Nëse do të përpiqemi ta shprehim përmes një melodie historinë e bullgarëve të Besarabisë, ajo do të prekë thellë shpirtin me lirikën e saj të butë, që ka mbledhur shumëndodhi ndër vite. Që nga vendosja e tyre brenda kufijve të Perandorisë Ruse, pas luftërave ruso-turke në fund të shekullit të XVIII-të dhe gjysmës së parë të shekullit të XIX-të, përmes luftërave botërore, kur kaluan në kufijtë e vendeve të tjera, deri në lëvizjet ushtarake në Ukrainën e sotme, ata e ruajtën Bullgarinë në zemrën tuaj.
Rrënjët e tyre ndodhen në atdheun e paraardhësve të tyre në Bullgari dhe trojet e Dobruxhës, Sllivenit, Jambolit dhe Thrakës së Odrinit, ndërsa jeta e tyre në Bollgrad, Izmail dhe Odesë, ku jetojnë në komunitete dhe ruajnë gjuhën dhe kulturën bullgare në qendrat kulturore që krijuan. Dhe këngët bullgare burojnë thellë nga shpirti i tyre, i cili me trishtim tregon për peripecitë e ekzistencës së tyre të vështirë. Kështu tingëllojnë edhe shfaqjet e 19-vjeçares Biljana Miteva nga Izmaili, me të cilën publiku bullgar u njoh në koncertin bamirës "Së bashku për Ukrainën", organizuar në mars të vitit të kaluar nga BNR dhe BNT në Teatrin Kombëtar.
Disa muaj para luftës, në tetor 2021, Biljana erdhi në Sofje për të studiuar në degën për këndim pop dhe xhaz në Akademinë Kombëtare të Muzikës "Prof. Panço Vlladigerov". Zgjedhja e saj për të ardhur në Bullgari ndodhi disi në mënyrë të natyrshme:
“Meqenëse jam bullgare e Besarabisë, motra ime studionte këtu dhe vendosa që do të ishte shumë interesante të njihja vendlindjen e paraardhësve të mi, të shikoja se si janë njerëzit këtu, si jetojnë. Vështirësia ime e parë ishte me gjuhën, shumë më ndryshe sesa tek ne, por njoha shumë miq të mirë që më ndihmuan, ishin pranë meje që në fillim dhe vazhdojnë të më mbështesin - thekson Biljana me buzëqeshje dhe shton sinqerisht: - Ka shumë njerëz të mirë, të cilët janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar.”
Për momentin babai dhe gjyshërit e saj ndodhen në Ukrainë, ndërsa nëna me të vëllanë, kur kanë mundësi të udhëtojnë, vijnë për ta takuar, por për pak kohë. Pyetja nëse do të kthehet në Izmail apo do të qëndrojë në Bullgari varet ende nga shumë rrethana për të cilat ajo preferon të mos flasë:
“Në përgjithësi, do të doja të kthehesha dhe të takoja të afërmit e mi, por këtu në Bullgari kam hapur një faqe të re të jetës sime - thekson Biljana dhe përpiqet ta shikojë pozitivisht të tashmen e saj. - Unë kam shokë. Më pëlqen gjithçka në Akademi, njerëzit janë të mrekullueshëm. Secili profesor ka mënyrën e tij të mësimdhënies, të komunikimit me studentët dhe kjo është gjë shumë e bukur”.
Në botën e muzikës, Biljana duket se ka gjetur strehën që mbron shpirtin e saj nga dhimbjet, vuajtjet dhe nga bota gjithnjë e më agresive në të cilën njerëzit përpiqen të mbijetojnë çdo ditë. Prandaj, ëndrra e saj është të largojë trishtimin më anë të këngëve e saj:
“Do të doja të krijoja muzikë nga shpirti – për shpirtin e njerëzve të tjerë.
Për shkak se kohërat janë të vështira, shumë gjëra të pakëndshme ndodhin në jetën tonë dhe do të doja që njerëzit të mos ndiheshin keq, të paktën për pak çaste, duke dëgjuar këngët dhe muzikën time. Tani çdo gjë është shumë e paqartë, nuk di si të reagosh, çfarë të bësh. Edhe nëse mendon diçka, rrethanat mund të jenë të tilla që nuk të lejojnë ta bësh dhe kjo është shumë e trishtueshme”.
Prandaj, në fund të bisedës sonë të shkurtër, Biljana u uron bashkatdhetarëve të saj në Ukrainë durim, forcë dhe të mos humbasin besimin "dhe gjithçka do të rregullohet, gjithçka do të jetë mirë!"
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Darina Grigorova, Ani Petrova
Pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, vendi ynë filloi të zhvillohet me ritme të shpejta për të kompensuar mungesën pesëshekullore nga harta historike e botës. Të rinjtë bullgarë diplomoheshin në universitete prestigjioze evropiane dhe ktheheshin..
Ndryshimet në Ligjin për Energjinë, të miratuara nga Kuvendi, shtynë fillimin e periudhës së tranzicionit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për një vit tjetër – deri në 1 korrik 2025. Ndryshimet duhet të ofrojnë një mundësi graduale për..
Çdo fëmijë ëndërron të ketë gjithë kohën e botës për të luajtur dhe për të shijuar shumë ëmbëlsira. Një nga më të dashurat, natyrisht, është e Madhërishmja - Çokollata. Për shumë njerëz sot, çokollata është një burim i vazhdueshëm lumturie, sepse..