Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kur është ndezur pema e parë me rastin e Vitit të Ri në Bullgari?

Moda evropiane në festimin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në Bullgari në periudhën e pasluftës

Pas Çlirimit /1878/ ritualet e lidhura me Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në Bullgari filluan të evropianizohen. Ambiciet e udhëheqësve të principatës, e cila më vonë u bë mbretëri, janë përqendruar mbi qëllimin që çdo gjë të bëhet si në Evropë. Një nga simbolet më të rëndësishme dhe të dashura u bë pema e vitit të ri. Sipas një sërë burimeve, pema e parë krishtlindëse në Bullgari është zbukuruar më 23 dhjetor të vitit 1877 nga oficerët rusë të gjeneralit Gurko.

Me të gjithë bukurinë dhe madhështinë e vet të vërtetë pema ndizet gjatë vitit 1879 në Sofje dhe shkakton një kënaqësi të stuhishme – tregon Todorka Nedeva nga Muzeu Historik Regjional në qytetin Veliko Tërnovo. Pema e Krishtlindjeve zë vend të rëndësishëm në atmosferën festive të vendit në sajë të princeshës Klementina /nëna e princit Ferdinand/. Në një festë madhështore të oborrit mbretëror, organizuar për nxënësit nga shkollat e kryeqytetit, zbukurohet një pemë e madhe.

Shumë pak i njohur është dhe fakti se pema e parë e madhe private e Krishtlindjes është ajo e politikanit Stefan Stambollov. Ajo është zbukuruar me kurora, me topa prej qelqi dhe stoli shumëngjyrëshe. Pas fundit të pritjes së organizuar në shtëpinë e tij, miqtë fitojnë të drejtën të marrin nga një prej zbukurimeve me vete për kujtim. Dhe derisa në Sofje , Stambollovi jep shembull për evropianizimin e Krishtlindjeve në shtëpi, akoma në fund  të shekullit të XIX-të, pema hyn në masë në jetën e qytetarëve relativisht vonë – në vitet 20-të të shekullit të kaluar.  

Veliko Tërnovo, 1933Fillimisht bullgarët i zbukurojnë pemët me mollë, arra, me kokoshka dhe me letra shumëngjyrëshe. Më vonë paraqiten dhe zbukurimet e importuara prej qelqi. Çmimi i tyre është 10-12 leva, nganjëherë dhe deri më 100 leva për ato më luksoze. Është tepër interesante të shënohet se, atëherë minimumi jetik në qytetin Veliko Tërnovo është rreth 30 leva në muaj – sqaron zonja Nedeva.

Ballot me rastin e Vitit të Ri me darka solemne dhe me veshje të zgjedhura, të sjella zonjave dhe zotërinjve më të pasur nga jashtë, po kështu janë pjesë nga magjia festive dhe një element nga moda evropiane gjatë festimit të Krishtlindjes dhe të vitit të Ri.

Gjatë dimrit të vitit 1880, princi Aleksandër I Batenberg organizon ballon e parë evropiane në Bullgari, të shpallur në shtypin periodik të asaj kohe si “mbrëmje festive me kërcime” – tregon Todorka Nedeva. Në këtë dëfrim të ri në jetën dhe modelin e sjelljes dhe të traditave bullgare, marrin pjesë 116 miq të zgjedhur, mes të cilëve dhe përfaqësues të shteteve të huaja, burra shteti, oficerë të rinj, nëpunës të lartë nga qeveria e Principatës. Veshjet e 23 zonjave të pranishme nuk dallohen me një hijeshi të veçantë dhe stil. Disa prej tyre bile janë të veshur me fustane të thjesht prej leshi, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me finesën evropiane. Gjatë viteve të ardhshme ballot e pallatit afirmohen në jetën e Bullgarisë, duke u afruar deri tek stili më luksoz dhe fin të ngjarjeve të ngjashme në oborret evropiane. 

Mes traditave të dashura në lidhje me Krishtlindjet është dërgimi i kartolinave përshëndetëse, ku ka përshëndetje për shëndet, lumturi dhe dashuri. Jo vetëm për ajkën e shoqërisë, por dhe për njerëzit e zakonshëm ka qenë çështje nderi dhe prestigji të zbukurojë me “pikturat lëvizëse” të bukura, siç i kanë quajtur atëherë kartolinat postare, shtëpinë e vet në natën e qetë dhe të shenjtë të lindjes së Krishtit.


Larmia e kartolinave në fillim të shekullit të kaluar është magjepsëse. Pothuajse të gjitha janë të shtypura jashtë shtetit, kurse disa bile janë të pikturuara në dorë, të punuar me mëndafsh ose të pluhurosur bujarisht me pluhur ari dhe argjendi. Në vitet e para të pas çlirimit përshëndetjet detyrimisht shkruhen në anën e sipërme, kurse në kurriz shkruhet adresa. Gjatë viteve 30-të dhe 40-të të shekullit të kaluar interesi ndaj kartolinave me rastin e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri pushon, sepse afirmohet moda e kartëvizitave dhe më në veçanti përfaqësuesit e rretheve artistike dhe të elitës intelektuale fillojnë të dhurojnë kartëvizitat e veta të afërmve të vet, të njohurve që të mund t’i përshëndesin me rastin e festave.

Një pjesë e pandarë nga magjia e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri janë dhe “lojërat e zjarrta” në qiell siç i kanë quajtur atëherë fishekzjarrët. Dhe kuptohet, peshqeshet për fëmijët.

Karakteristike për vajzat janë kukullat, kurse familjet më të pasura kanë pasur mundësi t’i porosisin dhe nga jashtë. Djemve u kanë dhuruar topa, dhe kuaj prej druri. Në të kaluarën bullgarët kanë pasur vesin e mirë të dhurojnë libra me vjersha dhe tregime si dhe me përralla për fëmijët e vet dhe në këtë mënyrë i kanë mësuar vogëlushët të lexojnë dhe të interesohen për letërsinë, sepse librat kanë qenë kryesisht vepër e autorëve bullgarë dhe kështu i kanë lidhur Krishtlindjet me letërsinë dhe arsimin – shënon zonja Nedeva.

Dhe sot e kësaj dite bullgarët nuk harrojnë në çdo Krishtlindje të vendosin në pemë të paktën një dekorim të ri, me qenë se besojnë se kjo sjell shëndet dhe fat.

Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva

Foto: Muzeu Historik Regjional në qytetin Veliko Tërnovo; Foto-Collage: Mihaill Dimitrov



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bulqiza ka një potencial të madh turistik

Ndihma bullgare për zhvillimin e turizmit në bashkinë shqiptare të Bulqizës

Një projekt i financuar nga Bullgaria do të rrisë kapacitetet e punonjësve në administratën e Bashkisë së Bulqizës, Shqipëria Lindore, për zhvillimin e turizmit rural dhe malor në rajon, ku banon një pjesë e konsiderueshme e pakicës kombëtare..

botuar më 24-04-26 11.04.PD

Sa do të kushtojë tryeza e Pashkëve për bullgarët këtë vit?

Më thuaj çfarë ke në tavolinë që të të them se çfarë je duke festuar. Kështu, me shaka mund të shikojmë kalendarin bullgar të festave nga e kaluara deri në ditët e sotme. E vërteta është se tryeza ka qenë gjithmonë një element shumë i rëndësishëm i jetës..

botuar më 24-04-26 7.30.PD

61 për qind e prindërve bullgarë mbështesin vaksinat e detyrueshme

61 për qind e prindërve në Bullgari mbështesin vaksinat e detyrueshme dhe 95 për qind e mjekëve të përgjithshëm këshillojnë prindërit që të vaksinojnë fëmijët e tyre për t'i mbrojtur ata nga një sërë sëmundjesh. Këtë e tregon një anketim përfaqësues..

botuar më 24-04-24 4.38.MD