Në mbarë botën, çrregullimet e spektrit të autizmit po rriten në një progresion gjeometrik. Bullgaria nuk bën përjashtim në këtë drejtim. Dhe nëse më shumë se një dekadë më parë një në 10 000 fëmijë në mbarë botën diagnostikohej me autizëm, sot mesatarisht 1 në 70 ka çrregullime të spektrit të autizmit. Askush nuk mund ta shpjegojë këtë fenomen, por është një fakt dhe është arsye për shqetësim tek mjekët, prindërit dhe pedagogët.
Mirëpo, tek ne ende nuk ka një regjistër që i mbulon të gjitha rastet e kësaj sëmundjeje, pohon në një intervistë për programin “Hristo Botev” të Radios Kombëtarë Bullgare Dr. Atanaska Avramova, shefe e repartit ditor në Klinikën për Psikiatrinë e Fëmijëve në Spitalin Universitar “Aleksandrovska”.
“Diagnostikimi dhe përfshirja në një regjistër është diçka jashtëzakonisht stigmatizuese për njerëzit dhe shtrembëron të dhënat. Sepse shumë prindër, kur bëhet fjalë për fëmijën e tyre, përpiqen ta shmangin diagnostikimin pothuajse me çdo kusht, në mënyrë që ai të mos stigmatizohet. Për fat të keq, pediatrit duket se janë më të prirë për të shtyrë vizitën te një psikiatër fëmijësh. Një nga arsyet për këtë është se mjekët psikiatër të fëmijëve janë të rrallë në vendin tonë. Në vendin tonë mosha në të cilën diagnostikohet autizmi është e ndryshme për rastet e ndryshme. Kërkesa më e shpeshtë për ndihmë është për fëmijët nga mosha 2.5 deri në 4 vjeç. Vështirësitë në përshtatjen e fëmijës në kopsht shpeshherë janë sinjali i parë për prindërit që të kërkojnë ndihmë profesionale”, thotë Dr. Avramova.
Portreti klasik i fëmijës me autizëm përfshin izolim, vështirësi domethënëse në të folur dhe në të mësuar, fiksim në ngjashmëri ose përsëritje. Shkenca i përkufizon njerëzit me autizëm si neuroatipikë - ata kanë lidhje të ndryshme nervore. Megjithatë, diagnostikimi i këtyre rasteve është shumë i vështirë.
“Ajo që mungon në Bullgari është mbështetja për prindërit” – thotë Ani Andonova, anëtare e Bordit Drejtues të Shoqatës “Asociacion Autizëm”, dhe shton:
“Sepse është një moment shumë i vështirë kur prindi e dëgjon këtë diagnozë. Tashmë ka pak më shumë shërbime sociale dhe vende ku pranohen dhe punohet me këta fëmijë. Integrimi në kopshte dhe shkolla është realisht në një nivel më të lartë. Këta fëmijë pranohen pak më mirë, ka një perspektivë pozitive në këtë drejtim, përfshihen në shkolla, në qendra për mbështetje të veçantë arsimore në varësi të nivelit të funksionimit të secilit prej tyre. Por kur fëmija mbush moshën madhore, nuk ka perspektivë për të. Janë shumë pak vendet në vendin tonë ku ofrohet punë për të rinjtë me këtë çrregullim.”
Prindërit janë në vështirësi dhe sorollaten në mundësitë e kufizuara të sistemit social në vendin tonë. Prandaj Ani Andonova e vë theksin mbi mungesën e ndërhyrjes së hershme në Bullgari – diçka për të cilën flitet për 20 vjet.
“Nëse një fëmijë mbulohet nga sistemi social që në moshë shumë të vogël, menjëherë pas diagnostikimit, gjërat do të zhvilloheshin në një mënyrë shumë më pozitive. Për momentin në Qendrën për Rehabilitim Social dhe Integrim po punojmë me një program në të cilin janë përfshirë prindërit dhe e shohim kuptimin e kësaj gjëje”, thotë Andonova.
Sipas saj, jo çdo fëmijë me autizëm është i përshtatshëm për një ambient shkollor. Në të njëjtën kohë, duhet gjetur një vend i përshtatshëm në sistemin tonë arsimor për çdo rast individual. Por për këtë duhet të krijohet paraprakisht një ekip multidisiplinor për të njohur mësuesit me nevojat specifike të fëmijës përkatës me autizëm. Zakonisht kjo masë ndërmerret shumë vonë dhe prandaj lindin konflikte në mjedisin arsimor, përfundon Andonova.
Lexoni më shumë:
Përpiloi: Veneta Nikollova (bazuar në materialet e Aleksandër Rajçevit nga BNR - Hristo Botev)
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto:Pixabay, Shoqata “Asociacion Autizëm”, arkiv personal
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin e përçarjes midis klerikëve tanë. Atëherë, megjithë nxitjet e Patrikut të Stambollit Bartolomeu,..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..