Rrugët e Sofjes janë plot lule dhe madje fytyrat e vrenjtura të shitësve nuk e prishin atmosferën festive. Nxënësit shkojnë në shkollë me lule në dorë, burrat e moshave të ndryshme hedhin shikim te lulet, kurse shumë gra kanë bërë më shumë përpjekje, që të duken mirë ditën e sotme. 8 marsi është Dita e Gruas dhe Dita e Nënës. Deri tani trotuaret ishin të bardha dhe të kuqe për shkak të veroreve, kurse sot rrugët janë më të ngjyrshme. Bëjnë përshtypje buzëqeshjet e njerëzve, por ka edhe shumë njerëz indiferentë. Që të marrim një përfytyrim më të mirë për qëndrimin e bullgarëve ndaj kësaj feste, ju ofrojmë anketën tonë. Po fillojmë me mendimin e Ronit, e cila sivjet punon si luleshitëse, në ndihmë të disa miqve të saj:
“Vetëm dy meshkuj blenë lule. Zakonisht blerësit janë gra – ato blejnë lule për mësueset dhe për vetveten. Unë desha të marr ndonjë dhuratë jomateriale, ndonjë emocion, diçka, që do të më sjellë gëzim” – thotë ajo dhe shton – “I mposhtëm burrat. Shumica e grave të fuqishme janë të vetme. Burrat sikur humbën personalitetin e vet. Kam ndjenjën se ata nuk kanë dëshirë për të dhuruar lule, sepse nuk e dinë se si do ta reagojë gruaja. Ata mendojnë se ajo mund të ofendohet, duke menduar se burrat e konsiderojnë si të dobët.” Roni e përkrah këtë festë. Asaj i bën përshtypje se meshkujt janë duke kërkuar dhuratën më të lirë dhe më të leverdishme.
Antoaneta Nikollova na tregoi se si e kanë shënuar festën gjatë socializmit:
“Atëherë të gjithë burrat dhuronin lule. Sidomos në vendin e punës, kryesisht shefat. Na grumbullonin, që të na përshëndesin, na jepnin lule, largoheshim më herët nga puna. Programi televiziv i ishte kushtuar festës gjatë tërë ditës. Kishte atmosferë festive.”
Rosina ishte më lakonike, por shumë e qartë:
“Një gjest i thjeshtë është i mjaftueshëm, madje një lule e vogël, ose ... mëngjesi në shtrat si shenjë butësie.”
Ish mësuesja Magdalina Zaharieva na dha një përgjigje shumë interesante:
“Kjo është një datë kalendarike, kurse fakti se është shpallur Dita e Gruas nuk është diçka e keqe, por gruaja duhet të respektohet vazhdimisht. Festimi njëditor dhe ofendimet pas kësaj nuk janë në rregull. Burri bullgar nuk e di se çfarë do të thotë të jesh gentlemen. Nuk është e rastit se bullgaret i admirojnë të huajit. Atje, ku ka respekt, ka edhe familje. Aktualisht pothuaj nuk ka familje. Mirëpo, po të mos ekzistojë qeliza e vogël, nuk do të ketë edhe organe, nuk do të ketë shtet. Gjithçka është në një lidhje të ndërsjellë.”
Vasko Zhekov është redaktor në një gazetë, aktor, shkrimtar dhe anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve Bullgarë. Ja se si e komentoi ai temën:
“Në qoftë se nuk ekziston nëna dhe gruaja, nuk do të ekzistojë edhe bota. Festa nuk është as komuniste, as ideologjike. Zbukurimi i saj politik e prishi festën e bukur. Duhet të ketë respekt çdo ditë. Jeta e vështirë na bën për të hedhur poshtë gjithçka dhe jo të gëzohemi. Festa duhet të mbetet për gjithmonë. Në festë jeton shpirti i njeriut, kurse në ditën e përditshme – aftësitë e tij të punës.”
Mendimet ishin të ndryshme, por mësuam dy gjëra kryesore nga sofjanasit e anketuar – se respekti ndaj gruas dhe nënës duhet të jetë çdo ditë dhe jo vetëm një ditë të veçantë dhe se pavarësia e grave në shoqërinë bullgare është kaq e madhe se shprehja “seksi i dobët” tashmë e ka humbur kuptimin e vet. Sipas opinionit publik, gratë po dalin nga roli i zonjës së shtëpisë, që të bëhen seksi dominues, duke i shtyrë burrat mënjanë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Lluiza Llazarova
Rezultatet e referendumit për anëtarësimin e Moldavisë në BE, si një qëllim strategjik për t'u shkruar në kushtetutën e vendit, përforcuan pikëpamjen pro-evropiane të vendit, edhe pse me një dallim shumë të vogël nga euroskeptikët. Mirëpo, pritet..
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez në Bullgari, në partneritet me Institutin Polar Francez "Paul-Emile Victor", Institutin Antarktik Bullgar, Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski" dhe Televizionin Kombëtar Bullgar organizojnë një takim..
Bullgarët e Besarabisë janë "pjesë e pandashme e fuqisë kombëtare bullgare, e bashkësisë shpirtërore dhe kulturore bullgare. Ata do të mbeten sepse lidhja mes nesh dhe tyre është e pathyeshme" - shkroi numri i vetëm i gazetës "Besarabia Bullgare",..