Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Çfarë dimë për strukturat megalitike të malit Sërnena Sredna Gora?

Foto: Veneta Nikollova

“Porta Diellore”, “Gurët e Pingultë”, “Shenjtërorja e Jargavanit”, “Veza e Kuçedrës” ... - të gjithë këta janë emra të megaliteve trake të shpërndara në malin Sërnena Sredna Gora. Disa nga këto objekte të lashta janë eksploruar dhe tashmë janë të aksesueshme, falë shtigjeve me tabela udhëzuese të krijuara nga Komuna e qytetit Brezovo. Por të tjerët ende dremitin në palosjet e malit, të patrazuar nga koha, kureshtja njerëzore dhe shkenca. “E gjithë zona është e sapo zbuluar për trakologjinë. Deri para 12 vitesh askush nuk e dinte se këtu ka megalite”, thotë Radnju Shopov nga Qendra Turistike në Brezovo.

Pranë fshatit Rozovec

Për megalitet në malin Sërnena Sredna Gora filloi të flitet kohët e fundit, falë punës kërkimore të historianëve vendas në bashkëpunim me trakologjen profеsha Valerija Foll. Kështu, po dalin dëshmi të mahnitshme të një qytetërimi shumë të zhvilluar me njohuri dhe aftësi inxhinierie, të cilat ngjallin admirim dhe ... hutim.

Objekti më i njohur në këtë zonë është “Shenjtërorja e Jargavanit” me të ashtuquajturat Pllakë Dielli - një bllok guri prej dy metrash i gdhendur mijëra vjet më parë me saktësi matematikore në formën e një flake të drejtuar nga jugu. Guri përmban mikë dhe kur dielli shkëlqen mbi të në solsticin e verës, ai shkëlqen në një mënyrë të veçantë, mësojmë nga Radnju Shopov. Aty pranë hasim kompleksin e kultit trak “Veza e Kuçedrës” me një vezë gjigante prej guri të vendosur në një gropë të gdhendur posaçërisht në shkëmb:

Kazani i vogël i Shenjtërores së Jargavanit

“Për trakët e lashtë veza kishte një rëndësi astrale – thotë Shopov. – Ata mendonin se zanafilla e jetës në tokë është nga një vezë e tillë. Rreth 100 metra në jug të vezës ka një tryezë altari dhe një gur altari. Atje trakët e lashtë u ofronin dhurata perëndive. Dhuratat e lëngshme vendoseshin në koritë nën vezë dhe dhuratat e ngurta vendoseshin në tryezën rituale.”

Radnju Shopov kujton se si aksidentalisht zbuloi të ashtuquajturën “Porta Diellore” mbi fshatin Rozovec. Grumbulli guror ka një çarje vertikale të krijuar nga dora e njeriut. Një bllok i madh është vendosur midis mureve të tij në mënyrë që të formojë një kalim ose derë për në jetën e përtejme. Në shkëmb trakët gjithashtu gdhendën një imazh të një disku dielli.

Veza e Kuçedrës

“Në muajin dhjetor 2018, teksa ishim në shëtitje me një shok, rastësisht na ra në sy “Portën e Diellit”. Ajo ishte e mbështjellë në një shkurre të madhe. E pastruam dhe u hap ky kalim. Ne ecëm nëpër të dhe kur pamë diskun e gdhendur të diellit përballë, tekstualisht mbetëm pa fjalë. Një vit më pas e çuam profesoreshën Foll në këtë vend dhe ajo tha se ishte një objekt unik. Trakët besonin se një person mund të kalonte nga bota jonë në të përtejmen përmes një dere që hapej në një ditë të caktuar të vitit. Në këtë mënyrë Orfeu kaloi nga një botë në tjetrën dhe gjeti Euridikën”, tregon Shopov.

Në pyllin pranë fshatit Rozovec fshihet një gotë gjigante. E quajnë Kupa ose “Kupa e Perëndive”. Pranë saj u gjetën gjurmë të një ene tjetër të ngjashme. Supozohet se është përdorur për pagëzim në Mesjetë. Por ekziston një teori sipas së cilës ajo daton në kohën e trakëve, të cilët e përdornin si enë kulti. “Dhe hipoteza më e pabesueshme është ajo e një shkencëtari rus, sipas të cilit një racë gjigantësh 3-4 metra ekzistonte para nesh në Tokë dhe ata përdornin këtë enë, e cila nuk i përket qytetërimit tonë”, thotë Shopov.

Porta Diellore mbi fshatin Rozovec

Askush nuk e di ende se sa struktura misterioze, të cilat për mijëvjeçarë fshihen në pyjet e malit Sërnena Sredna Gora, presin të zbulohen për të treguar të paktën një pjesë të vogël të historisë së qytetërimeve të lashta që banonin në tokat tona.

Shikoni videon me disa nga strukturat antike më interesante të shpërndara në lartësitë e malit Sërnena Sredna Gora.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto dhe video: Veneta Nikollova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Zbulimet e fundit arkeologjike në Kështjellën Urviç ringjallin legjendat për mbretin Jasen

Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës së Djallit ndodhet kodra Srednobërdie. Aty lumi Vedena derdhet në lumin Iskër dhe malet Lozen dhe..

botuar më 24-11-24 10.35.PD

Familja e krishterë forcon marrëdhënien me Zotin

Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..

botuar më 24-11-21 7.35.PD

Misioni sekret i zepelinit L 59 apo si Jamboll hyri në histori me një rekord botëror

Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..

botuar më 24-11-11 7.05.PD