Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

40 qind ulje e gazit – optimizëm për biznesin dhe familjet në Bullgari

Foto: arkiv

Në festën kombëtare të Bullgarisë – 3 mars, kur u nënshkrua Traktati i Paqes pas Luftës Ruso-Turke (1877-1879) dhe Bullgaria u çlirua nga zgjedha pesëshekullore osmane, monopolisti rus i gazit “Gazprom” i dërgoi palës bullgare një kontratë të re të nënshkruar për furnizime të gazit. Pas 7 muajve të bisedimeve të rënda, sipas këtij dokumenti çmimi i gazit në Bullgari ulet me 40.3% nga data 5 gusht i vitit të kaluar. Dallimi mes çmimeve të vjetra dhe atyre të reja për këtë periudhë, të cilin klientët tashmë e kanë paguar do të kthehet. Çmimi i gazit natyror ulet nga 22 euro në 13 euro për një megavat orë, ndërsa shuma që do t’u kthehet konsumatorëve në vend tejkalon 75 mln euro. Ministrja e Energjetikës Temenuzhka Petkova komentoi se ulja е çmimit është pa precedent dhe do ta bëjë ekonominë bullgare më konkurrese. Ajo nënvizoi gjithashtu se një rol të rëndësishëm në këtë proces ka luajtur Komisioni Evropian nëpërmjet procesit të antimonopolit kundër “Gazprom”-it.

Çfarë janë rezultatet e uljes së çmimit të gazit për Bullgarinë?

Vendi konsumon rreth 3 mlrd metra kubikë gaz natyror, 90 për qind prej të cilëve janë import, kryesisht nga Rusia me çmime që janë nga më të lartat në Evropë. Tani çmimet bëhen më të krahasueshme me ato në pjesën tjetër të kontinentit. Më fort do ta ndiejnë uljen e çmimit centralet termike të gazit, të cilat u sigurojnë ngrohje qendrore qytetarëve dhe biznesit. Praktikisht ata nuk do të marrin prapa shuma të mëdha, sepse kanë borxhe të mëdha ndaj “Bulgargaz”-it, të cilat duhet t’i paguajnë, por pavarësisht nga kjo gjendja e tyre ekonomike do të përmirësohet. E njëjta gjë u përket edhe klientëve të mëdhenj të “Bulgargaz”-it nga industria e çimentos, ajo kimike, ajo e plehrave, ajo metalurgjike, të cilat do të bëhen më konkurrese në tregun e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar. Mirëpo, ekspertët janë unanimë se ka pak të ngjarë që për përdoruesit e fundit ulja e çmimit të arrijë 40 për qind dhe në fakt ajo do të jetë vetëm 20 për qind.

Në sfondin e të gjitha këtyre dukurive të favorshme në tregun energjetik ka edhe një shkas për optimizëm – formula e re e caktimit të çmimeve e shkruar në kontratën mes “Gazpromit” dhe “Bulgargaz”-it. Ata tashmë nuk do të varen kaq shumë nga çmimet e produkteve të naftës, por nga ato të qendrave të gazit në Evropë. Sipas ekspertëve, që nga data 1 prill, kur çmimet e reja hyjnë në fuqi, pakësimi madje mund të jetë më i madh prej 40 për qind. Sepse përveç se do të jenë të ulëta, çmimet do të caktohen nga Komisioni për rregullimin e energjisë dhe ujit çdo muaj, ndërsa kjo do t’i bëjë më të zhdërvjelltë dhe adekuatë në treg, të paktën deri në skadimin e kontratës së tanishme me “Gazprom”-in pas dy vitesh.

Sipas ligjeve të konkurrencës çmimet më të ulëta të gazit rus do të shkaktojnë ulje të çmimit të gazit i cili importohet nga shtete të tjera. Një qëllim i tillë u shpall zyrtarisht dje sa i përket marrëveshjes së arritur për 1 mlrd metra kubikë gaz nga Azerbajxhani, të cilat do të fillojmë t’i importojmë që nga muaji tetor. Ndoshta një politikë e tillë do të aplikohet edhe sa i përket blerjes së gazit të lëngëzuar (LGN), nga i cili vitin e kaluar vendi mori përmes Greqisë rreth gjysmë mlrd metra kubikë.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Niveli i papunësisë në Bullgari është ruajtur edhe në tetor

Numri i të papunëve që kanë filluar punë është rritur me 830, ose 5,9% krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor kanë filluar punë gjithsej 14852 persona të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë, niveli i..

botuar më 24-11-18 12.11.MD

Inflacioni mujor rritet 1.1%

Përshpejtim të inflacionit në 1.1% në tetor krahasuar me një muaj më parë, regjistroi Instituti Kombëtar i Statistikave. Në bazë vjetore, indeksi është 1.8 për qind. Në tetor, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për argëtim dhe kulturë janë rritur me 8,6%, për..

botuar më 24-11-16 11.40.PD

PBB-ja është rritur me 2.2% sipas bazës vjetore në tremujorin e tretë

Ekonomia bullgare u rrit me 2,2% në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas vlerësimit ekspres të Institutit Kombëtar të Statistikave. Konsumi final shënoi rritje prej 4.6%, importet e mallrave dhe shërbimeve u..

botuar më 24-11-15 12.25.MD