Në orët e para të 105-vjetorit të themelimit të Ushtrisë së Kuqe, pllaka e monumentit të Ushtrisë Sovjetike në Sofje u thye nga një 61-vjeçar, në shenjë proteste kundër luftës së Rusisë në Ukrainë. Dhe në vend që të sanksionohej për këtë akt vandalizmi, autori u shndërrua në një yll mediatik dhe u shpërthyen pasionet rusofobe.
Të mbledhura rreth idesë së heqjes së monumentit, partitë politike panë një mundësi të përshtatshme për PR parazgjedhor dhe bashkim të kundërshtarëve ideologjikë. Ata mblodhën shpejt votat në Këshillin e Bashkisë Metropolitane dhe vendosën ta zhvendosin monumentin në Muzeun e Artit Socialist. Në ditën e votimit, qindra bullgarë u mblodhën para monumentit dhe godinës së Bashkisë së Kryeqytetit për të kundërshtuar vendimin. Argumenti i tyre kryesor ishte se ky nuk është një monument i Rusisë, por i Ushtrisë së Kuqe, falë së cilës Evropa u çlirua nga nazizmi.
“Atëherë Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike ishte aleat me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe - vëren Vanja Grigorova, një eksperte ekonomike. - Nuk e kuptoj se si ndërthuret në kokat e këtyre këshilltarëve bashkiakë, përkulje ndaj SHBA-së dhe refuzimi i Monumentit të Ushtrisë Sovjetike. Monumente të tilla ka në të gjithë Evropën Perëndimore, sepse roli i Ushtrisë së Kuqe në zhvillimin civilizues dhe demokratik të Evropës është i padiskutueshëm. Bashkimi Evropian nuk do të ekzistonte pa Ushtrinë e Kuqe. Gjëja tjetër që duhet ditur është se përbërja e kësaj ushtrie përfshinte grupe dhe popuj të ndryshëm etnikë nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, dhe një pjesë e madhe e Frontit të Tretë të Ukrainës, që hyri në Bullgari, përbëhej nga rreth 180 000 ushtarë ukrainas. Prandaj pyes kundërshtarët e monumentit: kundër kujt po e bëjnë këtë luftë? Kundër SHBA-së - një aleat i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike në Luftën e Dytë Botërore, kundër Ukrainës, e cila mori pjesë në përbërjen e Ushtrisë së Kuqe, apo ata ndjekin interesat gjeopolitike të një vendi të caktuar?”
Vanja Grigorova theksoi gjithashtu se politikanët kanë më shumë se 30 vjet që luftojnë monumentet dhe u bëri thirrje atyre që pretendojnë se mund të qeverisin me përgjegjësi dhe kujdes për qytetarët bullgarë në vend, të fokusohen në problemet reale të bashkëqytetarëve tanë dhe të harrojnë vijat pseudo ndarëse.
Sipas historianit Vojn Bozhinov, loja me monumentin është gjithashtu një manovër politike, e cila megjithatë mund të dalë jashtë kontrollit:
“Sinqerisht mendoj se disa politikanë tanë shtypën pedalin e gazit për shkak të zgjedhjeve. Të shpresojmë që me kalimin e tyre ata të vijnë në vete, por për fat të keq xhindi është tashmë jashtë shishes. Fati i monumentit do të bëhet një çamçakëz politik për shumë politikanë tanë të sektorit të djathtë. Fashizmi po kthehet në formën e disa vlerave dhe të kuptuarit se të gjithë duhet të jemi të barabartë në përmbushjen e këtyre vlerave, duke unifikuar gjithçka - opinionin, pikëpamjet.”
Një qëndrim të ngjashëm shprehu edhe mësuesja Milla Manollova:
“Heqja e monumentit do të thotë të harrojmë gjithçka që ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kthim të fashizmit. Ndaluan gjithçka ruse. Ndaluan televizionin rus, pyes - ku do të jetë turra për librat rusë që kam? Unë dua të dëgjoj dhe të shoh të dyja palët dhe të nxjerr konkluzionet e mia, dhe jo dikush të më diktojë se çfarë të mendoj, çfarë të lexoj dhe çfarë të bëj. Dhe ruajtja e kujtesës historike është e rëndësishme për mbijetesën tonë si popull. Një komb pa kujtesë nuk është komb.
Një numër i konsiderueshëm bullgarësh që janë kundër heqjes së monumentit shprehin qëndrim neutral, siç është Marija Bunkin, teologe për nga arsimi.
“Për mua është e rëndësishme që të kujtojmë gjithçka që ka ndodhur – ashtu siç ishte, pa propagandë, pa shtrembëruar të vërtetën. Cenimi i monumenteve për mua është vandalizëm. Monumentet duhet të mbeten ashtu siç janë, në mënyrë që ne dhe fëmijët tanë të kujtojmë atë që ndodhi dhe kështu të ndërtojmë të ardhmen tonë.”
Dhe përderisa kundërshtarët e monumentit e konsiderojnë atë një simbol të errët të totalitarizmit, që jep një interpretim të gabuar të së shkuarës sonë, historianët si Prof. Darina Grigorova theksojnë kuptimin e tij si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen:
“Monumenti i Ushtrisë Sovjetike nuk është vetëm një simbol i fitores mbi nazizmin. Nuk duhet harruar se ky është një monument që përkujton edhe Holokaustin e hebrenjve, sllavëve, ciganëve dhe LGBT-ve dhe është pak e çuditshme që Bullgaria, e cila i shpëtoi hebrenjtë e saj falë Kishës Ortodokse, shoqërisë dhe qeverisë bullgare, dëshiron të shemb monumentin e Ushtrisë së Kuqe, e cila çliroi hebrenjtë nga kampet e përqendrimit. Kjo logjikë është e çuditshme, për të mos them harresën e çoroditur. Gjeneratat e reja u sugjerohet se ky është një monument i komunizmit, por çfarë do të ndodhej nëse nuk do të korrte fitore Ushtria e Kuqe, në të cilën kishte edhe pjesëmarrje bullgare. Kjo është pjesë e historisë dhe fitores sonë. Prandaj monumenti në Sofje duhet të qëndrojë, si në Berlin dhe Vjenë, sepse qyteti është kryeqytet evropian dhe duhet të ketë një kujtim”, thekson prof. Grigorova.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, Darina Grigorova, arkiv personal
Bullgarët zgjedhin sot 240 deputetë, të cilët do të hyjnë në Asamblenë e 51-të Kombëtare. Për pjesëmarrje në zgjedhje janë regjistruar 19 parti dhe nëntë koalicione. Për një vend në parlament do të konkurrojnë 4 858 kandidatë, 3 480 burra dhe..
Sot, 26 tetori në Bullgari është dita e reflektimit para zgjedhjeve të shtatë radhazi parlamentare që nga prilli 2021. Në këtë ditë, votuesi ka mundësinë, pa ndikim të jashtëm, të vendosë për votën e tij në ditën e zgjedhjeve. Sot, si dhe në..
Tema e migracionit u përfshi sërish në axhendën evropiane në sfondin e presionit të shtuar ndaj Brukselit për të dhënë dritën jeshile për ta kufizuar atë. Thirrjet e një numri liderësh evropianë për një qasje më radikale ndaj migrantëve të paligjshëm..
Në kalendarin e Kishës Ortodokse Bullgare janë edhe tri ditë të veçanta në të cilat besimtarët i luten Zotit dhe japin lëmoshë në kujtim të të dashurve..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së..