Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Një libër i ri ruan kujtimet për elitën kulturore të Caribrodit

10
Foto: nationallibrary.bg

“Përshtypjet për personazhet e librit tim janë veçanërisht të rëndësishme, sepse të gjithë ata, në një shkallë ose në një tjetër, ia kushtojnë krijimtarinë e tyre kujtesës kulturore të Caribrodit" - tha në një intervistë për Radio Bullgarinë Donka Nikollova - autore e librit “Takimet e mia me shpirtin e Caribrodit”. Sipas fjalëve të saj, personazhet për të cilët ajo flet duket se “e zbulojnë vetë” qysh në ditën e parë që ajo njihet me Caribrodin.

Donka Nikollova

Donka Nikollova, mbërriti në qytetin afër kufirit bullgaro-serb si mësuese e gjuhës dhe letërsisë bullgare, dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Baza e librit të saj janë artikujt që ajo filloi të shkruante në revistën lokale “Vizija”. Mbi ¼ e punës së saj i kushtohet dy vëllezërve - piktorëve Ivan dhe Metodi Petrovi dhe fatit të tyre të rëndë, i cili e la të panjohur edhe sot e kësaj dite Ivanin dhe i solli famë vëllait të tij, jo vetëm në Caribrod, por edhe në mbarë botën. Si një lloj kujtimi dhe nderimi për talentin e ilustruesit Metodi Petrov, i njohur edhe si një nga themeluesit e komikeve bullgare, është fakti që galeria e artit të qytetit në Caribrod mban emrin e tij. Nuk është aq e lehtë për t’u gjetur informacion për piktorin tjetër - Ivan.

Ivan dhe Metodi Petrovi

“Krijimtaria e Ivan Petrov ende nuk është hulumtuar, sepse ai është ende një figurë shumë e diskutueshme. Kur fillova të mbledh informacione për të, kuptova se sa shumë ai vazhdon të jetë i panjohur ose më saktë heshtur nga vendasit” - thotë Donka Nikollova dhe kujton se kontakti i saj i parë me krijimtarinë e piktorit ishte një ikonë e katër ungjilltarëve që ajo pa në kishën “Lindja e Virgjëreshës” në Caribrod.

Ivan Petrov - Ungjilltarët e Shenjtë Gjoni, Marku, Mateu dhe Luka, vaj, Kisha „Lindja e Virgjëreshës“, Caribrod

Kur ajo dëshiron të mësojë më shumë për fatin e piktorit, banorët vendas e drejtojnë atë te miku më i mirë i djalit të tij, Jordan, i cili me ngurrim i jep asaj një numër telefoni. Kështu Donka Nikollova ra në kontakt me trashëgimtarët e krijuesit nga Caribrod, të cilët sot banojnë në Sofje.

Ivan Petrov – „Ndeja“, vaj

“Arrita te familja e Ivan Petrovit. Ata më pritën krahëhapur dhe u gëzuan shumë që dikush u interesua për personalitetin e këtij piktori. Me kujtesën e tij të mrekullueshme dhe zërin radiofonik që do të tingëllojë përgjithmonë në veshët e mi, Jordan Petrov tregoi historinë e trishtuar të babait dhe familjes së tij. Më lejuan të shikoja të gjitha pikturat që kishin dhe më drejtuan se ku mund t’i kërkoja pikturat e tij në Nish dhe rrethinë.”

Jeta e Ivan Petrovit u kthye përmbys në vitin 1952, kur u arrestua me një sërë akuzash. Pasi vëllai i tij Metodi refuzoi t’ia dorëzonte autoriteteve, të dy u dërguan të punonin në kampin e përqendrimit në Goli Otok, ku qëndruan deri në vitin 1957. Edhe atje, në momentet kur nuk punonte, Ivan Petrov pikturonte në studion e krijuar për këtë qëllim.

Ivan Petrov – vaj mbi mëndafsh të zi, koleksioni i familjes Petrov

Gradualisht, rojet filluan të porosisin portretet e tyre. Prandaj, mjaft nga pikturat e Ivan Petrovit gjenden në familje të punonjësve në burgje të ndryshme në Serbi.

“Ai arriti të krijonte një mjedis ku të realizohej edhe në burg. Ai pikturoi një pjesë të madhe të veprave të tij atje. Kur kërkoi të shihte gruan ose dikë tjetër në familjen e tij, ai pikturonte tablo të mëdha dhe të bukura për rojet dhe hetuesit. Ai ka bërë edhe portrete të të gjithë familjeve të tyre”, tregon Donka Nikollova.

Ivan Petrov – „Bombardues“, 1952, vaj

Përveç dy piktorëve, libri “Takimet e mia me shpirtin e Caribrodit” përfshin edhe tregimet e disa shkrimtarëve të qytetit, si Detko Petrov, emrin e të cilit e mban Biblioteka Kombëtare në Caribrod, poeti, shkrimtar dhe publicist Bllagoj Dimitrov, gazetari, kritik dhe mësues shumëvjeçar në gjimnazin e Caribrodit Vllastimir Vacev e të tjerë.

Biblioteka Kombëtare „Detko Petrov” në Caribrod

“Përkushtimi i plotë për artin është bëma e jetës së tyre. Vigjilenca dhe pakënaqësia e shqetësuar shënojnë rrugën e tyre nëpër kohë dhe drejt burimeve amëtare” – përmbledh studiuesja e tyre.

Në vitin 2021, autorja e librit “Takimet e mia me shpirtin e Caribrodit”, Donka Nikollova, u nderua me çmimin “Iluministi i Vitit” në qytetin e Krahinave Perëndimore (rajonet kufitare juglindore të Serbisë me popullsi bullgare), popullsia e të cilave ruan me zell rrënjët e tij bullgare. Ajo e pranon këtë gjest me habi dhe mirënjohje të sinqertë:

“Ndoshta e mora këtë çmim edhe për faktin se jam mësuesi i parë i dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Caribrod që kur qyteti është jashtë kufijve të Bullgarisë, si dhe për shkak të librit, i cili tashmë dihej se do të botohej. Kërkova të plotësoja botimin me informacione që mbetën jashtë artikujve të njohur për njerëzit. Më vjen mirë që, pavarësisht vonesës, tashmë është një fakt me të gjitha fotot dhe tekstet që propozova. Iniciator i botimit të tij është biblioteka “Detko Petrov” në Caribrod, drejtoresha e saj Allbena Milev dhe bibliotekarja Elizabeta Georgiev, pa të cilët nuk do të arrija ta bëj” – tha në përfundim Donka Nikollova.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: Biblioteka Kombëtare “Shenjtor Kirill dhe Metodij”, Biblioteka Kombëtare “Detko Petrov” – Caribrod, arkivi personal



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Skulptori Jusein Jusuf shndërroi një shatërvan në një galeri në mes të pyllit

Si një galerie arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçerajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë Jugore. Fillimi i ndërtimit u dha në vitin 1985 nga babai i Jusein Jusufit dhe një vit më vonë, kur..

botuar më 24-12-22 7.05.PD
Drejtori i Përgjithshëm i BTA Kirill Vëllçev ia dorëzon çmimin e madh

U dorëzuan çmimet në festivalin "Ritoni I Artë" në Plovdiv

Fitues të mëdhenj në edicionin e 28-të të Festivalit të Kinemasë Dokumentare dhe të Animuar Bullgare "Ritoni i Artë" janë filmi i animuar “Një sup i bardhë për një burrë të zi" i regjisorit Henri Kulev dhe filmi dokumentar "Dëshira e Gerit" nga Tonisllav..

botuar më 24-12-20 10.49.PD
Ilija Llukov

Komunitetet bullgare jashtë vendit e mirëpresin këngëtarin popullor Ilija Llukov me pëllumba të bardhë në qiell

Në librin “Bullgaria është kënga ime” Ilija Llukov na shfaqet si një patriot i madh që ka bërë shumë për Bullgarinë”. Kështu e karakterizon këngëtarin popullor që këndoi meloditë më të dashura nga rajoni i Maqedonisë, Galin Georgiev, etnograf dhe një..

botuar më 24-12-16 7.30.PD