Shkaba të zeza, të sjella nga Spanja, tashmë po fluturojnë në qiellin mbi Bullgarinë dhe më në fund ndihen të lirë në mjedisin e tyre natyror. Pak ditë më parë, 14 ekzemplarë të bukur të zogut grabitqar më të madh dhe më të rëndë në Kontinentin e Vjetër, u liruan pas një periudhe përshtatjeje. Ideja është që zogu të kthehet përfundimisht si specie mbarështuese në Rodopet Lindore. Ekspertët nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Zogjve, OJQ-ja spanjolle GREFA (Grupo de Rehabilitación de la Fauna Autóctona) dhe Fondacioni “Rodope më të egra” janë duke bashkëpunuar në projekt.
Përshtatja e zogjve zgjati gati gjashtë muaj në një kafaz të ndërtuar posaçërisht midis qyteteve Maxharovo dhe Ivajllovgrad në Rodopet. Megjithatë, kalimi nga një jetë e mbyllur në të egër nuk është aspak i lehtë. Duhet të bëhet pa probleme dhe pa stres të panevojshëm për zogjtë. Për këtë qëllim përpara kafazit vendoset ushqimi dhe hapen dyert me kujdes, duke siguruar qetësi në zonë.
“Momenti kur hapëm dyert e kafazit dhe zogjtë e parë kaluan pragun e tij për t’u përballur me jetën në natyrë ishte shumë emocionues edhe për ne”, tha për BNR Kërxhali Volen Arkumarev nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Zogjve, i cili me dashuri i quan shkabat “të rinjtë”.
“Të rinjtë”, si te njerëzit, janë krejt të ndryshëm në karakter dhe këto dallime i shohim në sjelljen e tyre pas lirimit. Disa filluan të mësohen shumë shpejt me natyrën e egër, duke kaluar natën nëpër pemë në vende të sigurta, duke bërë rrotullime, duke fluturuar. Ndërsa të tjerë dolën të ishin më shumë të lidhur me vendin ku u lëshuan. Disa herë një nga shkabat madje u kthye në kafaz për të kaluar natën aty ku u mësua. Por shumica e shpendëve po përshtaten mirë deri më tani. Pothuajse menjëherë pas lirimit, ata patën takimin e tyre të parë me shkaba të zeza të egra që fluturuan nga Parku Kombëtar Dadia në Greqi, ku folezojnë. Ata vizituan shkabat e sapo lëshuara dhe u dhanë disa mësime fluturimi, të cilat u pritën mirë nga “të rinjtë” tanë”, tregon Volen Arkumarev.
Shihni hapat e parë të lirë të “të rinjve” jashtë kafazit të tyre, të filmuara nga një ekip i Shoqatës Bullgare për Mbrojtjen e Zogjve:
“Kanë marrëdhënie shumë interesante me korbat, të cilët i vizitojnë dhe i ngacmojnë pak – u heqin pendë nga bishti, i kontrollojnë sa do të zgjasin nervat e tyre. Por shkabat e zeza po ecin shumë mirë në natyrë dhe deri më tani nuk kemi asnjë problem apo shqetësim për ta.”
Disa nga shkabat e lëshuara u çelën në qendrat e mbarështimit në Spanjë, ndërsa të tjerat u gjetën në vitin e parë të jetës së tyre me lëndime ose të rraskapitur, pas së cilës u trajtuan në një qendër rehabilitimi, mësojmë nga Volen Arkumarev. Dhe një gjë tjetër kurioze nga jeta dhe qenia e zogjve të sapoliruar:
“Edhe pse janë shumë të vegjël – vetëm një apo dy vjeç, disa prej tyre tashmë filluan të tregojnë afërsi që në kohën e adaptimit. Ne kemi dy çifte të mundshme çiftëzimi - një mashkull dhe një femër që qëndrojnë afër njëri-tjetrit, duke i dhënë njëri-tjetrit dhurata të vogla. Këto janë treguesit e parë të çiftëzimit, por është ende shumë herët për ta. Sepse shkabat fillojnë të formojnë çifte vetëm rreth vitit të katërt. Për më tepër, është shumë inkurajuese që ata mësuan shpejt të kalojnë natën jo në tokë, por të ngjiten në pemë, për shkak të grabitqarëve të shumtë që enden në zonë”, shpjegoi Volen Arkumarev.
Shikoni më shumë:
Përpilues: Veneta Nikollova (sipas intervistës së Stanisllava Georgieva nga BNR-Kërxhali)
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: bspb.org
Me afrimin e dimrit, shumë njerëz në Evropë po pyesin se si do të ndikojë sezoni në portofolin e tyre dhe nëse do të detyrohen të zgjedhin, për shembull, midis një shtëpie të ngrohtë apo një frigoriferi të plotë. “ Familjet bullgare, si dhe familjet..
Jeta e miliona njerëzve anembanë botës, që jetojnë në kushte lufte, urie, sëmundjesh dhe dëshpërimi të pamasë, është në rrezik çdo ditë. Emigrantëve nga vende të tilla ne shpesh u afrohemi me armiqësi dhe jo me mirëkuptim. Ajo që ata kanë përjetuar..
Më shumë se 1000 njerëz janë përfshirë në fazën pilot të projektit “Gjenomi i Bullgarisë”, i cili synon të mbledhë dhe analizojë një mostër përfaqësuese të gjenomave të bullgarëve bashkëkohorë. Me iniciativën, vendi ynë do të kontribuojë në një projekt..
Secila prej tyre sjell ngrohtësi dhe ngjall emocione, sepse është bërë me dorë dhe është e papërsëritshme dhe unike. Dhe shkëlqimet e saj të argjendta..