Parlamenteve Kombëtare në procesin e negociatave për anëtarësim në BE”. Në të morën pjesë delegacionet e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë, po ashtu përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Ky seminar organizohet në bashkëpunim me Parlamentin Evropian dhe Sekretariatin Rajonal për Bashkëpunim Parlamentar në Evropën Juglindore. Qëllimi i tij është të grumbullojë në një vend përfaqësuesit e parlamenteve të shteteve të cilat janë kandidate për aderim në BE, të shteteve të cilat presin të marrin statusin e vendit kandidat, ku përfshihet Shqipëria p.sh., dhe po ashtu  përfaqësuesit e vendeve të cilat i janë bashkuar familjes evropiane – të tilla janë Bullgaria, Greqia dhe Rumania. Seminari është i rëndësishëm sepse jep mundësi të ndahet përvoja si pozitive, ashtu dhe negative e procesit të negociatave, duke u theksuar roli i parlamenteve kombëtare, sepse shpeshherë roli prijës në një proces negociatash i takon qeverisë, negociatorit kryesor, ose ministrit të çështjeve evropiane.

Në seminarin u vë në dukje roli kryesor të cilin mund të luajnë parlamentet kombëtare në procesin e negociatave për aderim në BE. Ato jo vetëm kontribuojnë në transponimin e legjislacionit të BE-së në legjislacionin nacional dhe me harmonizimin e këtij të fundit me legjislacionin e BE-së, por gjithashtu edhe mund ta bëjnë procesin më të kuptueshëm për shoqërinë. Kështu që kjo e fundit të mos mbetet me përshtypje të gabuara se negociatat zhvillohen në dyer të mbyllur. Parlamentet evropiane mund të organizojnë diskutime të gjera rreth çështjeve dhe politikave të ndryshme lidhur p.sh. me zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e të drejtave sociale, me drejtësinë, rendin e brendshëm dhe luftimin e korrupsionit. Ky i fundit u theksua si një temë shumë e prekshme për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë lidhje seminari është shumë i rëndësishëm, sepse ka vite që seminar i tillë nuk është organizuar. Këto dy ditë parlamentarët si nga vendet anëtare, ashtu dhe nga vendet kandidate u njohën me njëri-tjetrin dhe u krijuan kontakte të cilat do të forcohen edhe më tej. Falë diskutimeve aktive secili nga përfaqësuesit nxori dobinë për veten e tij dhe pritet që ta aplikojë atë në vendin e tij. U dha shembulli me Islandën dhe Kroacinë ku u krahasua përvoja e tyre në procesin e negociatave për aderim në BE dhe u bë e qartë se mënyrat e zhvillimit të negociatave janë të shumta. “Nuk ka mënyrë ideale, tha znj. Denica Karaxhova, kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Kontrollin mbi fondet evropiane në Parlamentin e Bullgarisë. – Por jam e mendimit se nga kjo pikëpamje seminari është jashtëzakonisht i dobishëm, sepse ai tejkaloi anën teknike të negociatave dhe u diskutua konkretisht përvoja e vendeve në rrugëtimin drejt BE-së – si sukseset, ashtu dhe jo sukseset. Ne parlamentarët mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Unë dhe kolegët e mi filluam të bashkëpunojmë aktivisht me parlamentarët e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe besoj se përvoja jonë do të jetë e dobishme për ta”.

Znj. Karaxhova, çfarë do të thotë se ky seminar organizohet pikërisht në Bullgari?

Denica Karaxhova. Foto: parliament.bg“Për Bullgarinë bashkëpunimi me Evropën Juglindore është me rëndësi kyçe.  Bullgaria i kushton shumë prioritetit të zgjerimit të BE-së. Gjithmonë kemi qenë të mendimit se perspektiva evropiane është e vetmja perspektivë për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse nuk është mirë që në hartën e Evropës së bashkuar të duken disa shtete të vogla të Ballkanit, të izoluara si njollë. Vetëm përmes integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE ne do të arrijmë epërsinë e legjislacionit, do të luftojmë kundër korrupsionit, dhe do t’i japim shans brezit të ri. Sepse gjurmët e luftërave të viteve të 90-ta ende duken kur njeriu udhëton përmes Kosovës, p.sh., apo Bosnjë-Hercegovinës. Kështu që shumë e rëndësishme është që të rinjtë e Ballkanit Perëndimor të kenë përballë vetes perspektivë dhe kjo perspektivë të jetë e dukshme në të ardhme dhe mos jetë vetëm një iluzion. Ja pse ne plotësisht e përkrahim Ballkanin Perëndimor në anëtarësimin e BE-së. Na vjen mirë se Serbia i nisi negociatat. Shpresojmë se së shpejti edhe Shqipëria do të marrë datë për fillimin e procesit të negociatave. Për sa i përket Bosnjë-Hercegovinës, aty gjërat janë më të komplikuara dhe vetë politikanët duhet të bëjnë rrugën e drejtë për të marrë një datë të caktuar. Për Kosovën nuk mund të shprehem sepse nuk jam specialiste, por duhet ditur se Bullgaria gjithmonë ka përkrahur fqinjët e saj nga Ballkani Perëndimor. Të gjitha vendet mund të mbështeten te ne si partner, si shet anëtar i cili do t’i ndihmojë edhe më tej në këtë rrugëtim jo të lehtë.”

Znj. Karaxhova, a është nisur Shqipëria në rrugën e drejtë për në BE?

“Mendoj se qeveria e re në Shqipëri është i përkushtuar kauzës së bashkimit në familjen evropiane dhe reformimit të vendit kështu që ai t’u përgjigjet kërkesave të BE-së. Unë njoh mjaft ministra aktualë në Shqipëri, si dhe përfaqësues të komisioneve të ndryshme. Zonjën Arta Dade e kam shoqe të mirë. Gjatë vizitës së saj në Bullgari patëm mundësinë të diskutojmë hapat konkretë të cilët si Parlamenti ashtu dhe qeveria ndërmerr në  përgatitjen për startimin e procesit të negociatave. Shqipëria bëri një rrugë të gjatë. Vitin e kaluar u zhvilluan zgjedhje demokratike të cilat u pranuan nga të gjitha partitë, siç e dini jo e njëjta gjë ndodhi me ish-zgjedhjet parlamentare. U arrit në formimin e qeverisë koalicioni dhe u gjet bilanci midis forcave politike, ka ndarja e pushtetit  për sa i përket përfaqësimittë partive politike. Kështu që Shqipëria mori provimin e parë në këtë proces me notë të mirë. Shqipërisë, qeverisë së Edi Ramës dhe parlamentarëve uroj suksese në rrugëtimin drejt BE-së dhe do t’i rekomandoja ata që në këtë rrugëtim të përfshijnë sa më shumë përfaqësues të opozitës, të sektorit joqeveritar, akademikët, pedagogët e universiteteve, studentët. Dhe çdo shtetas shqiptar duhet të ndiejë se jep kontributin e vetë në procesin e integrimit. Kuptohet se ka shumë sfida sidomos në hapat e parë, por përvoja e shteteve të anëtarësuara tregon se sfidat më të mëdha hasen pas aderimit në BE. Nuk duhet të kemi pritje të tepërta nga BE-ja, ky është gabim. Shtetësi shqiptar nuk duhet të presë mrekulli që ditën e parë të anëtarësimit. Nuk do të rrjedhin lumenj parash, ekonomia nuk do të lulëzohet shpejt, as menjëherë do të rritet paga minimale dhe të ardhurat. Ky është një proces shumë i gjatë. Me rëndësi është se shqiptarët do të ndiejnë në forma të ndryshme solidaritetin e BE-së për sa i përket p.sh. parave të cilat BE-ja do të japë në reformimin e shtetit, në përmirësimin e infrastrukturës, në qasjen tek programet e këmbimit të studentëve si Erazmus. Në vend të parë shtetasit shqiptarë duhen në jenë realistë, të mos e humbasin besimin në BE. Sot Evropa është rrezikuar, sepse shumë njerëz ndihen të zhgënjyer nga vizioni aktual i BE-së. Dhe më e rëndësishmja është që të marrin pjesë aktive në këtë proces dhe të mos rrinë anash si mbikëqyrës. Dhe kjo është sfida e madhe për politikanët shqiptarë – të angazhojnë maksimalisht shoqërinë civile dhe ta ftojnë atë në tavolinën e negociatave, pra procesi i anëtarësimit të jetë maksimalisht transparent.”

Një nga përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë ishte znj. Vasilika Hysi (anëtare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut në Parlamentin e Shqipërisë).

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës me përfaqësues të Grupit Parlamentar të Miqësisë Bullgari-Kosovë. Foto:assembly-kosova.org
Në seminarin Republika e Kosovës gjithashtu u përfaqësua nga një delegacion i Kuvendit. Gjatë vizitës së tij në Sofje delegacioni pati takim me Grupin Parlamentar të Miqësisë Bullgari-Kosovë, kryesuar nga z. Georgi Andonov. Ai theksoi marrëdhëniet e mira mes të dy vendeve.

Më shumë rreth këtij seminarit do të mësoni nga intervista me Xhavit Halitin (nënkryetar i Kuvendit dhe nënkryetar i Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës) dhe Hydajet Hysen– Kaloshin (nënkryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës).





Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Votimi jashtë vendit nuk solli ndonjë surprizë të madhe

Një parlament edhe më shumëngjyrësh u përvijua nga vota e zgjedhësve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 tetorit. Parashikimet fillestare ishin për një Kuvend Popullor me 9 parti, por rezultatet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)..

botuar më 24-10-30 8.10.PD

Situata pas votimit: pritshmëria për një qeveri, pavarësisht fragmentimit edhe më të madh të parlamentit

Një tjetër zgjedhje e parakohshme është tashmë pas nesh, por përtej pjesëmarrjes paksa të rritur të votuesve, krahasuar me votat e qershorit të këtij viti, është ende e vështirë të parashikohen konfigurimet politike që do t'i japin një shans formimit..

botuar më 24-10-28 3.39.MD
Radostin Vasilev

Cila është partia MEÇ?

Partia MEÇ, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare, do të jetë lojtari i ri në parlament. Shkurtesa MEÇ vjen nga fjalët bullgare moral, edinstvo, çest (morali, uniteti, nderi). Partia u themelua në tetor 2023 nga avokati,..

botuar më 24-10-27 11.21.MD