Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shtatë shkronja prej alfabetit bullgar po përhapin në Paris mesazhe për shpirtin dhe kulturën tonë

Foto: @fluctuart

Një vit pas fillimit të iniciativës “Shkronjat e fshehura” në Sofje, krejt natyrshëm ajo u zgjerua në “Shkronjat bullgare”, të cilat udhëtojnë në Evropë. Projekti u zbatua me ide dhe dizajn të piktorit Kirill Zllatkov. Bëhet fjalë për 12 stola të bërë në formën e shkronjave të alfabetit bullgar – Б, Д, Ж, З, И, Й, Ц etj., të cilat nuk kanë analog grafik në alfabetin latin dhe në atë grek. Kështu, përveç se krijon një vend të ri, ku njeriu modern mund të çlodhet, autori tregon një pikë kryqëzimi midis poezisë, tipografisë dhe mjedisit urban. Stolat janë vendosur në vende të rëndësishme në qendër të Sofjes dhe na rikujtojnë se jo vetëm ne, bullgarët, kemi festë kushtuar 24 majit – ditës së shkrimit dhe kulturës sllave, se alfabeti ynë është alfabeti i tretë zyrtar në Bashkimin Evropian pas atij latin dhe atij grek dhe se ai përdoret nga më shumë se 300 mln veta në mbi 10 shtete.

Çdo një prej stolave në formën e një prej germave cirilike është lidhur drejtpërsëdrejti me poezinë, nëpërmjet vjershave të poetëve bashkëkohorë bullgarë, të vendosura atje.

“Pas një sërë peripecish, iniciativa u shndërrua në stola me forma shkronjash të vendosur në vende të përshtatshme për lexim. Gjithsesi, njeriu nuk mund t’i ushqejë trumcakët, duke u ulur në një hapësirë të zbrazët. Zakonisht njeriu që lexon është njeriu i ulur”, tha gjatë paraqitjes së projektit Kirill Zllatkov.

Në fillim të qershorit shkronjat bullgare në të hapur u paraqitën edhe në zemrën e Parisit dhe do të mbeten atje deri në fund të shtatorit me iniciativë të Institutit Kulturor Bullgar në kryeqytetin francez dhe nën patronazhin e Ambasadës së Bullgarisë në Francë. Art-instalimi është vendosur në vendet më të vizituara në qytet – në brigjet e Senës, pranë Urës së Invalidëve në bregun e majtë të lumit. Është vënë atje me përkrahjen e Bashkisë së Parisit dhe është pjesë e festimeve me rastin e përvjetorit të 140-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Bullgarisë dhe Francës.

Shkronjat udhëtuese janë shtatë dhe pranë çdo një prej stolave janë vendosur vargje të përkthyera në frëngjisht të autorëve bullgarë – Georgi Gospodinov, Nadezhda Radullova, Sillvia Çoleva, Mirella Ivanova, Amelia Liçeva etj. Përkthimi është vepër e Mari Vrina-Nikolov – specialiste në fushën e gjuhës dhe kulturës bullgare dhe të Ralica Mihajllova Frizon – Rosh. Një tekst i shkurtër i shtuar i njeh lexuesit francezë me më të rëndësishmen për alfabetin cirilik.

Askush nuk dyshon se germat dhe poetët tanë mund të tregojnë fytyrën e vërtetë shpirtërore të Bullgarisë para botës, prandaj projekti me germat udhëtuese bullgare i pëlqen shumë bashkësisë së lexuesve dhe të shkrimtarëve në Bullgari. Një prej autorëve të poezisë, e cila i shoqëron “Shkronjat bullgare”, është Sillvia Çoleva. Nga Sofja ajo dëgjon dhe ndien se si publiku francez ndalon afër bregut të lumit dhe lexon mesazhet poetike bullgare:


“Është me rëndësi se tani këto shkronja i provokojnë kalimtarët atje për t’u njohur me alfabetin bullgar. Shumë prej tyre i shohin për herë të parë këto germa, interesohen se si shqiptohen, kush i ka krijuar dhe pse janë shkruar në këtë mënyrë. Përveç kësaj vetë stolat janë shumë komodë. Atje mund të ulen disa njerëz dhe të çlodhen në një mënyrë më të ndryshme. Kjo është një reklamë shumë e bukur e Bullgarisë. Sipas meje kjo është mënyra më e mirë e paraqitjes sonë si bullgarë – nëpërmjet arritjeve të kulturës sonë. Në qoftë se këta libra vendosen në një librari, ata shumë vështirë do të tërheqin vëmendjen në oqeanin e letërsisë botërore, por të vendosur në vendet për çlodhje, ata provokojnë vëmendjen e njerëzve. Shpresoj se ky projekt do të vazhdojë të udhëtojë dhe se do të përfshihen akoma poetë bashkëkohorë. Më emocionoi një video. Ma dërgoi një bullgare, e cila banon në Paris që prej shumë kohe. Atje ajo më tregoi se si një poeteshë franceze lexon një vjershën time të përkthyer në frëngjisht në kuadrin e projektit për shkronjat. Madje vetëm në këtë mënyrë të dëgjohet poezia jonë, kjo gjithashtu është një fuqi që mund t’i zhvendosë shtresat dhe është si dredhja e krahëve të fluturës.”  


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto:mfa.bg,  @HiddenLettersBulgaria




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Daniell Spasov

Daniell Spasov për kuptimin e harruar të traditës "Koleduvane"

Çdo festë ka aromën, teshat dhe meloditë e saj. Kështu është edhe me Krishtlindjet. Dihet pak për këngët e Koledarëve (Grupet e djemve të Krishtlindjeve) dhe qëllimin e tyre, dhe flitet pak për to, madje në shumë raste ato që thuhen janë të gabuara. Por..

botuar më 24-12-26 6.05.PD

Skulptori Jusein Jusuf shndërroi një shatërvan në një galeri në mes të pyllit

Si një galeri arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçe, rajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë Jugore. Fillimi i ndërtimit u dha në vitin 1985 nga babai i Jusein Jusufit dhe një vit më vonë, kur..

botuar më 24-12-22 7.05.PD
Drejtori i Përgjithshëm i BTA Kirill Vëllçev ia dorëzon çmimin e madh

U dorëzuan çmimet në festivalin "Ritoni I Artë" në Plovdiv

Fitues të mëdhenj në edicionin e 28-të të Festivalit të Kinemasë Dokumentare dhe të Animuar Bullgare "Ritoni i Artë" janë filmi i animuar “Një sup i bardhë për një burrë të zi" i regjisorit Henri Kulev dhe filmi dokumentar "Dëshira e Gerit" nga Tonisllav..

botuar më 24-12-20 10.49.PD