Një ekspozitë interesante në Kuvendin Popullor në Sofje prezanton jetën dhe veprën e Ekzarkut Stefan I Bullgar - një figurë kozmopolite që hyri në histori si luftëtar i distancimit të priftërinjve nga jeta politike, dhe si një nga shpëtimtarët e hebrenjve bullgarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të cilën iu dha titulli "I drejt i botës". Ai ishte udhëheqësi i fundit i Ekzarkisë Bullgare – forma në të cilën ekzistonte Kisha Ortodokse Bullgare pas arritjes së pavarësisë kishtare brenda Perandorisë Osmane në 1870 deri në vitin 1953. Ekzarku Stefan udhëhoqi klerin për katër vjet - nga 1945 deri në 1948, pas së cilës ai u rrëzua nga autoritetet komuniste dhe u internua në fshatin Banja, ku jetoi deri në vdekjen e tij në 1957.
Emri laik i ekzarkut Stefan I Bullgar (1878–1957) është Stojan Popgeorgiev Shokov. Ai lindi në fshatin e malit Rodopa, Shiroka Llëka, studioi në Akademinë Teologjike të Kievit dhe jepte mësime në Seminarin Teologjik të Sofjes "Shën Ivan Rillski". Në Bullgari, Arkimandriti Stefan zhvilloi veprimtari aktive publike dhe kishtare dhe u ngrit në hierarkinë kishtare. Në vitin 1921 u shugurua ipeshkëv i Marcianopolis dhe një vit më vonë u zgjodh Mitropolit i Sofjes.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se ishte i afërt me Pallatin dhe qeverinë, Ekzarku Stefan I nuk ndante orientimin pro-gjerman të autoriteteve dhe ishte një paqeruajtës i bindur. Ai shkruante dhe mbante qindra predikime, fjalime dhe artikuj të botuar në botime të ndryshme bullgare dhe të huaja. Ai ishte një nga mbrojtësit e dalluar të hebrenjve bullgarë, duke refuzuar të pranojë përpjekjet për t'i përndjekur dhe për t’i privuar nga të drejtat e tyre.
Në predikimin e tij në Kishën “Shën e Diela” më 24 maj 1943, Ekzarku Stefani deklaroi: “Kushdo që sulmon një hebre bullgar, unë do të shqiptoj anatemën nga kjo foltore”. Po atë ditë, ai i shkroi një letër Mbretit Boris III, duke i kujtuar: "Mos persekutoni nëse nuk doni të persekutoheni. Me çfarëdo mase që të paguani, me këtë masë do t'ju shpërblehet. Mbaj mend, Boris, Zoti po i shikon veprat tuaja nga qielli." Dhe shton se vendimi i qeverisë për Ligjin e Mbrojtjes së Kombit bie ndesh me ligjet dhe parimet e Kishës së Shenjtë Ortodokse.
Ekspozita "Ekzarku - Shpëtimtari dhe fëmijët e shpëtuar" kujton të gjitha këto momente të rëndësishme në historinë personale të Ekzarkut Stefan I Bullgar. Fillimisht u prezantua në vendlindjen e klerikut - fshatin Shiroka Llëka, dhe pas kësaj për disa ditë edhe në ndërtesën e Kuvendit Popullor të Bullgarisë me ndihmën e deputetit nga rrethi i qytetit Smoljan, Dr. Krasimir Sëbev.
"Ka shumë për të mësuar rreth gjërave që kanë ndodhur në Bullgari. Dhe ne duhet të jemi vërtet krenarë që ne bullgarët po ndjekim një histori që do të vazhdojë në të ardhmen. Pra, ky është fillimi i një nisme të tillë, së bashku me Vatrën e Kulturës “Shiroka Llëka”, e cila mban emrin e Ekzarkut Stefan, dhe Ministrinë e Kulturës"- theksoi Krasimir Sëbev për Radio Bullgarinë dhe shtoi se shumë të dhëna për jetën dhe veprën e Ekzarkut Stefan I mund të zbulohen në Vatrën e Kulturës në Shiroka Llëka, ku ruhen rreth 600 faqe kushtuar atij.
"Mund të citohen shumë episode për të ilustruar pikëpamjet e tij vërtet humaniste dhe, në veçanti, ndjenjat e tij ndaj hebrenjve", tha shkrimtarja Lea Koen, e cila ishte ndër të ftuarit në hapjen e ekspozitës.
"Kjo ekspozitë është shumë e vogël për personalitetin e madh të Ekzarkut Stefan I - një intelektual i madh bullgar që nuk përshtatej vetëm me kishën - kujtoi Lea Koen dhe theksoi një aspekt tjetër: – Që në vitin 1940, në shtator, kur u paraqit Projektligji për Mbrojtjen e Kombit, ai mobilizoi Sinodin dhe i dërgoi Kuvendit Popullor letrën e parë protestuese kundër këtij ligji. Pikëpamjet dhe politikat e tij ishin jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe konsekuente.”
Përveç paneleve me informacione për veprën e klerikut, ekspozita përfshin edhe piktura të krijuara nga hebreja bullgare Rivka Uziell:
"Unë linda në vitin 1938 dhe isha fëmijë gjatë luftës. Dhe atëherë, kur ishte më e vështira, ky ekzark tha: "Unë nuk jap hebrenjtë!". Bullgaria ishte i vetmi vend, hebrenjtë e të cilit nuk shkonin në kampe - këtë nuk mund ta harrojmë kurrë! Ne i jemi shumë mirënjohës popullit bullgar. Kur themi në Izrael se jemi nga Bullgaria, dëgjojmë - "këta janë njerëz të veçantë, ata duan dhe dinë të jenë miq" - nuk e fshehu emocionin e saj piktorja e lindur në qytetin Jamboll, Rivka Uziell. Sot ajo jeton në qytetin izraelit Rehovot, ku krijon piktura me ngjyra si jeta, duke përfshirë rërën e zezë nga Deti i Zi bullgar:
"Ne ishim në Pomorie gjatë luftës, m'u kujtua se kishte rërë të zezë. Shkova, e kërkova, e gjeta dhe çdo punë e mia e ka këtë rërë, që më kujton se jam në Bullgari. Ky është vendi im në zemër."
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, parlament.bg, royalbulgariaincolour.com, Facebook / Arkivi Shtetëror - Smoljan
Një hap përpara, dy mbrapa - i tillë është hapi i vallëzimit të marrëdhënieve bullgaro-serbe sipas Darko Anaçkov, kryetar i organizatës së vetme bullgare në qytetin e Vranjës. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ai e cilësoi nivelin aktual të..
Studentë nga universitete elitare nga e gjithë bota paraqitën aplikime për një stazh veror në Institutin për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes. Mes tyre janë mbajte të medaljeve nga..
Rodopet Lindore janë një nga vendet e pakta në Evropë ku ekuilibri natyror është rikthyer pothuajse në gjendjen e tij dy shekuj më parë. Këtu, ekosistemet funksionojnë natyrshëm. Me fjalë të tjera, kafshët dhe bimët bashkëjetojnë në harmoni, pa..
Një hap përpara, dy mbrapa - i tillë është hapi i vallëzimit të marrëdhënieve bullgaro-serbe sipas Darko Anaçkov, kryetar i organizatës së vetme bullgare..