Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

"Ngjitës për mjekrën" - kënga për Krishtlindje që këndohet edhe gjatë verës

Stefan Vëlldobrev feston ditën e tij të emrit me një koncert bashk me "Të dyshuarit e zakonshëm"

Foto: Facebook/Stefan Vëlldobrev

"Më ngadalë" ... këndon Stefan Vëlldobrev, dhe refreni prej disa vitesh përsëritet nga bullgarët brenda dhe jashtë vendit me shpresën për të ulur shpejtësinë me të cilën lëvizim akrepat e orës së përditshmërisë sonë...

Stefan Vëlldobrev njihet për aftësinë e tij për të ndjerë pulsin e kohës me tekstet që krijon – të drejtpërdrejta, poetike, të bukura. Ai pranon se i pëlqejnë njësoj të gjitha zhanret e artit të cilave u është përkushtuar dhe varieteti e karikon atë: "Duhet t'u tregosh një histori njerëzve, t'i prekësh - nuk ka fare rëndësi nëse e tregon përmes poezisë, rimave, prozës, përmes trupit dhe mimikave të fytyrës, përmes zërit, ose melodisë!”. Prandaj, përveç diplomimit në Akademinë Kombëtare të Arteve të Teatrit dhe Filmit dhe pjesëmarrjes në një sërë projektesh teatrore dhe filmike, publikimit të nëntë albumeve me këngë origjinale dhe kompozimit të muzikës për dhjetëra filma vendas dhe shfaqje teatrale, Vëlldobrev plotësoi diversitetin e nevojshëm duke krijuar grupin "Të dyshuarit e zakonshëm". Kështu, së bashku me muzikantët e shquar Ivan Leçev, Veselin Veselinov-Eko, Mirosllav Ivanov dhe Stojan Jankullov-Stunxhi, ata kanë 12 vjet që frymëzojnë të rinj e të mëdhenj. Këngët e tyre memorizohen nga publiku brenda dhe jashtë vendit dhe një gjë e domosdoshme për set-listat, edhe në verë, është edhe një këngë e Krishtlindjeve:

“Ngjitës për mjekrën” u shfaq në vjeshtën e vitit 2019 – kujton Stefan Vëlldobrev për Radio Bullgarinë. - Doja shumë ta regjistroja në një aranzhim për një orkestër simfonike. Në atë kohë punoja në Operën e Plovdivit, me të cilën kishim bërë një turne jashtëzakonisht të suksesshëm "Më ngadalë Symphony" dhe desha të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Tekstin e këngës e kam shkruar gjatë gjithë verës, ndërsa përshtatjen për orkestrën e kanë bërë kompozitori Petër Kerkellov dhe dirigjenti Konstantin Dobrojkov. E incizuam në Studion e Parë të BNR-Plovdiv. Më pas gjithçka filloi të realizohej shumë ngadalë dhe kënga ishte gati disa ditë para Krishtlindjeve. Nuk patëm kohë as të xhironim videoklipin e as ta lëshonim nëpër radio dhe pas disa muajsh filloi pandemia dhe ndodhi kështu që filluam ta shfrytëzonim për verat në vijim në të cilat mund të prezantonim këngën tonë të Krishtlindjes”.


Këtë vit, "Të dyshuarit e zakonshëm" nuk do të tradhtojë traditën për të kënaqur publikun me një koncert që bashkon të gjitha festat e fundvitit në një ditë:

“Unë përpiqem ta shmang punën në ditët e festave të krishtera sepse jam një person besimtar dhe mendoj se në këto ditë të gjithë duhet të jenë me familjen e tyre. Megjithatë, menjëherë pas Krishtlindjeve vjen dita e Shën Stefanit (27.12), kur marr më shumë urime sesa marr për ditëlindjen time. Madje ne kemi edhe të ashtuquajturën "dhjetë ditëshe" të "Të dyshuarit e zakonshëm", që fillon më 26 dhjetor, kur është ditëlindja e njërit prej kitaristëve tanë - Mirosllav Ivanov, më 27 unë dhe Stojan Jankullov festojmë ditën e emrit, dhe më 1 janar është dita e Veselin Veselinovit-Eko, dhe më pas është dita e shën Ivanit, kur kitaristi ynë tjetër Ivan Leçev feston. Të gjitha këto raste i kombinojmë me një koncert më 27 dhjetor dhe e di që për ditën e emrit nuk ftohen njerëz, por ata gjithmonë vijnë dhe jam shumë i lumtur për këtë”.

Stefan Vëlldobrev pëlqen të bëjë arratisje dimërore në bregun bullgar të Detit të Zi. Vendi që e "ndihmoi" në krijimin e dy prej albumeve të grupit - është Sozopol.

“Zakonisht preferoj që kjo të ndodhë në vjeshtë, në dimër apo në fillim të pranverës, pasi atëherë jam vetëm dhe nuk ka asgjë më frymëzuese se ato momente. Vera nuk është një stinë për të kompozuar dhe menduar, por për të paraqitur atë që tashmë është menduar. Por vjeshta dhe dimri në Sozopol janë të mrekullueshme!"

Së fundmi, "Të dyshuarit e zakonshëm" publikuan një videoklip të ri për albumin "Pikëpyetje Pikëçuditëse". Edhe pse nuk u filmua në Sozopol, emri i këngës është elokuent për temën e saj - "Deti i Zi Bardh e Zi". Të ftuar special janë fëmijët e studios vokale “Dëga”. Në fund të janarit apo në fillim të shkurtit, presim të shohim një tjetër videoklip – për këngën “Varkat prej letre”, një lloj metafore për jetën.

“I uroj të gjithëve shëndet, dashuri dhe fat në të gjitha përpjekjet tona fisnike”, tha në përfundim Stefan Vëlldobrev. Këto fjalë nuk janë të rastësishme, pasi me këto fjalë ai mbyll çdo koncert të “pesëshes madhështore”.


Foto: Facebook/ Stefan Vëlldobrev
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

"Mrekullia e Krishtlindjes" - një këngë tjetër kushtuar Krishtlindjeve

Një nga këngët më të reja për festat që po vjen është "Mrekullia e Krishtlindjes" e realizuar nga këngëtarët e rinj Stefani Ilieva dhe Stojço Stojçev, i njohur me pseudonimin STOYCHOS. Përderisa Stefani ka dy këngë origjinale, për STOYCHOS dueti i..

botuar më 24-12-23 8.10.PD

“Të pëlqej”... një dhuratë feste nga Bellosllava

Duke i qëndruar besnike stilit të saj të butë dhe elegant, këngëtarja Bellosllava arrin gjithmonë të na befasojë. “Të pëlqej” titullohet kënga e saj më e re, këtë herë me reperin Bobo. Teksti është i saj, ndërsa muzika dhe aranzhimi janë të pianistit Zhivko..

botuar më 24-12-20 9.00.PD
Desi Dobreva

"Të dy"

Pasi vite më parë këngëtarja Desi Dobreva prezantoi versionin e saj të këngës së njohur të Maria Nejkovës , tani ajo na ofron një interpretim edhe më të ri dhe më modern të këngës “Të dy” - një remix i krijuar nga Fabrizio Parisi. Në të, DJ i famshëm..

botuar më 24-12-18 9.10.PD