Kryeqyteti bullgar Sofja ishte mikpritës i një mbledhjeje joformale të ministrave të energjetikës nga Bashkimi Evropian. Ajo u zhvillua në kuadrin e Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së dhe kaloi nën moton “Energji e pastër për të gjithë evropianët”. Në kuadrin e forumit u shqyrtua pakoja e rëndësishme e dosjeve kushtuar energjisë së pastër, e cila përfshin direktivat për efikasitetin energjetik dhe burimet ripërtëritëse energjetike.
Eurokomisionari për klimën dhe energjetikën Migel Arias Kanete deklaroi se pas disa vitesh energjia e prodhuar nga burimet ripërtëritëse energjetike do të jetë e konkurrueshme në treg dhe kjo do ta bëjë energjinë elektrike më efektive. Ai shtoi se ka nevojë për rregulla më të rrepta të lidhura me emisionet e karbonit, që lëshohen nga centralet e qymyrit. Ata do të mbeten pa subvencion shtetëror në qoftë se emisionet e tyre të karbonit tejkalojnë 250 gramë për kilovatë orë. Energjia bërthamore është një resurs, i cili mund të përdoret pa problem nga shtetet-anëtare, por duhet të garantohet siguria e qytetarëve dhe vendet duhet të zbatojnë strikt detyrat e tyre të direktivës lidhur me ruajtjen dhe asgjësimin e mbeturinave bërthamore, deklaroi komisionari evropian.
Pritet që gjatë muajit nëntor të paraqitet strategjia evropiane për dekarbonizimin në Bashkim deri në vitin 2050.
Sa u përket sfidave, me të cilat ndeshet Ballkani Perëndimor në rrugën drejt një tregu liberal dhe të diversifikuar energjetik, eurokomisionari Kanete është i mendimit se:
”Shtylla më e rëndësishme e bashkëpunimit tonë duhet të jetë korniza juridike dhe institucionale, e cila do të arrihet vetëm me vazhdimin e afrimit midis legjislacionit të Ballkanit Perëndimor dhe legjislacionit energjetik. Këto qëllime nuk mund të arrihen, pa pasur parasysh tranzicionin energjetik në nivel kombëtar dhe regjional. Që të vëzhgohet përparim sa i përket bashkimit energjetik, ka nevojë për krijimin e strukturave të forta udhëheqëse. Me ndihmën e tyre do të ecim drejt një sistemi më të sigurt dhe të qëndrueshëm evropian.”
Gjatë debatit në Sofje ministrat shqyrtuan se çfarë të jetë roli këtej e tutje i Agjencisë për bashkëpunim mes rregullatorëve energjetikë. Vendimi nëse ajo të ruajë kompetencat e veta apo të marrë kompetenca të reja, duhet të merret deri në fund të qershorit.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Nga 2 janari, Banka Kombëtare Bullgare (BNB) hedh në qarkullim monedha përkujtimore ari me temë "Virgjëresha Mari - Molla e Artë". Monedhat kanë prerje 10, 20, 50 dhe 100 leva (përkatësisht afro 5, 10, 25 dhe 50 euro), pa një tirazh konkret, njoftoi BNB...
Komisioni për Rregullimin e Energjisë dhe Ujit miratoi çmimin e gazit natyror për muajin janar me vlerë 81,94 leva/MWh, pa taksat. Pavarësisht se çmimi i miratuar prej 81,94 levash (rreth 40.97 euro)/MWh është më i lartë se çmimi për dhjetorin me 7,97%, ai..
Treguesi i përgjithshëm i klimës së biznesit u rrit në dhjetor me 1.7 pikë nga 17 për qind në 18.7 për qind krahasuar me muajin nëntor. Rritje e treguesit është vërejtur në industri me 1.9 pikë, në tregtinë me pakicë me 5.7 pikë dhe në sektorin e shërbimeve..