Madani, i njohur si një qytet minierash, e ka kthyer jetesën e popullsisë vendase në një atraksion turistik falë një muzeu.
Pikërisht 40 vjet pas ndërprerjes së punës, miniera vendase zgjohet për një jetë të re duke kujtuar të kaluarën e afërt në një ekspozitë. Që nga fundi i vitit 2022, të gjithë mund të vizitojnë Muzeun e Minierave në qytetin e Madanit të zonës së Rodopeve për të mësuar mbi jetën e minatorëve, të karakterizuar nga puna e palodhur dhe rreziku i aksidenteve. Jo rastësisht miniera e vjetër në qytet mori emrin “Sukses”. Në hyrje, turistët pajisen me helmetën e detyrueshme të sigurisë përpara se të hyjnë në botën nëntokësore. Aty i presin figura minatorësh të angazhuar me aktivitete të ndryshme.
“Minieraështë 140 metra e gjatë – tha BNR udhëheqësi i projektit, Biser Kurdxhiev. - Ka një hekurudhë dhe të gjitha pajisjet janë funksionale – mund të lëshohen kompresorët, agregatet, pistoletat…e gjithë kjo funksionon edhe sot e kësaj dite. Njerëzit janë të interesuar të dinë për jetën e minatorëve, si e sigurojnë jetesën e tyre. Mund të shihen përforcime mbështetëse dhe lidhëse që janë përdorur në miniera, kemi prej betoni, metali, harqe metalike me lidhëse druri etj. Gjithçka funksionon ende nën tokë në ditët e sotme!”
Kristalet e bukura të gjetura qindra metra nën tokë në rajonin e Madanit mund të shihen në Sallën e Kristalit, e krijuar që në vitin 1984. Turistët janë më të impresionuar nga dizajni i sallës, nga mënyra se si janë vendosura eksponatet:
"Ka rreth 600 eksponate në sallën tonë - thotë kuratorja Asja Millanova. Të gjitha janë të ndryshme, nuk ka të përsëritura. Nuk ka kristale identike - këto janë krijimet e nënës natyrë, e cila ka punuar për miliona vjet, dhe ato janë vërtet unike. Të pakëta janë minierat si kjo, ku mund të shohim galenite dhe svaleriti me rrjetat e tij unike kristalore. Kristalet tona "dëshirojnë" të jenë në një mjedis natyror. Ato gjenden thellë nën tokë dhe "duan" të jenë në errësirë dhe pa ndryshim të menjëhershëm të temperaturës, pa dritë diellore, sepse në disa kristale ka prani mangani dhe nëse ekspozohet në dritë, zbehet, plasaritet, i ikën shkëlqimi. Ndër eksponatet interesante janë gurët tanë gjysmë të çmuar, kleofani, të cilët nuk shihen dot me sy të lirë. Ne kemi të verdhë, jeshile dhe kafe. Kur e lëmë kleofanin në rrezet e diellit, ai karikohet dhe kur e çojmë në errësirë, ai vazhdon të shkëlqejë."
Përveç muzeut të sapohapur nëntokësor "Sukses" dhe Sallës së Kristalit, mysafirët e Madanit mund të vizitojnë edhe atë që ndodhet rreth 2 km larg nga shpella e qytetit "Sharenka". Në të mund të njihen me mënyrën sesi trakët nxirrnin minerale në këtë pjesë të Rodopeve që në epokën e bronzit /16-12 p.e.K./.
Shpella “Sharenka” së fundmi është riparuar dhe siguruar. Sipas kryetarit të komunës Madan Fahri Mollajsenov, ideja është që komuna të tërheqë sa më shumë turistë në vendet turistike të sapohapura. Për këtë qëllim është planifikuar të krijohen eko-shtigje të reja në zonë.
Autore: Veneta Nikollova bazuar në materialin e Radostina Çernokovës nga programi "Horizont" i BNR-së
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Çmimet për konkursin "Shtëpia më e mirë malore" - një nismë e përbashkët e revistës “360Mag” dhe Unionit Turistik Bullgar - u dhanë në një ceremoni në “Shtëpinë e Kinemasë” në Sofje. Më shumë se 100 shtëpi dhe strehimore malore nga të gjitha..
Ditët e bukura të vjeshtës janë një kohë e mrekullueshme për të bërë një shëtitje përmes dyqaneve në Samovodska Çarshija në Veliko Tërnovo. Çarshia është krijuar që në mesin e shekullit të XIX-të, kur bujqit nga fshatrat përreth i nxirrnin prodhimet e..
"Sofja për fillestarët në 55 hapa" - kështu quhet turi turistik i kryeqytetit bullgar, i organizuar nga Ndërmarrja Komunale "Turizëm" (Visit Sofia). Turneu me këmbë falas është i përshtatshëm për njerëz të të gjitha moshave, zgjat 1 orë e 45 minuta..
Koka e statujës së perëndeshës së Filipopollit Tjuhe u zbulua në Bazilikën Episkopale në Plovdiv, njoftoi kreu i gërmimeve Ljubomir Merxhanov. Sipas..