“Sandacite.bg” është një projekt online i tipit “muze virtual”, kushtuar teknikës së vjetër bullgare. U krijua në vitin 2007 nga Anton Orush. Atje nëpërmjet fotografive të ndryshme, informacionit tekstual dhe të dhënave të tjera paraqiten shpikje të ndryshme bullgare, të prodhuara gjatë viteve të kaluara. Anton koleksionon teknikë të tillë që nga viti 2003 e këtej dhe tashmë ka grumbulluar shumë informacion dhe dituri për shpikjet më të rëndësishme bullgare nga e kaluara.
“Sateliti bullgar “Interkozmos 22”, ose “Bullgaria 1300”, siç quhet gjithashtu, u lëshua më 7 gusht të vitit 1981. Ai është projektuar për të punuar në një lartësi nga 825 deri në 906 km dhe peshon një ton e gjysmë. Sateliti është krijuar në Bullgari mbi bazën e sateliteve sovjetike “Meteor”. Të gjitha instrumentet e tij shkencore janë përpunuar në Bullgari. Ato janë destinuar për studimet shkencore në Kozmos. Ka dy panele diellore për mbushjen e aparaturës me energji, çdo një prej të cilëve gjeneron 2 kW energji. Sateliti është rezultat i bashkëpunimit tekniko-shkencor midis Bullgarisë dhe ish Bashkimit Sovjetik. Në të kaluarën mendohej se ai ka djegur dhe nuk mund të gjendet. Por para pak kohe u kuptua se ai ende lëviz rreth Tokës.”
Në vitin 1981 u shënua përvjetori i 1300 i Bullgarisë. Kjo u bë shkas për fillimin e projekteve të mëdha teknike – nga krijimi i aparaturës profesionale dhe shkencore deri në krijimin e teknikës së re për shtëpi. Nuk është e rastit se televizori i parë bullgar me ngjyra “Sofja 81” u krijua pikërisht atëherë. Në kuadrin e Këshillit të dikurshëm të Ndihmës Ekonomike Reciproke (KNER) Bullgaria u specializua në fushën e teknikës llogaritëse dhe në Sofje përpunoheshin në atë kohë makina elektronike, të cilat eksportoheshin për në Afrikë dhe Indi.
“Më të njohurat prej tyre janë ES 1021, IZOT 310. Kishte nevojë për një dhomë, ku të vendosen të gjitha pjesët e tyre. Çdo një prej vendeve në kuadrin e KNER-it ka marrë pjesë në projekte. Në Bullgari prodhoheshin disqe të ngurta. Kulmi ishte në vitet 70 dhe 80 të shekullit të XX. Për zbatimin e detyrimeve në kuadrin e KNER-it gjatë vitit 1969 dhe gjatë 1970-ës u ndërtuan shtatë uzina në kuadrin e Bashkimit Ekonomik Shtetëror IZOT – teknikë llogaritëse, incizuese dhe organizative. Kishte uzina për mekanizma të ruajtjes së kujtesës në Veliko Tërnovo dhe Plovdiv. Uzina për pajisje jostandarde ishte në Shumen, ajo për pllaka shtypëse – në Ruse, për pajisje periferike – në Stara Zagora, për koka magnetike – në Razllog dhe uzina “Mehatronika” në Gabrovo. “Kapedani” ishte uzina për teknikë llogaritëse në Sofje. Makina e parë llogaritëse bullgare ishte ZIT – 151. Ajo është prodhuar sipas licencës së Fujitsu Facom 230-30. Tërë seria IZOT përbën një sistem unik, të standardizuar nga makinat elektronike llogaritëse të moduleve, të cilat përdoreshin në kuadrin e Bllokut Lindor. Disa prej tyre janë krijuar mbi bazën e makinave të ngjashme, të cilat në atë kohë ishin më moderne – të atyre të firmës IBM. Ato përdoreshin në kuadrin e praktikës shkencore, laboratorike dhe ekonomike. Vetëm hard disku i këtyre makinave peshon 100-200 kg.”
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX në Bullgari prodhoheshin jo pak televizorë dhe radio-aparate. Kjo shkaktoi nevojën për një pajisje më të përshtatshme. Me këtë detyrë u ngarkua uzina “Elektronika” në Sofje në mes të viteve 60. Atje u përpunua dhe prodhohej një seri e tërësishme prej pajisjesh matëse transportuese. Në dallim të këtij lloji të teknikës, i cili prodhohej në shumë vende, i vetëm i këtij lloji ishte automobili “Ballkan 120”:
“Ai u përpunua në vitin 1960 në uzinën “Ballkan” në Lloveç sipas modelit të automobilit VW. U krijua një kopje e një motori funksionues origjinal. Sa i madh ishte automobili, kaq të mëdha ishin edhe skicat e të gjitha elementeve të tij. Mbi bazën e tyre u përgatit një shabllon prej druri, kurse pas kësaj u punua një maket prej druri. Etapa e fundit e punës ishte lidhur me prerjen e modelit prej druri në pjesë të veçanta. Mbi këto pjesë përpunoheshin elementet prej metali për format e jashtme të karrocerisë. Përgatitja e komponentëve të veçantë të karrocerisë prej një llamarine prej fletësh të holla ishte me dorë me ndihmën e çekiçëve prej druri mbi jastëkë prej lëkure, plotë rërë. Atëherë pothuaj nuk kanë pasur teknikë profesionale, me të cilën të prodhojnë karroceri të tilla, por janë përpjekur për të bërë gjithçka me dorë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Instituti për Studime Kozmike dhe Teknologji pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, arkiv personal i Anton Orushit dhe sandacite.bg
Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator, poet, fejtonist, kritik i letërsisë. Ljuben Karavelllovi ishte dhe udhëheqës i Lëvizjes Çlirimtare..
Statuja e parë prej mermeri e zbuluar më 3 korrik në qytetin antik Heraklea Sinthika është ndoshta e nipit të perandorit romak Oktavian Avgust - Lucij, njoftoi udhëheqësi i gërmimeve, Prof. Ljudmill Vagalinski. “Nuk ka dyshim se statuja është nga..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës së Djallit ndodhet kodra Srednobërdie. Aty lumi Vedena derdhet në lumin Iskër dhe malet Lozen dhe..