Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Një marrëveshje me Kishën Serbe mund të rrëzojë qeverinë në Mal të Zi

Disa parti në parlamentin malazez, të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç, kërkuan një votë mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç, për shkak të Marrëveshjes Themelore që ai nënshkroi më 3 gusht me Kishën Ortodokse Serbe. “Qeveria po bën gjithçka me dëshirën për të ndërtuar një shoqëri drejtësie dhe barazie”, tha kryeministri. Partia Demokratike e Socialistëve njoftoi se dokumenti bie ndesh me kushtetutën, prandaj kërkon votë mosbesimi dhe kërkon zgjedhje të parakohshme. “Marrëveshja do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së qeverisë së re”, theksoi Partia Demokratike e Socialistëve, sipas së cilës “sjellja e papërgjegjshme” e Abazoviçit, qeveria e të cilit festoi 100 ditët në krye të vendit, ka shkaktuar tension në shoqëri.
Kundërshtarët e marrëveshjes besojnë se përmes saj Kisha Ortodokse Serbe merr shumë pushtet. Zgjidhen çështje që janë lidhur me pronat e Patriarkanës së Beogradit në Mal të Zi dhe vetë kisha njihet si e ndarë nga shteti malazez.

Serbia dhe Kosova po kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre në Bruksel më 18 gusht

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borel, ka ftuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në një takim në Bruksel për çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve, raporton seksioni serb i radios “Evropa e Lirë”. Ftesa vjen në mes të tensioneve të shtuara në Kosovë pasi serbët e Kosovës bllokuan rrugët për në pikat kufitare me Serbinë Jarinë dhe Bërnjak në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për të lëshuar një dokument të përkohshëm hyrje-dalje për të zëvendësuar kartat e identitetit të lëshuara nga Beogradi për hyrjen në vend, si dhe kundër ndërrimit të targave serbe të veturave që qarkullojnë në Kosovë. Më vonë, autoritetet në Kosovë me insistimin e SHBA-së i shtynë vendimet e tyre për një muaj dhe u hoqën bllokadat, transmetoi BTA.
“Do të shkoj në Bruksel më 18 gusht për dialogun me Prishtinën, por nuk e di se për çfarë do të flas me Albin Kurtin... Ai dhe qeveria e tij gjithmonë çojnë në disa incidente dhe gjithmonë marrin mbështetjen e Pesës (Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe SHBA)”, tha Vuçiq me rastin e takimit të ardhshëm.

Një skandal i përgjimeve telefonike shkaktoi tension në Greqi

Presioni ndaj qeverisë në Greqi po rritet për shkak të informacionit rreth një skandali lidhur me prova për përgjime. Kreu i Partisë Socialiste në Greqi, PASOK, Nikos Androulakis, ka paraqitur ankesë në Komisionin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për një tentativë të dyshuar për të mbledhur informacion nga telefoni i tij personal me një program spiunimi. Sipas fjalëve të Androulakisit, i cili aktualisht është gjithashtu deputet në Parlamentin Evropian, ai e ka marrë informacionin nga Brukseli gjatë një kontrolli të aksesit në telefonin e tij, raportoi korrespondentja e BNR Katja Peeva nga Greqia. Ish-ministri i energjisë Panagiotis Lafazanis është shprehur gjithashtu se gjatë kohës që ishte pjesë e qeverisë është spiunuar përmes telefonit të tij personal. Në një seancë parlamentare më 29 korrik, Panagiotis Kontoleon, kreu i shërbimit të inteligjencës greke, pranoi se shërbimi i tij ka spiunuar Thanasis Koukakis, një gazetar financiar që punon për CNN-Greqi, raportoi Reuters. Opozita kërkon një hetim të plotë të skandalit.

Kisha Ortodokse në Qipro do të prodhojë energji elektrike

Kisha Ortodokse e Qipros bëhet prodhuese e energjisë elektrike. Në partneritet me kompaninë shtetërore të energjisë elektrike të Qipros, ajo do të zbatojë projektin më të madh fotovoltaik në vend me vlerë 70 milionë euro, raportoi korrespondentja e BNR Branisllava Bobanac nga Qiproja. Ndërmarrja e përbashkët, në të cilën Kryepeshkopata e Shenjtë e Qipros dhe kompania qipriote e energjisë elektrike EAS janë aksionarë, ka marrë miratimin e Departamentit të Mjedisit për ndërtimin e 10 parqeve fotovoltaike. Ato janë shtesë ndaj 4 parqeve të licencuara më parë. Kapaciteti total i prodhuar nga dielli sipas projekteve të kishës do të jetë 84 megavate.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: EPA/BGNES, Reuters

Më shumë nga rubrika

Vallë, a është qeveria në detyrë në të vërtetë një qeveri teknike

Vallë, a është qeveria në detyrë në të vërtetë një qeveri teknike? Kjo është pyetja që bullgarët ia bëjnë vetes pasi Dimitër Gllavçev, i propozuar për ushtrues detyre kryeministër, prezantoi përbërjen personale të kabinetit, në të cilin ka një..

botuar më 24-04-23 7.05.PD
Albin Kurti dhe Dimitër Gllavçev

Bullgaria vazhdon mbështetjen e saj për integrimin evropian të Kosovës

Mundësitë për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes Bullgarisë dhe Kosovës ishin në fokus të takimit të kryeministrave të Bullgarisë dhe Kosovës, Dimitër Gllavçev dhe Albin Kurti. Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet aktive..

botuar më 24-04-22 1.51.MD
Dimitër Gllavçev

Kryeministri në detyrë merr edhe postin e ministrit të jashtëm në detyrë

Kryeministri në detyrë Dimitër Gllavçev i propozoi presidentit Rumen Radev ndryshim të përbërjes së kabinetit zyrtar, njoftoi shërbimi qeveritar i shtypit. Pas bisedimeve me kryeministrin në detyrë dhe propozimeve prej tij në bazë të Nenit 99..

botuar më 24-04-22 11.56.PD