Mjekësia molekulare, kimia medicinale, biokimia, patologjia molekulare, farmakologjia molekulare - këto janë disa nga temat mbi të cilat Prof. Budin Mihov punon për 30 vjet. Vetë ai thotë se është një shkencëtar i nivelit botëror dhe vëllimi i veprave të tij dëshmon se kur një njeri është i përkushtuar ndaj shkencës, i vetmi kufi për të është horizonti.
Prof. Budin Mihov botoi librin e tij të parë “Elektroforeza. Teoria dhe Praktika” në gjermanisht, dhe më pas libri u ribotua në anglisht nga një botues në Britaninë e Madhe. Deri më sot, ai mbetet vepra më e madhe në botë për elektroforezën. Por, krenaria e vërtetë e profesorit biokimik është vepra e tij themelore “Enciklopedia e Mjekësisë Molekulare”, të cilën ai e ka pasuruar me kalimin e kohës.
Një nga librat e tij gëzon interes të veçantë në shkallë globale - "Kimia në mjekësi". Studentët e mjekësisë, si dhe shumë profesorë dhe njerëz që punojnë në sferën e mjekësisë, nxjerrin njohuri prej tij. Interesim ka shfaqur edhe Cambridge University Press, që tashmë ka nënshkruar kontratë me profesorin bullgar dhe do të botojë veprën e tij shkencore pas gjysmë viti.
Para se të shkruajë librat e tij, Budin Mihovi ka shfaqur interes për bukurinë e shkencës. Shkencëtari i ardhshëm është rritur në familjen e doktor Miho Mihovit, një nga mjekët më të njohur të qytetit të Ruses. Ai është interesuar për mjekësinë në fëmijërinë e tij dhe më vonë, si student në Universitetin e Mjekësisë në Sofje, ka arritur në përfundimin se për të kuptuar patogjenezën*, duhet të fitojë njohuri për molekulat dhe atomet në qeliza. Sot profesori është i bindur se vetëm kështu mund të realizohen mekanizmat e vetë barnave. “Këta mekanizma janë në zemër të sëmundjeve, por ato janë gjithashtu kyçe për trajtimin e tyre dhe shpjegojnë se si funksionojnë antibiotikët, hormonet, barnat steroide – gjithçka varet nga atomet dhe molekulat në qelizë”, thotë ai.
“Mekanizmat e ndërveprimit në nivel molekular duhet të njihen gjithnjë e më shumë dhe të gjenden barna të reja me të cilat do të trajtohen sëmundjet e pashërueshme më parë – vazhdoi për Radio Bullgarinë prof. Budin Mihov. - Qoftë me 100 apo edhe më shumë vite, por jeta e njeriut do të zgjatet.”
Prof. Budin Mihov e konsideron një përgjegjësi të madhe shkrimin e një libri që do të përdoret nga specialistë të ndryshëm mjekësorë në mbarë botën. “Për më tepër, programet e Universitetit të Kembrixhit trajnojnë studentë jo vetëm në Angli dhe SHBA, por edhe në Kanada, Australi, Azi”, shton shkencëtari. Suksesi i tij vjen pas vitesh punë të palodhur dhe zotërimit të mirë të tri gjuhëve. Ai monitoron botimet më të fundit të qendrave kryesore universitare në Gjermani, SHBA, Rusi, Angli. Për librat e tij, ai nuk mbështetet në ndihmën e asistentëve dhe bashkëpunëtorëve, por përgatit dhe redakton gjithçka vetë.
“Për momentin, detyra ime parësore është botimi i “Kimisë në mjekësi”, që do të jetë në një nivel super të lartë, sepse e konsideroj si një detyrim timin – thotë prof. Budin Mihov. - Libri do të jetë për të gjithë botën dhe mjekët dhe studentët e mjekësisë do të mësojnë prej tij.
Përveç kësaj, kam një kontratë tjetër me botues në Boston dhe Berlin për botimin e librit "Mjekësia Molekulare", i cili do të jetë jashtëzakonisht i madh - 1600 faqe. Nuk ka se si të përballoj një punë kaq të madhe nëse nuk marr forcë dhe frymëzim nga natyra për të gjitha këto. I dua shumë malet dhe shkoj shpesh në malet afër Sofjes. Kështu argëtohem dhe pjesën tjetër të kohës po punoj mbi libra”.
*Patogjeneza është një mekanizëm i shfaqjes dhe zhvillimit të sëmundjes dhe manifestimeve individuale të saj në nivele të ndryshme në trup, nga çrregullimet molekulare deri te ndryshimet në organe dhe sisteme.
Foto: Gergana Mançeva
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Emri i Prof. Vlladimir Kefallov është në listën e shkencëtarëve që fituan çmimin prestigjioz Bresler për meritat në studimin e organit të të parit të njeriut në vitin 2019. Zbulimet më të rëndësishme të fizikanit bullgar, i cili jeton dhe punon në..
Knezha, Sofja, Afrika e Jugut, Botsvana dhe ... Asenovgrad ndërthuren në jetën e bashkatdhetares sonë Darena Gesheva dhe sigurisht i japin asaj kujtime të panumërta për t'u treguar miqve dhe vizitorëve në kafenenë e saj në qytetin afër Plovdivit. Vendi..
Ajo është e bukur, e hollë, e re dhe e arsimuar. I ka të gjitha cilësitë për të pasur një karrierë të suksesshme në botën e pasarelave apo në atë të reklamave! Por ajo zgjedh të rrisë ...buaj në fshat. Cvetelina Nedkova u diplomua me nota të shkëlqyera..