Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

2014-ta – një vit shumë i suksesshëm për qitjen sportive bullgare

БНР Новини
Foto: BGNES

Viti 2014 ishte shumë i suksesshëm për qitjen bullgare. I tillë është bilanci i Bashkimit të Qitësve Bullgarë, me kryetare Maria Grozdeva – kampione e dyfishtë olimpike, disa herë kampione evropiane dhe qitëse aktive. Përveç turneve tradicionalë për kupën botërore dhe Kampionatit Evropian, sivjet në Spanjë u zhvillua dhe Kampionati Botëror, i cili në qitje zhvillohet një herë në katër vjet. Qitësi i ri Samuill Donkov fitoi kuotën e parë për Bullgarinë për Olimpiadën në Rio de Zhanejro gjatë vitit 2016, duke zënë vendin e tetë për qitje në 10 metra me pistoletë në Kampionatin Botëror. Shpresa e Bullgarisë Anton Rizov përfundoi në vendin e gjashtë në disiplinën qitje me pushkë në 10 metra në Kampionatin Evropian në Moskë. Kampionia e Lojërave Olimpike për të Rinj në Nanxhing, Lidia Nençeva i siguroi Bullgarisë një medalje të bronztë te të rejat në qitjen në 25 metra me pistoletë në Kampionatin Botëror për të Rinj dhe të Reja në Spanjë. Edhe Aleksandër Todorov, i cili filloi stërvitje para pak kohe, tregoi rezultate të mira te adoleshentët: një medalje e bronztë në Kampionatin Evropian në Moskë, vend i katërt në Olimpiadën në Nanxhing, vend i pestë në Kampionatin Botëror.

Ja dhe vlerësimi i Maria Grozdevës për vitin e kaluar: “Jam shumë e lumtur se tashmë kemi një kuotë olimpike. Do të bëjmë gjithçka, që varet nga ne, për përgatitjen e mirë të Samuill Donkovit të talentuar për olimpiadën – na premton Maria Grozdeva. – Shpresoj se do të fitojmë akoma kuota. Ky vit në përgjithësi ishte shumë i suksesshëm për Bashkimin e Qitësve Bullgarë. Antoaneta Boneva fitoi tri medalje nga kupat botërore. Në qoftë se ishte e gjashta, do të kishte një kuotë. Por kemi akoma shanse – gjatë vitit 2015 ka kupa botërore dhe një kampionat evropian, ku do të jepen akoma kuota. Shpresoj se do të marrim të paktën 4-5 kuota.”

“Kam fuqitë dhe mundësinë të dëgjoj himnin tonë” – tregon Samuill Donkov për pritjet e tij nga Rio-2016, kurse Maria Grozdeva shton: “Desha të them për suksesin e madh të Samuill Donkovit. Ky djalë nuk mund t’i përkushtohet krejtësisht qitjes. Ai stërvitet maksimalisht 2-3 herë në javë, sepse është i detyruar të punojë si marangoz në një shtëpi mobiliesh – kjo është një punë e rëndë, e cila i ngarkon mjaftë duart e tij. Do të bëjmë përpjekje që ai të fillojë punë në ushtri, që të mund t’u përkushtohet krejtësisht stërvitjeve. Ky djalë arriti një sukses të madh, sepse me kaq pak stërvitje arriti një sukses të madh dhe tregoi se është një talent i madh, pasi arriti të shkojë te meshkujt në finalet e Kampionatit Botëror.”

Veselin Petkov, trajneri i qitësit të suksesshëm bullgar Anton Rizov, thotë se një nga problemet në këtë sport janë mungesa e bazave për stërvitje dhe pamundësia për t’u stërvitur me tabela bashkëkohore elektronike të qitjes.

“Nuk mund të ketë një përgatitje normale pa tabela elektronike të qitjes. Sidomos për finalet – nënvizon Dimitër Todorov, drejtor sportiv i Bashkimit të Qitësve Bullgarë. – Në qoftë se Samuill kishte mundësi për t’u stërvitur të paktën një muaj me tabela elektronike të qitjes për finalet, ndoshta, duke pasur parasysh aftësitë e tij, ai do të fitonte medalje në Kampionatin Botëror.”

Problemi lidhur me tabelat elektronike të qitjes u krijua pasi Federata Bullgare e Qitjes Sportive, me kryetar Kamen Shishmanov, ishte përjashtuar nga Komiteti Olimpik Bullgar dhe në vend të saj u pranua Bashkimi i Qitësve Bullgarë i Maria Grozdevës. Mirëpo, tabelat elektronike të qitjes, të blera me mjete shtetërore, mbetën nën katinarin e Federatës. “Jemi duke bërë përpjekje para Ministrit të Sportit për blerjen e tabelave të reja elektronike të qitjes për 100-150 mijë euro, që të mund të punojmë. Në të njëjtën kohë ka 90 tabela të tilla të qitjes, të blera nga shteti, të cilat janë të mbyllura në Federatën Bullgare të Qitjes Sportive. Atje së pari na kërkuan një qira prej 5 300 eurosh, që t’i përdorim për një muaj e gjysmë për përgatitjen për Kampionatin Botëror, por pas kësaj hoqën dorë, sepse nuk kanë të drejtën e veprimtarisë tregtare” – na thotë Valeri Grigorov, trajner personal dhe bashkëshorti i Maria Grozdevës. Shpresojmë se shteti nuk do të durojë më shumë këtë dhe do të marrë pjesë në zgjidhjen e konfliktit në emër të zhvillimit të sportit bullgar. Gjithashtu shpresojmë se qitësit e rinj do të kenë mundësinë për të treguar se brezi i artë i qitjes bullgare – kampionët e dyfishtë olimpikë Tanjo Kirjakov dhe Maria Grozdeva, kanë trashëgimtarë të denjë.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një konkurs ndërkombëtar i dronëve po zhvillohet në Varna

FAI 2024 po mbahet me mbështetjen e Bashkisë së Varnës në datat 20 dhe 21 korrik në zonën pranë fushave të lojës të parkut l pranë Asparuhovës. Ndër pjesëmarrësit janë pilotë drone nga Bullgaria, Rumania, Serbia, Turqia, Letonia, Polonia, Italia,..

botuar më 24-07-21 7.30.PD

11 atletë е përfaqësojnë Bullgarinë në Lisbonë, në Lojërat Evropiane të Personave me Transplantime

Më 21 korrik hapet në Lisbonë Kampionati Evropian për Persona të Transplantuar dhe Dializuar. Deri më 28 korrik, përfaqësues nga 28 vende do të festojnë fitoren e jetës mbi vdekjen, sepse një "po" mund të shpëtojë deri në tetë jetë njerëzish...

botuar më 24-07-19 6.15.PD

Presidenti dekoroi kampionet evropiane të volejbollit nga Brukseli

Kreu i shtetit Rumen Radev dekoroi Kombëtaren Bullgare të Volejbollit për femra nën 18 vjeç me Pllakë Nderi të Presidentit. Çmimi është për meritat e shquara në zhvillimin e sportit bullgar dhe fitimin e vendit të parë në Kampionatin Evropian të..

botuar më 24-07-17 12.07.MD