Emigracioni bullgar në Brazil në gjysmën e parë të shekullit të XX është në fakt besarabë, jo ai që nisi nga fshatrat bullgare për në Argjentinë dhe vende të tjera të Amerikës së Jugut. Ky është një fakt, i cili i bënë një përshtypje më të fortë përkthyeses Maja Daskallova në takimin e saj të parë me librin “Emigracioni në Brazil dhe Uruguai: bullgarë besarabë dhe gagauzë”, të cilën ajo e përktheu nga portugalishtja në gjuhën bullgare.
Libri është pjesë e trilogjisë së Zhorzhe Kosikov, kushtuar historisë së bullgarëve besarabë në vendin e kafesë. Vet Zhorzhe Kosikov (Jorge Cocicov) ishte fëmijë e bullgarëve besarabë, emigrantë në Brazil, prandaj kjo temë është speciale për të. Në kërkim të informacionit për të, ai u bë një koleksionist i fateve njerëzore, të cilat më vonë i prezantoi në librat e tij. Në këtë mënyrë, ai na bën një dhuratë të paçmuar, duke endur para nesh një pamje të plotë të emigracionit besarab në këtë vend jugor. “Kam dy ëndrra. Njëra është të botoj librat e mi në Bullgari që të dinë për ne, tjetra është të marr nënshtetësinë bullgare për t’i lënë fëmijët dhe nipërit e mi me dijeninë se janë bullgarë”, tha ai para Maja Daskallova.
Fluksi i madh i bullgarëve besarabë drejt Brazilit – rreth 10 000 njerëz, ndodhi në periudhën e viteve 1925 – 1926, tregon Maja Daskallova:
“Në fakt ata kryejnë emigrim të dyfishtë. Një herë nga Bullgaria në Besarabi që në kohën e robërisë turke, dhe para se gjithash si rezultat i luftërave të zhvilluara midis Perandorisë Ruse dhe Turqisë, si ajo nga vitet 1806 – 1812, kur marrëveshjet përfshinin një klauzolë, sipas së cilës nga Perandoria Osmane mund të transferohej një kuotë e popullsisë vendëse në Perandorinë Ruse. Në atë kohë, duke qenë se Besarabia ishte pak e populluar, me tokë të papunuar, perandori rus hapi dyert dhe ftoi këdo që donte të vinte. Jo vetëm bullgarët. Në përgjithësi, Besarabia është një konglomerat kombësish - polakë, hungarezë, gjermanë, hebrenj, bullgarë… Ai u dha atyre shumë përfitime – një copë toke falas, ndihmë shtetërore për përpunimin e tokës dhe shumë të tjerë. Duke mbledhur një duzinë familjesh nga një fshat, ata krijuan një fshat me të njëjtin emër në Besarabi. Për shembull, ka fshat Korten si në Bullgari ashtu edhe në Besarabi.”
Por pas Luftës së Parë Botërore Besarabia u aneksua nga Rumania, e cila imponoi një politikë krejt të ndryshme jo aq të favorshme ndaj pakicave, me qellim “të pastrohet” prej tyre. Pikërisht në atë kohë në Brazilin e largët iu dha fund robërisë. Plantacionet e pafundme, të përpunuara nga robërit, mbetën pa krahun e punës. Atëherë qeveria braziliane vendosi të dërgonte emisarë në Evropë, të cilët të tërhiqnin emigrantë për të plotësuar hallkën munguese në ekonomi, tregon Maja Daskallova. Në kërkimin e tyre emisarët mbërritën edhe në Rumani, e cila i lejoi ata të kryenin fushatën e tyre atje, por me kusht. Ajo duhej të mbulonte vetëm pakicat kombëtare dhe vizat duhej të jepeshin vetëm për familje të tëra. Të shtypur nga kushtet e vështira ekonomike dhe frika e një lufte të re dhe të joshur nga premtimet se do të merrnin toka dhe se për ta në Brazil kishte shtëpi, shkolla për fëmijët e tyre, kisha dhe se buka rritet në pemë (emisarët nënkuptonin fruta buke) shumë familje bullgare besarabe u drejtuan përtej oqeanit në shtëpitë e tyre të reja, duke besuar në yllin e tyre fatbardhë. Mirëpo, kur shkelën bregun e huaj, mbetën plotësisht të mashtruar, thekson Maja Daskallova:
“Kur mbërritën me anijet në portet në Rio de Zhanejro dhe Santos, ata u dërguan në një Konvikt të Imigrantëve në Sao Paulo. Pronarët e tokave mbërrinin atje dhe zgjidhnin njerëz prej tyre në pothuajse të njëjtin parim si skllevërit në atë kohë. Dhe migrantët u bënë skllevër të bardhë. Ato dërgoheshin fjalë për fjalë në plantacione. Është interesante se kur një grup prej 2000 bullgarësh besarabë mbërriti atje, ata u paralajmëruan nga bashkatdhetarët e tyre që kishin ardhur më herët që të mos shkonin në plantacione sepse do të mashtroheshin. Bullgarët besarabë të sapoardhur u revoltuan dhe thanë se nuk do të shkonin në plantacione. Autoritetet më pas sollën një tren bosh në konvikt. Ata i shtynë të gjithë ata që ishin në oborr, përfshirë edhe nënat me fëmijë, dhe i dërguan në ishullin Anshieta, ku u izoluan për dy muaj si dënim. Ata i lënë në kushte të këqija - pothuajse të uritur në të hapur.”
Në dy muaj vdiqën 151 persona, 144 prej të cilëve fëmijë. Vdekja i kapërcen për shkak të urisë, helmimit nga ushqimi dhe sëmundjeve. “Kur punoja mbi librin e parë të Zhorzhe Kosikovit dhe përktheja këtë listë me fëmijë, ishte momenti më i vështirë për mua, sepse fjalë për fjalë me lot në sy po shkruaja emrat e tyre, datat e lindjes, prej nga vinin. Më qetësonte vetëm fakti që pas kaq vitesh përmendim emrat e tyre dhe përmes librave të Zhorzhe Kosikovit nuk do të harrohen”, thekson përkthyesja.
Prisni vazhdimin e historisë së udhëtimit të bullgarëve besarabë në Brazil.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: nossalucelia.com.br, @bulgaribrasil, arkiv
Pas festës së madhe të Fjetjes së Hyjlindëses, Lindja e Nënës së Zotit kremtohet me nder të veçantë në Bullgari. Kisha jonë e feston atë më 8 shtator, së bashku me kishën ortodokse greke, ndërsa kishat e tjera ortodokse lokale e kremtojnë festën më 21..
Më 6 shtator 1885, Bullgaria u bë përsëri një shtet i bashkuar. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, profesori i Universitetit të Sofjes "Shën Kliment Ohridski" Ivan Illçev foli për faktorët që çuan drejt Bashkimit, kur Principata e Bullgarisë dhe..
Përgjatë shtrirjes midis Rrafshinës së Trakisë së Epërme dhe malit Rodopa nga lindja në perëndim si një varg gjerdani renditen vendbanimet piktoreske - Asenovgrad, Perushtica, Kriçim, Peshtera, Patalenica dhe Varvara. Përgjatë luginave të..
Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë..