105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore (1914-1918). Historianët e përkufizojnë dokumentin si "katastrofa e radhës kombëtare për vendin", pasi ai shkëput një sërë territoresh nga Bullgaria - Strumica, Bosilegradi, Caribrodi dhe gjysma e Kullës, heq daljen në Detin e Bardhë përmes Trakisë Perëndimore, konfirmon ndarjen e Maqedonisë midis Serbisë dhe Greqisë dhe merr Dobruxhën Jugore, “hambarin” e Bullgarisë. Pak kohë më parë para Radio Bullgarisë, historiani Akad. Georgi Markov e cilësoi atë si një “traktat-diktat”, sipas të cilit 600 mijë bullgarë mbeten jashtë kufijve të atdheut.
Në lidhje me këtë dokument të rëndësishëm për historinë bullgare dhe me rastin e 8 nëntorit - Ditës së Krahinave Perëndimore /rajonet kufitare juglindore të Serbisë me popullsi bullgare/, Instituti për Studime Historike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave mbajti së fundmi një konferencë shkencore në Sofje me temë "Krahinat Perëndimore Bullgare - histori dhe perspektiva”. Forumi u organizua edhe me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Organizatës së Refugjatëve nga Krahinat Perëndimore, e cila u krijua pas Traktatit Neuilly të vitit 1919. Aktivitetin e nderoi ministri në detyrë i punëve të jashtme, Ivan Kondov. U paraqitën 25 raporte, të cilat e trajtuan këtë temë në aspektin historik, diplomatik, demografik, gjeografik, statistikor dhe mbi të gjitha bashkëkohor-politik.
Në fjalimin përshëndetës në forum, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit, Rajna Manxhukova, shtroi çështjen alarmante për shpopullimin e Krahinave Perëndimore.
Kryetari i Qendrës Kulturore dhe Informative Bullgare në Bosilegrad, Ivan Nikollov, bëri një retrospektivë të gjendjes së bullgarëve në Krahinat Perëndimore ose në Serbinë Lindore, siç i quajnë në Beograd.
“Problemi kryesor i çdo politike pushtuese është se çfarë duhet bërë me popullsinë e gjetur në territorin e pushtuar. Dhe ndërsa ky problem në Maqedoni fillimisht u zgjidh me serbizimin, e më pas me maqedonizimin e popullsisë bullgare dhe krijimin e një kombi të ri maqedonas, i cili t’i kundërvihet Bullgarisë, në Krahinat Perëndimore u aplikuan metodat e serbizimit gradual dhe shpopullimit të zonave me popullsi bullgare. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, rreth 1/3 e popullsisë bullgare nën presionin e kësaj politike u largua nga territoret e pushtuara dhe emigroi në Bullgari, Evropë dhe SHBA”.
Kryetari i Qendrës Kulturore dhe Informative në Bosilegrad paraqiti të dhëna sipas të cilave, në periudhën 1948-1971numri i bullgarëve në ish-Jugosllavi ka rënë nga 62 000 në 58 000, pas së cilës ka filluar të zvogëlohet në mënyrë drastike: në vitin 1981 ka qenë 36 000, në 1991 – 25 214, në 2011 – 18 543, 2021 – 12 918. "Sipas parashikimeve të Institutit të Statistikave të Republikës së Serbisë, në dy dekadat e ardhshme do të bjerë edhe më shumë. Popullsia e Bosilegradit parashikohet të bjerë në 1 100 veta, ndërsa ajo e Caribrodit në 2 200. Kjo është perspektiva që na pret në Republikën e tanishme të Serbisë" - paralajmëroi Ivan Nikollov dhe kujtoi se gjuha e urrejtjes ka marrë përmasa kërcënuese për jetën normale të bullgarëve në Serbisë, por edhe për marrëdhëniet normale mes dy vendeve fqinje.”
“Fakti që Serbia dhe Bullgaria kanë qenë gjithmonë në hapësira të ndryshme gjeopolitike e bën pothuajse të pamundur dialogun për zgjidhjen e problemeve jetësore të minoritetit bullgar në një mënyrë që do të siguronte mbijetesën dhe zhvillimin e tij brenda shtetit serb. Në kushte të tilla, perspektivat e reja nuk janë aspak optimiste. Proceset historike afatgjata të debullgarizimit dhe shpopullimit të rajoneve me popullsi bullgare të Serbisë po vazhdojnë dhe janë të pakthyeshme. Ato janë intensifikuar edhe nga proceset e përgjithshme të migrimit nga vendbanimet e vogla drejt qyteteve të mëdha. Bullgarët nga Krahinat Perëndimore, në kërkimin e tyre për një jetë më të mirë, po aplikojnë aktivisht për shtetësinë bullgare. Të rinjtë janë gjithnjë e më shumë të orientuar drejt arsimit bullgar dhe nuk kthehen në vendlindjet e tyre, sepse nuk kanë mundësi për realizim. Nuk ka ekonomi funksionuese. Biznesi bullgar nuk lejohet. Ai serb nuk ka interes të vijë. Kompanitë ndërkombëtare të minierave erdhën, të tërhequr nga perspektiva e nxjerrjes pa kontroll të metaleve me ngjyra, duke lënë një mjedis shumë të ndotur dhe një popullsi të sëmurë. Aktualisht, Krahinat Perëndimore kanë mbetur me një popullsi në plakje, me një lindshmëri të ulët dhe një shkallë të lartë vdekshmërie, e cila nuk mund të sigurojë riprodhim normal të popullsisë” – kështu i përshkruan parametrat e krizës lideri i minoritetit bullgar që jeton në Bosilegrad.
Tani është momenti, në procesin e negociatave ndërmjet Serbisë dhe BE-së, që Sofja të ngrejë çështjen e bullgarëve në Krahinat Perëndimore, tha në fjalën e saj gazetarja Milena Millotinova:
"Vendi ynë duhet të jetë shumë më aktiv. Më bën përshtypje që programet ndërkufitare po zbatohen, por kjo nuk u përket Bosilegradit dhe Caribrodit. Më bën përshtypje që këto fonde evropiane në kuadër të programeve ndërkufitare nuk arrijnë tek pakica jonë në Bosilegrad dhe Caribrod. Mendoj se departamentet tona, ministritë duhet të kenë një koordinim më të fortë mes tyre në përgatitjen e kritereve për këto programe.”
Ish-konsulli i përgjithshëm bullgar në Nish Prof. i Asoc. Edvin Sugarev prezantoi një raport prej 14 pikash, në të cilin përshkruan me detaje situatën aktuale dhe hapat e nevojshëm për zgjidhjen e problemeve të pakicës bullgare në Serbi.
"Nëse Serbia bëhet pjesë e BE-së, një nga rreziqet e mundshme në Gadishullin Ballkanik do të zhduket. Por kur ju keni një pakicë të diskriminuar dhe kur Bullgaria ishte presidente e Këshillit të Evropës, akoma më tepër se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE ishte tema kryesore gjatë presidencës së saj, ne duhej të thonim shumë qartë: "Ne e mbështesim, por vetëm në qoftë se pakica jonë brenda Serbisë ka një jetë dinjitoze dhe ky është një nga mëkatet tona të mëdha". Ne kemi një qëndrim shumë të fortë për shkak të faktit se nga vota jonë varet nëse Serbia do të bëhet pjesë e BE-së apo jo, por në të njëjtën kohë ka një minus shumë të madh dhe ai është lidhur me faktin nëse Serbia vërtet dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, ose thjesht e shënon këtë pozicion”.
Sipas Ivan Nikollovit, përkundër politikës aktive arsimore dhe kulturore të institucioneve bullgare në Krahinat Perëndimore, "në hapësirën publike bullgare gjithnjë e më pak ka vetëdije për ekzistencën e problemeve të bullgarëve në Krahinat Perëndimore". Prandaj ka edhe një interesim të dobët të partive politike bullgare për to: "Kauza e Krahinave Perëndimore nuk sjell vota në zgjedhje. Zvogëlimi i popullsisë bullgare në Krahinat Perëndimore zvogëlon rëndësinë e tyre dhe interesin e shoqërisë bullgare për to", tha në përfundim Ivan Nikollov dhe i përlotur ndau keqardhjen e tij që duhej t'i thoshte këto fjalë.
Foto: glaspress.rs, Ivo Ivanov, aba.government.bg, BGNES, rtcaribrod.rs
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës "Abonohu për Natyrën" dhe ndjek historinë e gjashtë arinjve të shpëtuar, Huba, Vihër, Goran,..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në historinë bullgare, ky koncept lidhet më shpesh me periudhën e Rilindjes (shek. XVIII-XIX) dhe me..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shumica janë në mbështetjen e tij. Ai erdhi pak..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..