Njohja e botës që na rrethon, nëpërmjet kontaktit personal, është njohuria më e vlefshme dhe ndjenja më e plotë jetësore, ndërsa rruga më e shkurtër drejt tyre është udhëtimi. Për këtë është i bindur edhe Vencisllav Iliev nga Shumen. 38-vjeçari bullgar ka vite që udhëton globin, i pajisur vetëm me një biçikletë, një çantë shpine, një aparat fotografik dhe entuziazëm të madh. Çdo vend, çdo ndalesë natyrore dhe çdo njeri që takon gjatë udhëtimeve të tij të gjata, ai i ruan nëpërmjet fotove dhe historive për t'i ndarë më pas me ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Dhe pas përfundimit të një kapitulli tjetër të jetës së tij, ai bën edhe ekspozita profesionale.
Në biografinë e tij të një udhëtari, Venci tashmë ka arritur të kalojë qindra kilometra përgjatë rrugës së pelegrinazhit të Shën Jakobit, "pushtoi" Evropën disa herë me biçikletë, bëri një udhëtim në Marok dhe gati dhjetë vjet më parë arriti me dy rrota deri te Rrethi Polar Verior. Në fillim të kësaj vjeshte ai u nis sërish në udhëtim.
“Këtë herë, krejt instinktivisht, vendosa të shëtis në një pjesë të Mesdheut me biçikletë – Sicili, Korsikë, Sardenje dhe një pjesë të Greqisë, ku nuk kam qenë kurrë më parë.
Ky është udhëtimi i parë që nuk ka fillim, mbarim dhe kohëzgjatje të planifikuar dhe kilometra të parashikuara”, i thotë Vencisllav Ilev koleges sonë Zdravka Ruseva nga BNR-Shumen.
Bullgari tashmë është duke kaluar pjesën e parë të rrugës së tij të re për në Greqinë fqinje. Qëllimi i tij është të ngasë biçikletën, t'i japë mendjes mundësinë për të pushuar nga përditshmëria gri dhe, si gjithmonë, të kënaqet dhe të filmojë tinguj dhe peizazhe interesante urbane dhe natyrore. Sepse përveçse një udhëtar i zjarrtë, Venci e përkufizon veten edhe si një dashamirës i natyrës.
Biçikleta ka vend për çdo gjë – tendën, bagazhin dhe pajisjet e fotografimit. Për të karikuar pajisjet e tij, ai ka instaluar panele diellore në biçikletën e tij. Ai thotë se vështirësitë në rrugë i lufton përmes intuitës së tij.
"Shumica e veshtiresive kane te bejne me gjetjen e ujit. Ngjitjet e medha ne mal jane veshtiresia me e madhe (fizike), por une mund ta kapercej. Ne Greqi me sa jam informuar nuk ka rruge biçikletash. E mira është se kanë ndërtuar rrugën kryesore E 90, e cila është shumë e përshtatshme për çiklizëm, pasi në secilën prej korsive ka rreth gjysmë metër të lënë për përdorim nga çiklistët”, shpjegon Venci. Megjithatë, ai sqaron se në rrugët e Gadishullit Ballkanik duhet të jesh gjithmonë vigjilent dhe veçanërisht i kujdesshëm.
Pak ditë pas fillimit të aventurës së tij mesdhetare, bullgari pranon se tashmë është mahnitur nga pamja e Kavallës nga e cila "zbret" për në detin Egje. Ai e krahason atë që ka parë me peizazhet e qeta të rivierës franceze dhe italiane të Alpeve të cilat zbresin në detin Mesdhe "Të njëjtat ngjitje, zbritje, kthesa. Ndryshimi është se këtu rruga është më e gjerë se e tyre” – pranon me buzëqeshje udhëtari. Që të bindemi edhe ne ky rrugëtim do të dokumentohet, përshkruhet dhe postohet nga Venzi në rrjetet sociale. Dhe kështu, me një çantë shpine dhe me timon biçiklete përpara, bullgari niset për në stacionin e radhës me të vetmin motivim – të ndjejë lumturinë dhe lirinë në këtë udhëtim me dy rrota.
"Unë jam shumë më i lumtur në rrugë sesa kur jam në qytet. Ndihem më i plotësuar, më i shëndetshëm dhe kjo më motivon të nisem në këtë udhëtim vjeshtë-dimër" - thotë Vencisllav dhe vazhdon rrugëtimin e tij si era.
Teksti i Vesella Krastevës (bazuar në intervistën e Zdravka Rusevës nga BNR-Shumen)
Foto: arkiva personale
Përktheu në shqip dhe publikoi: Kostandian Bello
Vetëm disa kilometra në perëndim të kufirit midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe rreth 40 kilometra nga qendra rajonale e Korçës ndodhet qyteti shqiptar i Bilishtit. Pjesë e popullsisë intelektuale atje është edhe Llazo Nestori - përfaqësues i pakicës..
Më 27 tetor mbushen 165 vjet nga lindja e akademikut Aleksandër Teodorov-Ballan, i cili ishte teoricieni i parë i gjuhës letrare, fonetikës dhe gramatikës bullgare. Ai lindi në vitin 1859 në fshatin Kubej të Besarabisë. U diplomua në shkollën e..
Pas Çlirimit të Bullgarisë nga sundimi osman(1878), arkitektë nga Evropa u dyndën në Sofje, kryeqytetin e ri bullgar të shpallur në vitin 1879, për t'i dhënë asaj një pamje moderne dhe një organizim funksional. Në vitet 90-të të shekullit XX,..
Në festën e Hyrjes së Nënës së Zotit në Tempull më 21 nëntor sipas Kalendarit Gregorian dhe Ditën e Kryeengjëjve Mihaill dhe Gavrijil sipas Kalendarit..