Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Qeveritë e përkohshme zakonisht çojnë në ngecje ekonomike

Foto: arkiv

Qeverisje e qëndrueshme apo zgjedhje të shpeshta në të ardhmen e parashikueshme - kjo dilemë, e cila u ngrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, së shpejti do të gjejë zgjidhjen e saj. Ndërkohë, prof. Biser Georgiev nga Universiteti i Shumenit "Peshkopi Konstantin Presllavski" na kthen në vitet e pasçlirimit, duke ndjekur mënyrën se si qeveritë me afate të shkurtra kanë ndikuar në planin shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë.

"Ka disa momente të rëndësishme në të cilat shfaqen qeveritë е përkohshme me një shumicë të pasigurt dhe të përbërë nga shumë parti,"  tha para BNR-Shumen historiani. - Zakonisht këto qeveri formohen në vitet më kritike, në aspektin politik, të zhvillimit të shoqërisë sonë. Këto janë kohërat kur ka një kataklizëm, një krizë ose një ndryshim të përgjithshëm. Një shembull i kësaj është i ashtuquajturi grusht shteti i princit të parë bullgar Aleksandër I Batenberg, i cili më 27 prill 1881 rrëzoi Kuvendin Popullor të zgjedhur ligjërisht, dhe qeverinë e liberalëve. Në vendin tonë u formua një qeveri jo vetëm me pjesëmarrje ruse, por me Kryeministër gjen. Casimir Ehrnrooth (oficer dhe administrator finlandez i dërguar për të punuar në Perandorinë Ruse). Ky kabinet ka qeverisur vetëm për disa muaj dhe ilustron një nga ndryshimet dramatike në shoqërinë bullgare."

Të ngjashme në plan politik janë edhe qeveritë e formuara pas rrëzimit me forcë të Princit Aleksandër Batenberg I në vitin 1886.

Ato janë drejtuar nga Mitropoliti Klementi nga Partia Konservatore dhe nga politikani liberal Petko Karavellov. Statistikat historike tregojnë se këto janë qeveritë të cilat e kanë drejtuar Bullgarinë për periudhën më të shkurtër. E para ka ekzistuar zyrtarisht për 3 ditë, nga 9 deri më 12 gusht 1886, dhe e dyta – e Petko Karavellovit ka pasur një jetë 4 ditore - nga 12 deri më 16 gusht, të njëjtin vit. Ditët e pakta të jetës së qeverive nuk janë kurioziteti i vetëm - disa nga ministrat nuk kanë arritur të mbërrijnë në kryeqytet, ndërsa disa të tjerë madje nuk kanë kuptuar për emërimin e vet.

Një shembull i qeverisjes afatshkurtër në kohë krizash  është gjithashtu qeveria e dytë e Todor Ivançovit, e emëruar në vitin 1900 me dekret të Princit Ferdinand, e cila zgjati më pak se dy muaj. Kryeministri i sapozgjedhur ka qeverisur në emër të Partisë Liberale, megjithëse ajo është drejtuar nga Vasill Radosllavov – për shkak të përpjekjeve të Princit për të përçarë organizatën politike. "Në kohën për të cilën po flasim, Bullgaria, me përpjekje të mëdha dhe duke ndërruar disa qeveri të përkohshme, ka arritur të marrë një hua të jashtme dhe të shmangë falimentimin – falimentim ky që Greqia nuk arriti ta shmangte disa vjet më parë," shtoi profesori. Situata ka qenë aq kritike saqë një prej qeverive nuk ka qenë në gjendje të paguajë pagat e zyrtarëve të saj.

"Qeveritë kalimtare zakonisht shkaktojnë ngecje ekonomike," tha Biser Georgiev. - Kataklizma të tilla ndodhin pikërisht në periudhat historike në të cilat keqkuptimet midis politikanëve të veçantë çojnë në një kthim shumë serioz ekonomik. Sidoqoftë, nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje të reja. Zakonisht ky është një vendim i keq, sepse harxhohen shumë mjete nga njerëzit që nuk varen nga Parlamenti."

Në momente të vështira historike partitë harrojnë paragjykimet e tyre politike dhe bashkohen rreth qëllimit të madh për prosperitet të kombit, na kujton historiani përvojën e së kaluarës. Kështu, pas tërheqjes së Bullgarisë nga Lufta e Parë Botërore, organizata politike me pikëpamje të ndryshme formuan dy qeveri të koalicionit. Njëra - e Aleksandër Malinovit, zgjati tre muaj menjëherë pas luftës, dhe tjera - e Teodor Teodorovit, qëndroi në pushtet për gati një vit dhe arriti të kapërcejë situatën më të vështirë për vendin tonë, kur madje nuk ka pasur ushqim të mjaftueshëm për popullsinë.

Përpiloi: Diana Cankova (sipas intervistës së Zdravka Rusevës, BNR – Shumen)

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një ekspozitë në Sofje paraqet artefakte 7000-vjeçare nga Kriporja në Provadia

Kur njeriu e njeh historinë, mund të luftojë që gjërat e mira të përsëriten dhe të këqijat të mos përsëriten. Me këto fjalë, ministri në detyrë i kulturës, Najden Todorov, hapi ekspozitën "Zotërinjtë e kripës: Provadia - Kriporja (5600-4350 p.e.s.)"..

botuar më 24-06-12 10.08.PD

Për herë të pestë, Bullgaria dërgon përfaqësues në Parlamentin Evropian

Bullgaria është anëtare e BE-së që nga 1 janari 2007. Megjithatë, vendi ynë kishte përfaqësuesit e tij në Parlamentin Evropian (PE) edhe para anëtarësimit zyrtar. Në vitin 2005, Kuvendi Popullor zgjodhi 18 deputetë bullgarë të cilët kishin statusin e..

botuar më 24-06-09 7.55.PD
Hristo Botev, Ivan Drasov dhe Nikolla Sllavkov

Hristo Botev, Kryengritja e Prillit dhe "Komitetet Sllave"

Kujtimet e pjesëmarrësve në vitin fatal 1876 për Bullgarinë janë të shumta, shpeshherë kontradiktore, por letrat dhe dokumentet për Kryengritjen e Prillit, që flasin për çështjen e Çlirimit të Bullgarisë, krijojnë një pamje më të gjerë të ngjarjeve,..

botuar më 24-06-02 9.30.PD