Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2023 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pavarësisht çmimeve të larta, bullgarët nuk heqin dorë nga përgatitja e ushqimeve të konservuara për dimrin

Foto: BGNES

Zakonisht vjeshta është stina më e mirë për konservimin e perimeve për dimrin. Pikërisht atëherë, ato janë të bollshme dhe çmimet e tyre janë më të përballueshme. Në Bullgari tradita e përgatitjes së ushqimeve të konservuara për dimrin ka të bëjë me mentalitetin e bullgarit, të cilit nuk i pëlqejnë aspak surprizat dhe ai gjithmonë kërkon të kursejë diçka për “ditët e zeza”. Ajo është veçanërisht e përhapur tani, kur pasiguria ndihet kudo dhe vazhdimisht dëgjohen paralajmërime për një dimër të ashpër. Që në fund të shtatorit u rritën çmimet e specave të kuq dhe specave gogozhare, çmimet e domateve të konservuara, të cilat vitin e kaluar nuk e kalonin një levë, tashmë janë dyfishuar. U rritën edhe çmimet e ushqimit të gatshëm të konservuar.

Sipas Komisionit Shtetëror të Tregjeve të Mallrave, indeksi i çmimeve të tregut është rritur me 31% me bazë vjetore, por kjo nuk i pengon njerëzit për të konservuar ushqim për dimrin, edhe pse më pak se zakonisht. Dhe nëse deri vite më parë turshitë bëheshin sipas recetave familjare për të pasuruar menynë e dimrit, tani ato janë një mjet mbijetese në kaosin ekonomik dhe politik në Bullgari.

Kryeqytetasit, të cilët vitet e fundit patën mundësinë për ta shijuar bollëkun e ofruar në tregjet e fermerëve nga prodhuesit sipërmarrës, tashmë “po përveshin mëngët” për të përgatitur konserva për stinën dimërore.

Ndër gjellët më të njohura të vjeshtës janë specat e kuq të pjekur dhe specat gogozhare, specat djegës dhe sigurisht turshia mbretërore. Ajo e fundit, që bëhet me karota, speca gogozhare, selino dhe lulelakër, kombinon një gamë të tërë probiotikësh, prebiotikësh dhe vitaminash - një mbrojtje e sigurt kundër viruseve të ndryshme sezonale. Turshitë përgatiten më ekonomikisht, për sa i përket energjisë elektrike, por prodhimi i së ashtuquajturës “ljutenica” (salcë prej domatesh dhe specash të pjekur) në shtëpi gjithmonë kërkon më shumë punë dhe po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë, përveç nëse gatuhet në dru në sobën e vjetër të fshatit.

Nga ana tjetër, për shkak të bollëkut gjatë gjithë vitit të frutave dhe perimeve, sallatat e freskëta janë gjithnjë e më të pranishme në tryezën bullgare. Prandaj amvisat filluan të përgatitin ushqime dimërore në sasi më të vogla. Përveç kësaj, këtë vit, rreth 80 - 90% e prodhuesve vendas të perimeve serrë nuk e mbollën prodhimin e tyre dimëror. Si arsye për këtë ata tregojnë rritjen e çmimit të gazit, peletit dhe energjisë elektrike, të cilat janë rritur tre deri në katër herë dhe ka të ngjarë që çmimi i tyre të vazhdojë të rritet. Për këtë arsye këtë herë prodhuesit preferuan të mos rrezikonin, për të shmangur falimentimet e mundshme.

Kështu bullgari, i cili dalëngadalë e harron shijen origjinale të perimeve bullgare, do të detyrohet, natyrisht, nëse mjetet e tij financiare e lejojnë, të blejë domate nga Turqia dhe Greqia, dhe nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut - analogun e ljutenicës së bërë në shtëpi.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto:  BGNES, BNR, arkiv

Më shumë nga rubrika

Bullgaria ka përparuar me tetë hapa në shkallën e lumturisë

Bullgaria përparon me 8 pozicione në renditjen e nivelit të lumturisë tështeteve të ndryshme, të përgatitur me urdhër të OKB-së. Sondazhi mat ndjesinë e kënaqësisë së qytetarëve me jetën, ku treguesit lidhen jo vetëm me produktin e brendshëm bruto..

botuar më 23-03-25 9.05.PD

Ungjillëzimi i Hyjlindëses lidhet ngushtë me bamirësinë

Festa e ndritur e Krishterë e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, të cilën e kremtojmë çdo vit më 25 mars, është ndër festat e preferuara pranverore të gjithë botës së krishterë. Nëpërmjet Virgjëreshës Mari, e zgjedhur si më e pastërta e virgjëreshave,..

botuar më 23-03-25 6.10.PD

“Ora e Tokës” – fikim dritat dhe sjellim dritë mbi problemet e specieve në zhdukje

Më 25 mars do të fikim dritat për një orë për të mbështetur planetin, por në të njëjtën kohë të sjellim dritë mbi problemin e habitateve të kufizuara të kafshëve të egra në Bullgari. Në kuadër të fushatës globale “Ora e Tokës”, organizata për..

botuar më 23-03-25 5.15.PD