Para pak ditësh primabalerina e Operës dhe Baletit të Sofjes, Marta Petkova, festoi ditëlindjen e saj të 37-të me dy role të reja – në jetë dhe në art. Nga tetori i vitit 2022, ylli pranoi postin e drejtoreshës artistike të Baletit të Operës së Sofjes - një vendim që alarmoi fansat e saj besnikë. A nuk vendosi Marta, në kulmin e karrierës së saj, të hiqte dorë nga kërcimi për të pranuar këtë post, pyesin adhuruesit e baletit. Marta Petkova nxitoi t'i qetësonte: "Vazhdoj të kërcej!". Disa muaj më vonë ajo shtoi:
“U futa në këtë sipërmarrje timen mjaft befas, pothuajse pa asnjë përgatitje, po mësoj tani, nuk kam pasur një plan-projekt me premiera të planifikuara. Gjërat ndodhin me hapa të shpejtë”.
Si drejtoreshë, Marta Petkova dëshiron të aplikojë traditën e Operës së Madhe Franceze, ku prezantohen solemnisht primabalerinat e reja.
“Për mua është shumë bukur që ky prezantim të bëhet një ngjarje që ndahet me publikun dhe me artistët – një lloj befasie”, shpjegon drejtoresha e Baletit të Operës së Sofjes.
Tani për tani, roli i ri i administratorit nuk ndikon në karrierën artistike të Marta Petkovës. Madje tani ajo shfaqet si Anna Karenina në baletin me të njëjtin emër të koreografit kroat me famë botërore Leo Mujić.
Marta Petkova renditet ndër balerinat më të mëdha bullgare të të gjitha kohërave, por fillimi i saj në artin e baletit është kurioz.
Si fëmijë, ajo u refuzua nga pedagogët e rreptë – ndjekës të shkollës së baletit rus. Megjithë aftësitë e saj koreografike dhe muzikore, Marta 9-vjeçare nuk u miratua nga komisioni i pranimit në Shkollën Kombëtare të Artit Koreografik, jo një, por dy herë!
"U paraqita pa asnjë përgatitje. Kalova në raundin e tretë dhe dështova në "improvizim", thotë ajo. - Nuk jam e sigurt nëse doja të bëhesha balerinë në atë kohë. Por u trishtova që nuk më pranuan.”
Marta shkoi në mësime baleti, u shfaq sërish dhe ... përsëri nuk e miratuan. Këtë herë arsyeja ishte mjekësore – në ekzaminimin e detyrueshëm mjekët kanë konstatuar se shpina e vogëlushes nuk është aq e fortë sa për të kërcyer.
Ndoshta Bullgaria i detyrohet lindjes (dhe jo vetëm fjalë për fjalë) të yllit të madh të baletit ndërhyrjes së babait të Martës - Petko Petkov. Duhet të kujtojmë se Petko Petkov është një muzikant i njohur bullgar pop, themelues i grupit “Tramvaji Numër 5”, në atë kohë në kulmin e famës së tij, ndërsa nëna e saj, Ani, është një balerinë profesioniste.
I zemëruar, babai shkoi të ankohet te ministri i kulturës Georgi Kostov - një mik i tij. Më pas erdhi një takim me drejtorin e shkollës së baletit. Doli që edhe pa ndërmjetësim ajo do të kishte hyrë si një nga rezervat e para. Kështu, në vitin 1995, Marta u regjistrua në Shkollën Kombëtare të Artit Koreografik – në atë kohë me emrin Shkolla Koreografike Shtetërore, në klasën e Rumjana Atanasovës.Talenti i saj u shfaq shpejt dhe në vitin 1999 ajo ishte finaliste në Garat Ndërkombëtare të Baletit në Talin-Estoni dhe në Luksemburg. Vijuan edhe çmime të tjera.
Viti 2002 ishte i mirë për balerinën e re – Marta Petkova mori çmimin e madh në festivalin ndërkombëtar "Fivisiano" /Itali/ dhe u emërua në trupën e Operës dhe Baletit të Sofjes - në atë kohë ajo ishte vetëm 16 vjeç, dhe pesë vjet më vonë u bë primabalerinë.
Për 16 vitet e ardhshme, ajo vallëzoi në mbarë botën, duke interpretuar role kryesore nga i gjithë repertori klasik.
Në vitin 2019, Marta mori çmimin e saj të dytë “Lira e Kristaltë” për kontributin e përgjithshëm në artin e baletit. I pari që mori në 2011 ishte për rolin e saj në baletin "Liqeni i Mjellmave".
“Operën dhe Baletin e Sofjes gjithmonë i kam ndier si shtëpinë dhe familjen time. Pavarësisht ftesave të shumta për të punuar në teatro të mrekullueshëm, për mua kjo është shtëpia ime dhe ndihem jashtëzakonisht e lumtur me njerëzit me të cilët punoj dhe me të gjithë ekipin e operës”, thotë primabalerina.
Por Marta nuk gëzon vetëm familjen e saj të punës. Ajo është nëna e vajzës adoleshente Bozhidara, të cilën e ka rritur vetë... me ndihmën e familjes së saj të vërtetë, sigurisht.
Për momentin ajo është e zhytur në përgatitjen e shfaqjes së Leo Mujić, pasi ka shumë detyra të reja si drejtore artistike.
"Marta punon jashtëzakonisht shumë. Mënyra se si lëvizin këmbët e saj, si duket trupi i saj, sa ekspresive është ... - koreografi kroat Leo Mujić vazhdon ta lavdërojë atë. - Përkushtimi i saj ndaj profesionit është i jashtëzakonshëm. Kjo është një balerinë e madhe. Ju, bullgarët, duhet të jeni të lumtur që kjo vajzë vendosi të qëndrojë këtu dhe nuk e them si kompliment.”
Për fat të mirë të publikut bullgar, Marta Petkova tani për tani nuk ka ndërmend të largohet nga vendi. “Më pëlqen më së shumti kërcimi në Bullgari”, thotë ajo.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Facebook/marta.petkova,Svetosllav Nikollov, Ani Koliër, Facebook/Pallati Shtetëror i Kremlinit
Çdo vit në prag të festës së vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metodi, të alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare dhe letërsisë sllave - 24 maj, një delegacion bullgar i kryesuar nga kryetari i Kuvendit ose kreu i shtetit priten në audiencë nga kreu i..
Casa Bulgara ose Shtëpia Bullgare zë një vend kryesor në guidat e kuzhinës në São Paulo - qyteti më i madh në Brazil me mbi 12 milionë banorë. Mëngjesorja ka gati gjysmë shekulli që ndodhet në të njëjtën adresë dhe është në pronësi të 75-vjeçares..
Ichak Finci ka lindur më 25 prill, pjesë e të ashtuquajturit “brezi i artë” i aktorëve bullgarë. Për udhëtimin e tij 91-vjeçar në tokë, Icko Finci le gjurmë të dallueshme në jetën teatrale, filmike dhe kulturore bullgare. Ai ka lindur në Sofje,..
Në festën e Hyrjes së Nënës së Zotit në Tempull më 21 nëntor sipas Kalendarit Gregorian dhe Ditën e Kryeengjëjve Mihaill dhe Gavrijil sipas Kalendarit..