Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

152 vjet pavdekshmëri…

Personaliteti i Vasill Levskit vazhdon të lidhë bashkatdhetarët tanë jashtë vendit

Foto: Qendra Kulturore “Bullgarika”

152 vjet pasi Bullgaria humbi birin e saj të dashur, luftëtar për një shtet të lirë, të pavarur dhe tolerant - Vasill Levski, personaliteti i tij vazhdon të emocionojë dhe të frymëzojë zemrat e bullgarëve të të gjitha brezave. Historianët vazhdojnë të analizojnë veprën e Apostullit të Lirisë, të studiojnë sendet e tij personale dhe të plotësojnë "hapësirat boshe" të portretit të tij. Nxënësit bullgarë, brenda dhe jashtë vendit, dëgjojnë me emocion historitë për Dhjakun e pakapshëm, i cili gjithmonë arrin të shpëtojë nga zaptijet, duke udhëtuar nëpër Bullgari për të zgjuar mallin për revolucion dhe liri pas gati pesë shekujsh sundimi osman.

Një font digjital me dorëshkrimin e Levskit na afron më shumë me personalitetin e tij

Dorëshkrimi i Vasill Levskit, së bashku me ato të dy luftëtarëve të tjerë për çlirimin kombëtar – poetit dhe revolucionar Hristo Botev dhe themeluesit të lëvizjes së organizuar revolucionare Georgi Stojkov Rakovski, arrijnë te brezat e rinj në formatin digjital, përmes projektit "Apostujt e Çlirimit", i cili filloi në vitin 2021, mësojmë nga Ellka Ruskov, Konsull nderi i Bullgarisë në Uashington, SHBA:

Ellka Ruskov

“Qëllimi është ringjallja dhe ruajtja e kujtimit për Apostullin e Lirisë duke e vënë dorëshkrimin e tij të disponueshëm për përdorim të gjerë në epokën digjitale. Kjo i lejon përdoruesit të prekin frymën e Levskit dhe ta integrojnë atë në jetën e tyre të përditshme” - shpjegoi Ellka Ruskov në një intervistë për Radio Bullgarinë. Ajo vetë ndihmoi me kontaktet në fillim të projektit dhe tani po kontribuon në përhapjen e këtij fonti ndër shkollat bullgare në Shtetet e Bashkuara.

Stoillka Arsova

Projekti është një iniciativë e Skemës Kombëtare të Kartave dhe Pagesave. Drejtoresha e saj Stoillka Arsova tregon se si lindi ideja:

“Ndodhi që në vitin 2020 u takuam me autorin e fontit të parë me dorëshkrim të Vasill Levskit. Ai quhet Stefan Peev dhe në këtë projekt punonte që nga viti 2014, por kërkonte sponsorë. Kuptova që deri atëherë nuk kishte asnjë projekt tjetër të ngjashëm në vendin tonë, ndryshe nga jashtë. Kur digjitalizojmë një shkrim dore, i përkushtohemi vetë personit dhe jetës së tij. Ne takohemi me njerëz që e kanë hulumtuar atë dhe mësojmë informacione të dorës së parë. Këtë projekt sigurisht që do ta vazhdojmë vitin e ardhshëm, kur do të digjitalizojmë edhe dorëshkrimin e Ranja Knjaginja - bullgarja që e qëndisi flamurin kryesor të rebelëve të qytetit Panagjurisht në Kryengritjen e Prillit të vitit 1876." 

Në prag të përvjetorit të vdekjes së Apostullit Stoillka Arsova vizitoi shkollat ​​bullgare në Nju Jork dhe Las Vegas, ku mbajti mësime të hapura kushtuar fontit me dorëshkrimin e Vasill Levskit. Fonti shpërndahet plotësisht pa pagesë dhe është i pritur jashtëzakonisht mirë në shkolla, studio dizajni dhe shtëpi botuese. Për momentin, ai është i disponueshëm në faqen e internetit bcard.bg, por nga mesi i vitit do të krijohet një platformë, së cilës do t'i shtohet shkrimet e tjera të digjitalizuara, si dhe lidhje me dokumentet arkivore kushtuar vetë personaliteteve.

Nderim për Apostullin e Lirisë edhe në Çikago

Çdo vit komuniteti bullgar në Çikago nderon kujtimin e Vasill Levskit me iniciativa të ndryshme. Tradicionalisht, Qendra Kulturore “Bullgarika” organizon një bisedë kushtuar jetës dhe veprës së tij. Ligjërata prezantohet nga historiania Kamelija Popova, e cila është edhe themeluese e Rrethit Historik “Patriotizëm” pranë qendrës kulturore:

Kamelija Popova

"Rrethin Historik e krijuam me idenë që të zhvillojmë diskutime kushtuar historisë bullgare. Deri më tani organizuam diskutime kushtuar historisë së lashtë ashtu edhe historisë deri në Luftën e Parë Ballkanike dhe atë Botërore - na thotë Petër Georgiev, anëtar i Rrethit "Rodoljubie". – Pasi themeluam rrethin, filluam të nderojmë kujtimin e Vasill Levskit duke shfaqur filma kushtuar atij. Por lindi ideja për t'u zgjeruar, duke shtuar një cikël ligjëratash, si dhe duke organizuar një ceremoni përkujtimore. Më pas ne kontaktuam organizata të tjera, si Organizata Patriotike Maqedonase, e cila gjithashtu mbajti disa leksione dhe shfaqi disa filma.”

Edicioni i 20-të i Olimpiadës kushtuar Vasill Levskit

152 vjetori i varjes së Vasill Levskit do të shënohet edhe me një Olimpiadë kushtuar Vasill Lvskit, organizuar nga Qendra Kulturore “Magura” në Çikago. Veprimtaria u caktua për 22 shkurtin. Në të do të marrin pjesë shkolla dhe organizata bullgare në zonën e Çikagos, duke përfshirë përfaqësues të organizatës së vetme në botë të bashkatdhetarëve tanë në shërbimet e zbatimit të ligjit të një vendi tjetër - Shoqata Bullgaro-Amerikane e Policisë (Bulgarian American Police Association). Mikpritëse do të jetë Shkolla e së Dielës "Shkolla e Vogël Bullgare" në qytet. Që nga themelimi i saj në vitin 2010, rreth 650 fëmijë bullgarë mësuan leximin dhe shkrimin bullgar në të:

“Ne jemi e vetmja shkollë që kemi godinën e vet, me një sallon të madh sportiv, ku mund të organizojmë aktivitete të tilla - shpjegon Zhivka Petrova, drejtoreshë e “Shkollës së Vogël Bullgare” në Çikago. - Organizatore e Olimpiadës është piktorja Kina Bëgovska, e cila punon si vullnetare në Qendrën Kulturore “Magura”. Deri më tani, eventi ka përfshirë gjithmonë një kuiz me pyetje, së bashku me lojëra të ndryshme si "I shpejtë, i guximshëm, i aftë". Këtë vit, do të ketë një detyrë për të renditur një puzle që rikrijon portretin e Levskit, ose një nga citatet që i atribuohen atij. Gjithashtu, dy shkollat ​​tona – ajo fillore dhe ajo e mesme – do të marrin pjesë me një program folklorik.”

Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bulgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Shkolla “Hristo Botev” në Nju Jork, Qendra Kulturore “Bullgarika”, Qendra Kulturore “Magura”




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në botën magjike të "fëmijëve të Ivan Vazovit" dhe të gjuhës bullgare në Paris

“Vendi në Francë ku së bashku vizatojmë të ardhmen bullgare të fëmijëve tanë” – kështu e përshkroi Janeta Dimitrova vendin e saj të punës – Shkollën Bullgare të së Dielës “Ivan Vazov” në Paris – në një postim në një rrjet social një vit më parë. Është..

botuar më 25-02-21 7.30.PD
Kirill Vëllçev

BTA prezanton një font unik me rastin e përvjetorit të saj

Më 16 shkurt 2025 bëhen 127 vjet nga botimi i buletinit të parë të Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA), të nënshkruar nga drejtori i parë i saj Oskar Iskander. Agjencia u krijua në vitin 1898 me një dekret të Princit Ferdinand I, i modeluar sipas Agjencisë..

botuar më 25-02-16 7.55.PD

Gëzuar 89 vjet, Radio Bullgaria!

Më 16 shkurt Radio Bullgaria feston 89 vjetorin e saj. Gjatë gjithë këtyre viteve, media jonë shumëgjuhëshe ka qenë jo vetëm një kanal informacioni, por ka krijuar një lidhje të paçmuar me audiencën tonë në mbarë botën. Sot Radio Bullgaria ofron përmbajtje..

botuar më 25-02-16 6.45.PD