Ditët e fundit, operatorët turistikë bullgarë kanë anuluar plotësisht programet e tyre për në Izrael, pas sulmeve të papritura terroriste të "Hamasit" dhe konfliktit ushtarak që pasoi. Linjat ajrore me kosto të ulët që operojnë në tregun bullgar gjithashtu kanë pezulluar fluturimet e tyre drejt Izraelit. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje qytetarëve bullgarë që të përmbahen nga udhëtimi drejt vendit të Lindjes së Mesme. Humbjet në industrinë tonë të turizmit pas mbylljes së tregut izraelit nuk janë llogaritur ende.
“Të gjithë kolegët tanë po i anulojnë programet me Izraelin në këtë moment. Gjithashtu, pres që qytetarët tanë që janë në territorin e Izraelit të kontaktojnë ambasadën tonë atje. Bullgaria nuk i ka pezulluar fluturimet çarter për sa kohë që të kenë ku të ulen avionat. Mund ta shihni se edhe avioni ynë qeveritar po fluturon gjithashtu. Bullgaria nuk i ka ndalur fluturimet. Kështu që qytetarët tanë kanë mundësi të largohen nga Izraeli”, tha Evelina Puleva nga Dhoma Rajonale e Turizmit në Burgas në një intervistë me Kalina Ençevën nga BNR-Burgas.
Dhoma Rajonale e Turizmit këshillon turistët, ekskursionet e të cilëve janë anuluar të mos t’i zërë paniku dhe të kontaktojnë operatorët turistikë për të gjetur mundësi kompensimi. Sipas Evelina Pulevës, pas pandemisë, bullgarët tashmë e dinë se si të veprojnë kur pushimet e tyre e anulohen.
“Kolegët nuk do të refuzojnë lëshimin e kuponëve për udhëtim, deri njëfarë pike do t'i rimbursojnë edhe turistët. Kështu që para ka. Mund të përdoret e gjithë paketa e mjeteve që është përdorur edhe në pandeminë Covid-19. Përveç kësaj, disa nga klientët tanë janë siguruar në rast se udhëtimi i tyre anulohet. Dhe në këtë rast bëhet fjalë për një force madhore dhe besoj se siguruesit do ta njohin dhe do t'i rimbursojnë njerëzit. Turistët kanë besim tek ne. Ju e patë se sa kupona u lëshuan gjatë pandemisë së Covid-19 dhe se si operatorët turistikë morën rimbursime, veçanërisht kompanitë serioze që drejtojnë programet drejt Izraelit. Tani e shoh që të gjithë kolegët tanë janë jashtëzakonisht të ndërgjegjshëm, ne punojmë në sinkron, ndërsa transportuesit reaguan shumë shpejt dhe menjëherë i kthyen turistët në Bullgari”.
Konflikti ushtarak po ndikon në fluksin turistik në të gjithë rajonin. Njerëzit filluan të anulojnë udhëtimet e tyre edhe drejt vendeve fqinje. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje bullgarëve që të shmangin udhëtimet në zonat në Jordani, pasi atje po zhvillohen demonstrata masive me masa të mëdha njerëzish të mbledhur për shkak të përshkallëzimit të fundit të luftës.
“Aktualisht jemi duke e monitoruar situatën. Nga kolegët në Egjipt morëm informacione inkurajuese se në resorte është qetë, por situata ndryshon çdo orë. Deri më tani, Egjipti nuk është hequr si destinacion. Por nuk kam shumë shpresa për Izraelin. Dhe nuk e di se çfarë programesh të planifikojmë për vitin 2024. Sa për turistët izraelitë që tradicionalisht vizitojnë bregun tonë të Detit të Zi, kjo mungesë sigurisht që do të ndikojë në mënyrë shumë serioze tek ne”, thotë Puleva.
Izraeli është ndër tregjet tona kryesore për zhvillimin e turizmit bullgar. Pas vitit 2022, rreth 174 mijë turistë nga Izraeli vizituan vendin tonë. Tani industria po përballet me një sfidë të re - si të kompensojë një ulje tjetër të numrit të turistëve, pas asaj të turistëve rusë me fillimin e luftës në Ukrainë. “Pyetje e vështirë, ia bëj vetes që kur situata u përshkallëzua! Ndoshta Turqia është një alternativë e mirë, por për mendimin tim Gjeorgjia është tregu që mund të zëvendësojë Izraelin”, përfundon Evelina Puleva.
Lexoni më tepër :Përktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Vendpushimi “Albena” në bregdetin veriore bullgar festoi përvjetorin e tij me 11 mijë turistë, njoftoi BTA. Shumica e të ftuarve janë nga Gadishulli Skandinav, po rritet edhe numri i francezëve, çekëve dhe polakëve. Turistët bullgarë dhe rumunë kanë..
Bazilika Episkopale e Filipopolisit është një shembull i gjallë se si mbështetet zhvillimi i turizmit kulturor bullgar, tha ministri në detyrë i turizmit Evtim Milloshev në takimin me Nancy Schiller, presidente e Fondacionit "Amerika për..
Duke filluar nga kjo verë, vizitorët në Vraca mund të eksplorojnë qytetin malor përmes turneve plotësisht falas me guidë sipas modelit të turneve të ngjashëm që ofrohen në qytetet kryesore evropiane . Ideja është që vizitori i cili është ne..
Veliko Tërnovo është qyteti me pamjet më kulturore dhe historike në Bullgari. Nuk ka njeri në vendin tonë që nuk emocionohet kur hyn në Kryeqytetin e..
Vendet turistike përgjatë bregdetit bullgar të Detit të Zi mund të ndahen në dy kategori - moderne, të shquara për rrugët e tyre të zhurmshme dhe..