Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Serbia blen avionë luftarakë “Rafale” nga Franca për 2.7 miliardë euro

Për gjithsej 2,7 miliardë euro, Serbia do të blejë nga kompania franceze “Dassault Aviation” 12 avionë të rinj luftarakë “Rafale” – 9 me një vend dhe 3 dyvendësh. Kjo u bë e qartë gjatë vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në kryeqytetin serb, Beograd. Makineritë franceze do të zëvendësojnë flotën e vjetër të gjuajtësve rusë MiG të Forcave Ajrore Serbe. Macron e përshkroi marrëveshjen si një "ndryshim strategjik". Serbia bëhet vendi i tretë evropian, një klient tradicional i Rusisë, që zgjedh avionin shumëfunksional me dy motorë pas Greqisë, e cila ka 24 makina të tilla, duke përfshirë 12 të përdorura, dhe Kroacisë, e cila bleu 12 avionë “Rafale” të përdorura. Gjëja kurioze është se të tre vendet evropiane janë në Ballkan.

Turqia mori pjesë për herë të parë pas pesë vitesh në një samit të BE-së

Hakan Fidan

Turqia shpreson të përmirësojë lidhjet e saj me BE-në pasi përfaqësuesi i saj mori pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të Unionit në Bruksel më 29 gusht për herë të parë pas pesë vitesh. “Sot, pothuajse të gjithë kolegët e mi nga BE-ja theksuan se dialogu i rregullt me ​​Turqinë duhet të vazhdojë në të gjitha fushat, veçanërisht në politikën e jashtme, politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes”, tha ministri i jashtëm turk Hakan Fidan pas takimit për Agjencinë e Anadollit. Ai përkujtoi se synimi strategjik i Turqisë është anëtarësimi në BE dhe në një perspektivë më të afërt liberalizimi i regjimit të vizave. Megjithatë, Fidani deklaroi kategorikisht se në kuadër të dialogut Turqi-BE, nuk është e “shëndetshme” ndërhyrja në çështjen e Qipros.

Turqia ka dy dekada që po negocion për t'u bashkuar me BE-në, por procesi ka ngecur për disa kohë për shkak të shqetësimeve evropiane lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut, si dhe mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor dhe me Qipron. Në të njëjtën kohë, aleanca varet nga ndihma e Turqisë, anëtare e NATO-s, veçanërisht për çështjet e migracionit.

Rumania dëshiron të blejë një pjesë të portit të vetëm të Danubit të Moldavisë


Qeveria rumune ka vendosur të negociojë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për blerjen e portit të vetëm të Danubit të Moldavisë - Giurgiulesti. BERZH është aksioneri kryesor në port. Pas bllokadës së Rusisë të porteve të Detit të Zi të Ukrainës në vitin 2022, porti i Giurgiulesti është bërë vendimtar në lehtësimin e transportit të mallrave drejt dhe nga Ukraina, duke arritur një vëllim rekord ngarkesash prej 1.8 milion ton këtë vit. Zëdhënësi i qeverisë moldaviane, Daniel Voda, shpjegoi se në Giurgiulesti funksionojnë dy objekte: një Port Ndërkombëtar i Lirë, që i përket BERZH-it dhe një port shtetëror, i cili është në pronësi të Moldavisë. Ai siguroi se shitja e portit shtetëror nuk është në diskutim. Bëhet fjalë për blerjen e Portit Ndërkombëtar, për të cilin interes po shfaqin edhe Turqia, Holanda dhe Danimarka. Porti i Giurgiulesti funksionon që nga viti 2007. Ai ndodhet pranë kufirit të Moldavisë me Rumaninë dhe Ukrainën dhe 134 kilometra nga Deti i Zi.

Athina është numër 7 ndër qendrat më të rëndësishme globale të lundrimit


Porti i Athinës në Greqi - Pire, ka arritur në vendin e shtatë ndër qendrat më të rëndësishme të lundrimit në botë sipas Indeksit të Zhvillimit të Lundrimit Ndërkombëtar Xinhua-Baltic 2024 (Xinhua-Baltic International Shipping Center Development Index), raporton gazeta “Kathimerini". Indeksi merr parasysh jo vetëm trafikun e porteve, por edhe aktivitetin e përgjithshëm të biznesit dhe inovacionet. Dhjetë qendrat më të rëndësishme të lundrimit sipas Indeksit të Zhvillimit të Lundrimit Ndërkombëtar janë: Singapori, Londra, Shangai, Hong Kongu, Dubai, Roterdami, Athina/Pirе, Ningbo-Zhoushan, Hamburg dhe Nju Jork/Nju Xhersi.

Dubrovniku kufizon trafikun e makinave në qytetin e vjetër


Nga 1 shtatori, Dubrovniku do të prezantojë një zonë me qarkullim të kufizuar makinash në qendër të qytetit. Qëllimi është reduktimi i bllokimeve të trafikut në qytetin e vjetër, e bashkë me të edhe pakësimin e emetimeve të gazеve të dëmshme të cilat ndikojnë negativisht në monumentet dhe ndërtesat në zonë, raporton BTA, duke iu referuar HINA. Kryetari i Bashkisë së Dubrovnikut, Meto Frankoviç, tha për media se ky është qyteti i parë kroat me një plan të tillë. Punonjësit e hoteleve dhe pronarët e pronësive do t'i nënshtrohen një trajnimi special për rregullat e reja të qarkullimit, të cilat do të testohen deri më 1 nëntor. Pas kësaj, sistemi i lëvizjes do të perfeksionohet. Gjobat për shkeljen e rregullave të reja do të vendosen nga marsi 2025.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Foto: danas.rs, АА, gifp.md, ekathimerini.com, n1info.hr

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Më shumë nga rubrika

Një radhë për të votuar në Britaninë e Madhe në ditën e zgjedhjeve

Krijimi i një Rajoni Zgjedhor me Shumë Mandate “Jashtë Shtetit” do të ndalojë manipulimet e mundshme me votat e bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit

Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën sepse përfaqësuesit e popullit nuk mund të zgjedhin të parin mes të barabartëve. Ngërçi politik në..

botuar më 24-11-21 4.38.MD
Foto: Qendra e Shtypit e Presidencës

Republika e Maqedonisë së Veriut dëshiron të përfshijë bullgarët në kushtetutë pas hyrjes në BE

Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..

botuar më 24-11-20 9.49.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Athina do të modernizojë ushtrinë greke deri në vitin 2030 Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, prezantoi para partive në parlament planin e ndryshimeve në ushtri. Reformat do të përfshijnë të tre llojet e trupave. Deri në vitin 2030 Do..

botuar më 24-11-16 10.30.PD