Sot Katedralja patriarkale “Shën Aleksandër Nevski” kremton ditën e mbrojtësit të vet Shën Princ Aleksandër Nevski”. Shenjtori, pjesë prej eshtrave të të cilit ruhen në katedrale, ka qenë frymëzues i ushtarëve rusë në luftën ruso-turke të viteve 1877-1878. Kjo luftë është çlirimtare për popullin tonë. Për këtë arsye, në shenjë falënderimi u ndërtua kjo katedrale.
Vendimi për ndërtimin e saj është marrë nga Kuvendi i parë bullgar, i thirrur në qytetin Veliko Tërnovo në vitin 1879. Pasi princi i atëhershëm bullgar Aleksandër Batenberg bëri thirrje popullit bullgar, filloi grumbullimi i mjeteve për ndërtim. Dhurimi nga tërë shteti arriti shifrën e madhe 1 900 000 leva. Themelet e katedrales u vënë në vitin 1889. Mirëpo përpunimi i projektit për ndërtim kushtoi shumë kohë dhe punimet e ndërtimit filluan në vitin 1904 nën udhëheqjen e arkitektit të shquar rus Aleksandër Pomerancev. Tetë vjet vazhdoi ndërtimi dhe në të morën pjesë shumë mjeshtër bullgarë dhe të huaj. Në vizatimin e afreskeve morën pjesë 36 piktorë bullgarë dhe rusë, në krye me piktorin e madh çek Ivan Mërkviçka. Amvona e kishës, froni i peshkopit, froni i mbretit dhe pllakat për tërë sipërfaqen e brendshme janë prej mermeri, alabastri dhe oniksi në stil bizantin. Mjeshtër italianë dhe bullgarë bënë shtresën e sipërme të mureve të jashtme të godinës, kurse ornamentet e fasadës janë vepër e skulptorit Vilem Glos. Në ndërtim dhe zbukurim mori pjesë në mënyrë aktive arkitekti bullgar me famë botërore Jordan Millanov. Në katin e nëndheshëm janë mbledhur veprat më të vlefshme të ikonografisë bullgare. Tërë hapësira nëntokësore të ndërtesës tani përdoret nga Galeria Kombëtare e Arteve Figurative dhe atje janë ekspozuar veprat e artit të vjetër bullgar.
Pak janë njerëzit, të cilët dinë se në vitet 1915-1920 katedralja ka pasur një emër tjetër. Në kohën e Luftës së Parë Botërore Bullgaria mori pjesë në konfliktin botëror në anën e Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë kundër Rusisë. Në tetor të vitit 1950 avionët rusë bombarduan qytetin detar bullgar Varna. Përgjigja e mbretit bullgar Ferdinand erdhi me heqjen e menjëhershme të të gjitha shenjave të respektit dhe të nderit ndaj popullit rus. Prandaj në periudhën e shënuar Katedralja mbante emrin e Shenjtorëve Kiril dhe Metodij. Katër vjet më vonë – më 1924 tempulli u shenjtërua.
Sot katedralja ka nevojë për restaurim urgjent. Mungesa e dokumenteve për pronë ishte një pengesë e madhe para Sinodit të Shenjtë dhe për këtë arsye ai nuk ka kërkuar subvencione evropiane për restaurim. Me vendim të qeverisë teknike në vitin 2014 Patriku Neofit mori dokumentin noterial për pronësi nga kryeministri Georgi Bliznashki.
Çfarë është gjendja aktuale e Katedrales më të madhe në Ballkan, na tregoi Arkimandriti Gerasim:
“Problemi më i madh sot është gjendja e afreskeve. Në shumë vende, kryesisht në pjesën jugore të ndërtesës ato duken shumë keq. Kanë nevojë për pastrim dhe restaurim – diçka që kushton shumë kohë dhe para. Duhet të bëhet projekt për këtë restaurim. Në këtë etapë shumë janë njerëzit që janë angazhuar me këtë çështje dhe për këtë arsye besoj se Katedralja do të rikthejë shkëlqimin e saj të mëparshëm.”
Tani pronari zyrtar i Katedrales është Kisha Ortodokse Bullgare, por ajo s’ka mjaft mjete për mirëmbajtjen e saj të duhur. Më parë nga qeveria e tanishme janë kërkuar 400 mijë euro për fillimin e punimeve të restaurimit. Këto mjete akoma nuk janë lëshuar dhe restaurimi është pezulluar. Këtu duhet të përmendim se në vitin 2009 katedralja mori dhurimin e saj më të madh në historinë e saj – 35700 leva nga asketi i moshuar gjyshi Dobri nga fshati Bajllovo. Në vitin 2014 gazetari Goran Bllagoev dhe producenti Najo Ticin prezantuan filmin e tyre “Zemra e artë e Sofjes”. Mjetet nga shitja e tij ishin parashikuar për restaurimin e tempullit.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Fotografi: Bulfoto
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës së Djallit ndodhet kodra Srednobërdie. Aty lumi Vedena derdhet në lumin Iskër dhe malet Lozen dhe..
Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..
Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..