Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Aksinija Ivanova dhe Ivan Cankov mbi diplomacinë kulturore të emigracionit të ri bullgar në Argjentinë

Foto: Aksinija Ivanova / Facebook

Fillimi i shekullit të XXI-të doli të ishte një pikë kthese për Aksinija Ivanovën dhe Ivan Cankovin - fati i çoi në Argjentinën e largët dhe ekzotike, dhe ajo u bë shtëpia e tyre e dytë. Atëherë ata as nuk e imagjinonin se një ditë do të njiheshin si diplomatë kulturorë joformalë të vendit tonë në kontinentin jugor. Në Bullgari, Aksinija ishte e angazhuar në fushën e ekonomisë, kurse në tokën argjentinase ajo ndryshoi rrënjësisht profesionin e saj. U diplomua për drejtësi dhe u bë juriste. Ivani është një inxhinier kompjuterash. Megjithatë, të dy ia kushtojnë jetën e tyre një pasioni të përbashkët – të promovojnë Bullgarinë, historinë dhe kulturën e saj në Amerikën Latine. Ata hodhën themelet e Shoqatës “Bullgarët në Argjentinë”, kryetare e së cilës është Aksinija, kurse Ivani sekretar. 

Ata krijuan median e parë në kontinent për Bullgarinë në spanjisht - portalin informativ losbulgaros.com.ar, online radioja "Bullgaria ime", online televizioni Los bulgaros TV dhe një podcast. Dhe tani ata janë në Bullgari për të prezantuar botimin e bukur dygjuhësh që sapo është botuar "Bullgarët në Argjentinë. Diplomacia Kulturore e Emigracionit të Ri." Premiera para publikut bullgar do të mbahet ditën e sotme më 10 tetor në orën 18:00 në Sofje në Qendrën Kulturore Bullgare në rrugën Veslec Nr. 13. Në të, ata flasin në mënyrë magjepsëse në bullgarisht dhe spanjisht për aktivitetet e Shoqatës, për bullgarët e talentuar dhe pasardhësit e bullgarëve në Amerikën e Jugut dhe misionin e tyre.

“Shumë pak dihet në këtë pjesë të botës për Bullgarinë. Për këtë arsye, të gjitha këto media që krijuam ndër vite synonin ta bënin Bullgarinë pak më të njohur me kulturën, historinë, traditat e saj. Kjo na ka udhëhequr gjithmonë - ta bëjmë Bullgarinë të afërt dhe të njohur me një kontinent krejtësisht të ndryshëm nga ajo që ne si bullgarë njohim, - thotë Aksinija. - Në fillim, kur arritëm në Argjentinë, gjëja e parë që mendonin njerëzit kur thoshim se vinim nga Bullgaria ishte Hristo Stoiçkov. Me kalimin e viteve, Stoiçkov u harrua pak. Së fundmi është përhapur më shumë informacion për Grigor Dimitrovin”.

Të dy janë të bindur se ka ende shumë mundësi të pashfrytëzuara për të lobuar vendin tonë në aspektin kulturor dhe historik në Amerikën e Jugut. Kjo tregohet përmes interesimit për njërin nga dokumentarët e realizuar prej tyre – “Ne mbajmë mend...”, thotë Ivan Cankov:

“Filmi i fundit që bëmë vitin e kaluar ishte me rastin e 80-vjetorit të shpëtimit të hebrenjve bullgarë. E prezantuam në Qendrën Kulturore Hebraike dhe pati shumë interes sepse doli që argjentinasit nuk kishin dëgjuar për një gjë të tillë. Dhe mendoj se është kryesisht faji i shtetit që nuk e bëri këtë akt më të njohur mes njerëzve, gjë që është vërtet për t’u respektuar”.

Ndër pjesës më aktive të audiencës së mediave të krijuara nga Aksinija Ivanova dhe Ivan Cankov janë pasardhësit e bullgarëve të brezit të tretë dhe të katërt që nuk e flasin gjuhën bullgare.

Bashkëbiseduesit tanë gjetën në faqen e tyre një rubrikë të dobishme, të orientuar drejt këtyre bullgarëve, të quajtur "Në kërkim të rrënjëve të tyre". Qëllimi i tij është të ndihmojë bullgarët argjentinas të cilët kanë humbur lidhjet me të afërmit e tyre në Bullgari, por kërkojnë një mënyrë për t'i rinovuar ato. Le të saktësojmë se ka pasur tre valë të mëdha migrimi bullgar në Argjentinë - nga viti 1906, vitet 20 të shekullit të ХХ-të dhe rreth vitit 2000. Pasardhësit e emigrantëve bullgarë nga gjysma e parë e shekullit të ХХ-të banojnë kryesisht në provincën e Çakos dhe në qytetet Beriso dhe Comodoro Rivadavia, ndërsa bullgarët e valës së fundit jetojnë kryesisht në Buenos Aires.

Pas hyrjes së Bullgarisë në BE, shumica e emigrantëve të rinj preferuan të transferoheshin në Spanjë për të qenë më afër atdheut të tyre. Fatkeqësisht, nuk ka statistika të sakta për numrin e bullgarëve si nga valët e vjetra ashtu edhe nga ajo e fundit. Sipas Ivan Cankovit, përmenden shifra brenda kufijve të gjerë nga 50 deri në 150 mijë sipas nevojave të politikanëve.

“Bullgarët e 20 viteve të fundit janë vërtet shumë pak. Ndërsa pasardhësit e emigrantëve bullgarë janë tashmë argjentinas në praktikë. Disa prej tyre kanë nënshtetësi bullgare, por e kanë marrë kryesisht sepse kanë dëgjuar histori për Bullgarinë nga prindërit, gjyshërit dhe shpresojnë që një ditë të mund ta vizitojnë atë. Por për shkak të largësive të mëdha dhe problemeve financiare, shumë pak prej tyre kanë ardhur në Bullgari”, shton Aksinija.

I pyetur se si bullgarët përshtaten me jetën në një vend të largët, Ivani shpjegon se Argjentina është një vend imigrantësh dhe të huajt trajtohen mirë si nga njerëzit e zakonshëm ashtu edhe nga autoritetet, të cilët gjithmonë ofrojnë mbështetje kur nevojitet:

“Argjentinasit si popull janë shumë mikpritës, shumë të drejtpërdrejtë dhe emigranti nuk ndjen asnjë pengesë mes vetes dhe tyre. Ata janë gjithashtu shumë kërkues dhe kur ne prezantojmë diçka që lidhet me Bullgarinë, ata e marrin shumë mirë”.

Posaçërisht për prezantimin e librit, Aksinija dhe Ivani mbërrijnë në Bullgari për herë të parë që nga viti 2019, një vit para pandemisë. Ata e shohin vendin dhe popullin tonë shumë të ndryshuar në një drejtim pozitiv.

“Me këtë distancë shohim shumë gjëra pozitive. Njerëzit janë disi më të qetë, më mikpritës dhe, si të thuash, më afër asaj që njerëzit në Argjentinë janë - të dobishëm. Kjo gjë padyshim na bën përshtypje”, tha Ivan Cankov në fund të takimit.

Foto: Aksinija Ivanova / Facebook, Shoqata "Bullgarët në Argjentinë", BNR, Online Radio dhe Televizion "Bullgaria ime", Buenos Aires - Argjentinë (Los Bulgaros), Eurochicago.com
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit përcolli një vit të suksesshëm

Një vit i mbarë për Agjencinë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, në të cilin gjithçka u zhvillua ashtu siç duhej – kështu e përmblodhi vitin 2024 drejtuesja e saj, Rajna Manxhukova. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ajo shprehu kënaqësinë për..

botuar më 24-12-29 9.10.PD

Bashkia e kryeqytetit rinovoi një nënkalim me riprodhime dhe mesazhe për kauza sociale

Nënkalimi i Urës së Shqiponjave që lidh rrugën lokale e bulevardit "Carigradsko shose" me Parkun “Kopshti i Borisit” , u transformua plotësisht dhe u kthye në një hapësirë ​​moderne, të ndritshme dhe frymëzuese me riprodhime të pikturave të Sofjes..

botuar më 24-12-29 7.45.PD

E majta europiane dëshiron të jetë sërish ndër më të fortët e ditës

Kryetarja e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, Iratxe García Pérez, mori pjesë në një Samit me gazetarët e rrjetit kryesor evropian të radios "Euranet Plus", gjatë të cilit ajo sqaroi qëndrimin e grupit të saj për një sërë çështjesh...

botuar më 24-12-28 5.05.MD