Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Lëvizja speleologjike në Bullgari feston 90 vjetorin e vet

Fillimi i studimeve të shpellave në Bullgari është vënë para rreth 100 vitesh. Studimet e para të faunës së shpellave janë bërë nga akademiku Ivan Buresh gjatë vitit 1922 si drejtor i Muzeut Mbretëror në atë kohë. Si ditëlindje e speleologjisë kombëtare konsiderohet data 18 mars 1929, kur u themelua Shoqata e parë Speleologjike me 31 anëtarë. Që nga atëherë speleologjia filloi të zhvillohet në të gjitha drejtimet e saj – ka studime arkeologjike dhe gjeodezike. Shumica e shpellave përshkruhen dhe hartografohen.

Gjatë vitit 1965 Bullgaria u bë bashkëthemeluese e Bashkimit Ndërkombëtar të Speleologjisë, i cili me gjithsej 50 vende anëtare nga 6 kontinente është organizata më e madhe e speleologjisë në botë. Në vitin 1973 në Bullgari për herë të parë u zhvilluan kurse për shpëtimin speleologjik, ndërsa pak pas kësaj u themelua edhe një Repart Shpëtimi. Një nga udhëheqësit me përvojë më të gjatë të Federatës Bullgare të Speleologjisë është dr. Petër Beron, i cili studion faunën e shpellave jo vetëm te ne. Bio-speleologët bullgarë kanë përshkruar 866 lloje të reja të zbuluara në 813 shpella. Gjatë vitit 1980 në qytetin Çepellare u ndërtua Muzeu i Speleologjisë dhe Karstit, muze ky i cili është i vetmi i këtij lloji në Evropën Juglindore. Një njohje e vërtetë e arritjeve të mëdha të speleologëve tanë është konferenca shkencore evropiane, e cila u zhvillua në Bullgari në vitin 1980. Në këtë konferencë ishin të pranishëm 250 studiues nga 17 vende dhe ajo u bë njëfarë ure mes speleologëve nga të dyja anët e së ashtuquajturës “perde e hekurte”, të cilët deri në atë moment nuk kishin pasur mundësi për kontakte të drejtpërdrejta.

Para disa ditësh Federata Bullgare e Speleologjisë dekoroi në një mbledhje solemne veprimtarët më aktivë në fushën e speleologjisë te ne dhe rikujtoi kontributin e emrave të mëdhenj në shkencë. Kështu u shënua përvjetori i 90-të i themelimit të Shoqatës së parë të Speleologjisë. Ndër mysafirët kishte përfaqësues të organizatave të ngjashme nga Greqia, Turqia, Sllovenia dhe Koracia. Lëvizja speleologjike në Bullgari tani është me zhvillim më të shpejtë në tërë Gadishullin Ballkanik. Bullgaria ka një rol kryesor në lëmin e shpëtimit speleologjik.“Në disa fusha speleologjia bullgare është prijëse jo vetëm në plan regjional, por edhe në plan botëror” – tha me këtë rast doc. Javor Shopov – kryetar i Federatës Bullgare të Speleologjisë, duke saktësuar:

“Ne kemi tradita në speleologji. Është e qartë se ajo nuk është vetëm shkencë, por edhe sport dhe disiplinë teknike, sepse arritja deri në pikën më të largët në disa shpella është shumë e vështirë. Për shembull arritja në shpellën më të thellë në Bullgari, e cila është me thellësi më shumë se 540 metra, mund të krahasohet me ngjitjen në një majë të lartë 8 mijë metra në Himalajë. Në shpellën “Kollkina Dupka”, që po studiohet kohët e fundit, depërtimi realizohet në kuadrin e 9 ditëve. Brenda ka tri kampe, flihet nën dhe dhe kjo është një sfidë e madhe për speleologët tanë.”

Aktualisht speleologjia bullgare është në lulëzimin e vet, vë në dukje Federata. Njerëzit e rinj, të cilët punojnë për popullarizimin e shpellave në Bullgari, bëhen gjithnjë e më shumë. Speleologu Pavlin Dimitrov mori çmimin madhe të Federatës Bullgare për shkak të punës së tij për studimin e shpellës më të thellë te ne – “Kollkina Dupka”, afër bashkisë së Svoges. “Mendoj se kam meritë më të madhe për shkak të faktit se jam një prej njerëzve, të cilët e organizoj punën në klubin speleologjik “Nën skaj” dhe i motivoj të tjerët për të bërë më shumë studime të shpellës” – thotë Pavlin Dimitrov dhe shton:

“Që të hysh në një shpellë ti je motivuar nga shpirti i eksploruesit, të cilin e kemi në vetveten – të studiosh, të zbulosh dhe të hapësh rrugën drejt gjërave të reja. Njerëzve të tillë u detyrohen të gjitha arritjet në speleologji. Ne pamë se si pas shumë vitesh të përpjekjeve të mëdha shpella jonë na lejoi që të shohim botën e saj nëntokësore. Sfida më e madhe në të ardhmen janë të gjithë kilometrat, të cilët do të kalojmë, galeritë dhe sallat e shumta të shpellës që do të zbulojmë duke e studiuar për herë të parë “Kollkina Dupka”.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BGNES, chepelare.org dhe arkiv personal



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Muzeu i Shkencave Natyrore i Plovdivit po pret një "Festival të Akullit"

Në Muzeun Rajonal të Shkencave Natyrore të Plovdivit po mbahet “Festivali i Akullit” treditor, i cili do të zgjasë deri më 15 dhjetor. Festivali i kushtohet Ditës Botërore të Antarktidës (1 dhjetor) dhe është pjesë e një sërë iniciativash të organizuara..

botuar më 24-12-14 7.35.PD
Foto: Facebook/ Universiteti i Ruses

Universiteti i Ruses mirëpret studentët e huaj me një program të pasur kulturor

Universiteti i Ruses organizon një sërë aktivitetesh drejtuar studentëve të huaj që studiojnë në të. Qëllimi i nismës është që të rinjtë të njihen me traditat, kulturën, historinë dhe zakonet bullgare, si dhe t'i bashkohen procesit arsimor dhe jetës..

botuar më 24-12-13 6.15.PD

"Ushqimi apo ngrohja?" – këtë pyetje nuk do të bëjnë familjet në Evropën Lindore këtë dimër, në dallim të atyre në Evropën Perëndimore

Me afrimin e dimrit, shumë njerëz në Evropë po pyesin se si do të ndikojë sezoni në portofolin e tyre dhe nëse do të detyrohen të zgjedhin, për shembull, midis një shtëpie të ngrohtë apo një frigoriferi të plotë. “ Familjet bullgare, si dhe familjet..

botuar më 24-12-11 7.15.MD