Data 19 qershor 2024 është një datë themelore për Legjislaturën e 50-të të Kuvendit Popullor të Bullgarisë. Presidenti Rumen Radev thirri 240 përfaqësuesit e sapozgjedhur të popullit në seancën e parë. Me votimin e parakohshëm parlamentar, bullgarët vendosën që në sallën plenare të hyjnë shtatë forca politike. Gjashtë prej tyre ishin të pranishëm edhe në parlamentin e mëparshëm, por tashmë kanë një shpërndarje të re të forcave. “Ylli” i ri është formacioni politik “Veliçie”, i cili do të jetë i pranishëm në Kuvendin Popullor me 13 deputetë.
Tradicionalisht, seanca e parë e parlamentit të sapozgjedhur drejtohet nga deputeti më i moshuar. Këtë nder e ka Sillvi Kirillov nga partia “Ka një popull të tillë”, i cili me 73 vitet e tij është doajen në mesin e deputetëve. Në mbledhjen e tyre të sotme, deputetët duhet të bëjnë betimin, si dhe të zgjedhin kryetarin e organit legjislativ të Bullgarisë.
Parlamenti i tanishëm u zgjodh pas zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të hyjnë në histori me pjesëmarrjen jashtëzakonisht të ulët të votuesve – 34.41%. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, juristi, profesor i së drejtës tregtare dhe ish-kryetar i Kuvendit Popullor, Prof. Ognjan Gexhikov u përpoq të shpjegojë mesazhin e lënë nga votuesit me hezitimin e tyre për të shkuar në qendrat e votimit dhe për të ushtruar të drejtën e tyre civile për të votuar:
“Ky është një antirekord, që tregon se ky model duket se nuk funksionon. Duhet kërkuar diçka rrënjësisht ndryshe. A nuk duhet të kalojmë në një sistem të përzier, jo vetëm proporcional, por në një sistem mazhoritar-proporcional. Ky është ndoshta një parakusht për një projekt të ri politik kuptimplotë. Për një të tillë flitet rreth presidentit, nuk është çudi që ka ardhur një kohë e tillë, sepse këto janë procese që janë pjekur në shoqërinë tonë.”
Edhe pse nuk është ekspert në fushën e së drejtës kushtetuese, Ognjan Gerxhikov beson se sistemi mazhoritar-proporcional do t'u jepte një mundësi më të madhe njerëzve të kualifikuar nga fusha të ndryshme për të kandiduar dhe për t'u zgjedhur si deputetë të popullit.
Personaliteti i Kryetarit të Kuvendit Popullor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për funksionimin dhe besimin në pushtetin legjislativ në vend, i cili së bashku me ekzekutivin dhe gjyqësorin përbëjnë tre shtyllat mbi të cilat mbështetet sistemi shtetëror i Bullgarisë. Në këtë kuptim Prof. Gerxhikov komentoi, se në krye të Kuvendit të ri Popullor duhet të qëndrojë një jurist, por – sipas tij - juristët shumë të kualifikuar që hyjnë në përbërjet e fundit të parlamentit mund të numërohen me gishta. Kjo mungesë ndikon në cilësinë e legjislacionit, i cili është në nivel amator, theksoi prof. Gerxhikov. Cilësia e veprimtarisë legjislative është gjithashtu në themel të rënies së madhe të besimit në parlamentin bullgar dekadën e fundit:
“Ndryshe nga të gjitha vendet e zhvilluara të Evropës, që kanë organe këshillimore të përbërë nga specialistë të çështjeve përkatëse, parlamenti ynë nuk ia lejon vetes këtë luks dhe gjërat zhvillohen mbi parimin e vetëveprimtarisë së pastër, me ligje lobuese dhe analfabete. Edhe amendamentet e fundit të Kushtetutës tregojnë një analfabetizëm kaq flagrant në shumë drejtime dhe shpresoj fortë që Gjykata Kushtetuese të mos qëndrojë indiferente ndaj kësaj.”
Sa i përket mundësisë në mandatin aktual jubilar parlamentar për të arritur qëllimet e rëndësishme për vendin tonë – hyrjen në Eurozonë dhe aderimin e Bullgarisë në Shengen edhe në rrugë tokësore, Prof. Gerxhikov është mjaft skeptik:
“Unë me të vërtetë do të doja ta prisnim atë, por duket se po largohemi nga këto dy synime në vend që të afrohemi.”
Në sfondin e pjesëmarrjes së ulët të votuesve, ra në sy vota e disa formacioneve politike anti-sistem. Dy prej tyre - "Ka një popull të tillë" dhe "Veliçie" arritën të bëhen pjesë e Legjislaturës së 50-të të Kuvendit Popullor dhe i treti Partia Politike "MEÇ" mori pothuajse 3% mbështetje.
“E gjithë kjo tregon se këto procese demokratike kanë arritur një minimum kritik dhe për këtë arsye po shpërthejnë parti të tilla josistematike, disa prej tyre mjaft shqetësuese.”
Ognjan Gerxhikov nuk është optimist për horizontin afatgjatë përpara Legjislaturës së 50-të të Kuvendit Popullor: "Diku në vjeshtë, mund të jetë e nevojshme të ketë zgjedhje të reja", parashikon parlamentari shumëvjeçar.
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA
Shqipëria dhe Mali i Zi realizuan progres në integrimin evropian gjatë vitit 2024 Udhëheqësit e BE-së u takuan më 18 dhjetor me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje..
Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) - “Horizont” disponin projekt-marrëveshjen për bashkëpunim 10-vjeçar në fushën e sigurisë mes Bullgarisë dhe Ukrainës. Dokumenti prej 20 faqesh, nënshkrimi i të cilit u shty, përcakton se Bullgaria do të sigurojë trajnime..
Në Rumani, një koalicion do të mbrojë rrugën evropiane të vendit Presidenti rumun Klaus Iohannis mblodhi parlamentin e ri të vendit më 20 dhjetor. Zgjedhjet parlamentare, të cilat u zhvilluan më 1 dhjetor, u fituan nga socialdemokratët në..