Ajo ndodhet aty më se një shekulli. Ngre shtat i vetmuar në mesë të ujërave të kthjellëta të liqenit artificial. Dimrin e shtyjnë era dhe furtunat, ndërsa të ftohtët dhe akulli i ngrijnë themelet. Verën rrezet e nxehta e diellit ngrohin muret njëqindvjeçare, çatinë e thyer, dritaret dhe dyert e qorra me shikim të ngulur askund. Larg kotësisë njerëzore dhe ecjes së tensionuar të kohës. Kisha e zhytur në liqenin artificial Zhrebçevo qëndron në vetmi dhe në harresë, si një dëshmitare e pagojë të fesë, besimit dhe shpresës së humbur.
Dikur, para se ujërat të gëlltitin fshatin Zapallnja dhe vendbanimet e tjera të populluara përreth, kisha ishte qendra e jetës së kësaj lugine, ndërsa kumbimi kristaltë i pastër i kambanës përhapte oshtimën përgjatë fushave të pafundme të mbjella me trëndafila aromatikë të shtrira nën rrezet e malit Sredna Gora.
Gjatë kohës së robërisë turke Zapallnja lavdërohej me 120 kazanët për prodhimin e vajit të trëndafilit. Gjatë kësaj periudhe fshati ishte një udhëkryq i rëndësishëm. Që këtu kalonte rruga nga qyteti Kazanllëk për Edrene. Sipas dokumenteve osmane nga viti 1472 Zapallnja ekzistonte që në shekullin XIII, por me emrin tjetër. Mirëpo, sot nuk ka asnjë gjurmë nga shtëpitë e dikurshme të bukura dhe rrugicat me kalldrëm, plotë jehonën e të qeshurat gazmore të fëmijëve.
Kisha u ndërtua në vitin 1895 mbi themelet e një shenjtëroreje, që ekzistonte këtu në periudhën e shekujve IV–IX. Fakti, se ajo iu kushtua Shenjtorit Ivan Rillski – mbrojtësit qiellor të popullit bullgar, nuk shqetësoi në asnjë mënyrë funksionarët partiakë në kohën e socializmit. Në mesin e shekullit XX u vendos, që pikërisht këtu është vendi për ndërtimin e një liqeni të madh artificial, në të cilin të grumbullohen ujërat e lumit Tunxha. Në fillim banorët e rajonit s’besuan, se kjo mund të ndodhë. Dhe megjithë lutjet dhe protestat fati i tyre ishte i paracaktuar.
Viti ishte 1962. Zapallnja, bashkë me fshatrat fqinje Zhrebçevo dhe Dollno Paniçarevo u gëlltitën nga vrulli i ujit vetëm për një natë. Kështu ata mbetën përgjithmonë të varrosur në fundin e liqenit. Mirëpo një copëz e botës së humbur edhe më sot refuzon të jetë fshirë. Kjo është kisha e vjetër. Ajo mbijetoi në sajë se ishte ndërtuar mbi një kodrinë që ngrihej mbi fshatin.
Muret e dhëmbëzuara, prapa të cilave shihet kupa e qiellit, krijojnë në imagjinatë pamjen e një fytyre njerëzore të zhytur në një trishtim të thellë ose të një fëmije të qarë, psherëtima rënkuese e së cilës për ndihmë humbet diku në kufirin midis ujit dhe qiellit.
Tashmë një gjysmë shekulli silueta e vetmuar e kishës sikur lundron si një anije e imagjinuar, si një fantazmë në mesë të ujërave të heshtura të liqenit Zhrebçevo. Pranverën ujërat po ngrihen, duke zhytur kishën përgjysmë, verën dallgët stërpikin themelet.
Pavarësisht stuhive natyrore dhe harresës, muret e kishës ngrenë shtatë krenar, plotë hov të fuqishëm sikur synojnë të arrijnë qiellin. Thonë, se mjeshtër nga Trjavna e ngritën. Nga afër aty këtu shihen midhje dhe gurrëza lumore.
“Shën Ivan Rillski” nuk është kisha e vetme bullgare, e shkatërruar nga hovi i pamëshirshëm socialist, i cili lindi një sërë projektesh të mëdha hidroenergjetike nëpër mbarë vendin. Në forumet hasen fotografi të shumta të kishave të zhytura në ujërat e liqeneve artificiale Koprinka, Ogosta, Lobosh...
Në afërsi të rrënojave të kishës ka disa kryqe prej guri. Kjo është varreza e vjetër e fshatit. Në këtë vend kishte edhe një pllakë përkujtimore për fshatin e vdekur. Mbi të lexohej teksti “Fshati Zapallnja, populluar në shekullin XV, shpopulluar në vitin 1962”. Mirëpo sot edhe ato gjurma mungojnë. Pllaka nuk ekziston më.
Pak janë ata, që kujtojnë luginën dhe banorët e fshatrave të varrosura nën ujërat e liqenit artificial.
Mirëpo tri fshatrat e zhdukura akoma janë të gjalla në kujtesën e pasardhësve. Çdo vit ata mblidhen ditën e Shën Ivan RIllskit, që të përulen dhe të respektojnë stërgjyshërit e tyre dhe .... kishën e dikurshme.
Ndryshe Zhrebçevo është një parajsë për admiruesit e natyrës së egër, si dhe për piktorët dhe fotografët, të cilët shpesh herë vijnë këtu, që të kërkojnë dritën më të përshtatëshme për fotografitë dhe tablotë e tyre.
Sot rrënojat e kishës bien në heshtje. Dëgjohet vetëm zhurma e dallgëve, fishkëllima e erës, e cila sikur psherëtin duke dalë përmes dritareve të qorra dhe .... blegërima e deleve.
- A mund të fotografoj kopenë tënde? – e pyeta bariun, që shoqëronte delet pa e vë re stuhinë që po afronte.
- Ti çfarë po kërkon këtu në këtë këndë të harruar nga Zoti? – më pyeti ai.
- Më kënaq qetësia, kisha e zhytur...
- Çfarë të pëlqen aq shumë? Vallë, a nuk e shikosh, se prej saj nuk ka mbetur asgjë. Edhe fshati mungon, njerëzit e braktisën rajonin. Gjithçka la në harresë. Edhe Zoti na harroi. Së shpejti do të ndahemi nga jeta, dhe atëherë, edhe kujtimi do të ikë me ne.
Autor dhe foto: Veneta Nikollova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Dokumentari i Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT) "Pasqyra shpirtërore e qytetit të krishterë Nesebër" u nderua me gjithsej katër çmime në tri festivale prestigjioze ndërkombëtare të filmit në Brazil, Gjeorgji dhe Portugali. Skenarist i filmit është..
Udhërrëfyesi i njohur i udhëtimit "Lonely Planet" e renditi resortin bullgar Bansko në Pirin ndër vendet më të mira për t'u vizituar vitin e ardhshëm në udhëzuesin e tij " Best in Travel 2025", raportoi BTA. Platforma e përshkruan Banskon si "një..
Vendi ynë është organizatore e Takimit Vjetor të Komitetit Evropian të Shoqatave të Operatorëve Turistik dhe Agjentëve të Udhëtimit - aktiviteti më i madh i institucionit që bashkon operatorët turistikë të Evropës. “Mikpritja e këtij takimi është një..