Rreth speleologëve bullgarë gjithmonë ka risi. Novitetet edhe këtë herë nuk janë pak. Para disa ditësh Aleksej Zhallov u kthye nga ekspedita e radhës speleologjike në Shqipëri, kurse një muaj më herët ai mori pjesë në një studim ndërkombëtar të shpellave artificiale në rrjedhën e lumit Efrat në Turqi. Që prej shumë vitesh ai është zëvendëskryetar i Federatës Bullgare të Speleologjisë, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Speleologjisë, kryetar i Bashkimit Ballkanik të Speleologëve, anëtar i Komisionit për Ruajtjen e Shpellave pranë Federatës Evropiane të Speleologjisë dhe i komisioneve për trajnim dhe bibliografi të Bashkimit Ndërkombëtar të Speleologjisë pranë UNESKO-s. Është autor i 9 librave. Ja se çfarë na tregoi Aleksej Zhallov për Shoqatën e porsakrijuar Bullgare të Speleologëve:
“Kjo është një ide e re. E themeluam më 28 mars të këtij viti. Një grup njerëzish, mjaftë aktivë, vendosëm ta krijojmë një shoqatë kombëtare, e cila të përvijojë një drejtim të ri në studimin e shpellave. Shoqata është bazuar mbi dy parime – anëtarësimi individual i speleologëve dhe anëtarësimi në klubet speleologjike. Tani ende jemi në një moshë të re – vetëm katër muaj. Përpiqemi ta organizojmë veprimtarinë tonë nëpërmjet krijimit të komisioneve dhe organizimit të ekspeditave. Tashmë zhvilluam disa studime në Bullgari, morëm pjesë edhe në disa aktivitete jashtë vendit, si për shembull në një kongres në Romë për shpellat artificiale. Pritet një aksion, i organizuar nga kolegët nga klubi speleologjik “Prista” – Ruse për pastrimin e ishujve në lumin Danub, në të cilin do të përfshihemi, duke gërshetuar të dobishmen me të këndshmen. Afër qytetit Ruse ka rreth dhjetë shpella në bregun e lumit, deri në të cilat do të arrijmë me varka dhe do t’i studiojmë. Kemi planifikuar një studim më 2 gusht, ku do të përpiqemi të ripohojmë nëse vërtetë ka lidhje midis dy shpellave të dislokuara shumë afër njëra me tjetrën. Në qoftë se arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë do të formohet një sistem prej 5 kilometrash – diçka e re në sfondin e të dhënave të tanishme për shpellat në Bullgari. Ende nuk jemi mjaftë njerëz, që të mund t’i realizojmë të gjitha idetë tona, por shpresojmë se do të tërheqim gjithnjë e më shumë anëtarë” – na tregoi Aleksej Zhallov.
Dhe kjo nuk është gjithçka. Gjatë muajit shtator gjashtë përfaqësues të shoqatës do të marrin pjesë në një ekspeditë në Iran, kurse në Bullgari janë ftuar 6 speleologë nga Kina. Aktualisht Shoqata Bullgare e Speleologëve është duke përgatitur një Memorandum për Bashkëpunim me muzeun “Toka dhe Njerëzit”. Ideja është që atje të krijohet një bibliotekë kombëtare speleologjike. Jo në vend të fundit anëtarët e Shoqërisë janë duke punuar aktivisht mbi një ligj për shpellat, për të cilin flitet tashmë 10 vjet, por pa rezultat. Mirëpo, derisa të përpunohet një ligj adekuat, shumë shpella bullgare do të vazhdojnë të prishen dhe nuk do të ketë fajtorë për këtë.
Ja se çfarë na tregoi Aleksej Zhallov për iniciativat e speleologëve ballkanikë:
“Aktiviteti kryesor i këtij bashkimi është Tubimi Ballkanik i Speleologëve. Sivjet do të zhvillohet edicioni i tij i dhjetë. Aktualisht atje bëjnë pjesë 9 shtete, tani për tani nuk janë aderuar vetëm Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. Me ide të speleologëve grekë është duke u organizuar një grup për studimin e shpellave në Ballkan, të cilat përbëjnë objekte arkeologjike. U përfshinë pothuaj të gjitha vendet ballkanike. Tashmë ka dhe një sajt dhe çdo një vend i veçantë jep informacion. Qëllimi është që të formohet një bazë e konsiderueshme të dhënash për këto objekte. Kur të ketë ngjarje të mëdha speleologjike në vendet e ndryshme ballkanike, organizatorët i ftojnë kolegët e tyre fqinj. Kështu gjatë gushtit dhe shtatorit në Pirin në cirkusin Banski Suhodoll do të ketë një ekspeditë me pjesëmarrjen e speleologëve nga Greqia dhe Serbia. Ndërkaq, disa bullgarë do të vizitojnë ishullin Kretë, ku do të studiohet një prej greminave më të thella atje – rreth 800 metra. Përveç speleologëve bullgarë dhe atyre grekë, do të marrin pjesë edhe speleologë turq.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografitë janë nga arkivi personal i Aleksej Zhallovit
Më 17 janar, Kisha jonë Ortodokse përkujton Shën Antoni i Madh - një mbrojtës i zellshëm i krishterimit. Në moshë të shtyrë, ai mori pjesë në luftën e kishës kundër herezisë ariane, duke hyrë në Aleksandri në mosmarrëveshje të hapur me heretikët dhe..
Tema e cilësisë në arsimin parashkollor dhe arsimin bazë është kyçe për Bullgarinë, por Ligji për arsimin parashkollor dhe arsimin bazë nuk ka një standard të zhvilluar të cilësisë. Krijimi i tij është detyrë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe..
Mbledhja e akademikëve dhe anëtarëve korrespondentë të Akademisë Bullgare të Shkencave, e cila bashkon të gjithë anëtarët nga drejtimet shkencore dhe krijuese të Akademisë, miratoi një deklaratë në mbështetje të Kishës Ortodokse Bullgare - Patrikanës..
Pas afro 80 vjetësh, në Bullgari u formua një koloni e re fole e pelikanit të rrezikuar dalmat. Zogjtë pushtuan ishujt artificialë të ndërtuar nga..
Në vitin 2024 ka 16 268 bullgarë të rinj, sipas raportit të komisionit nën nënpresidenten Ilijana Jotova për vitin e kaluar. Pra, për herë të parë në 4 vitet..