“Jashtë caqeve” dhe “Kush i vodhi patatet e skuqura” janë dy premiera të shfaqjeve të koreografit Petër Iliev. Ato janë pjesë e programeve arsimore, të cilat organizohen nga fondacioni i tij “Arti i Vallëzimit – Iliev”. Petër Iliev që prej dekadash punon në SHBA-në. Vitet e fundit veprimtaria e tij është lidhur ngushtë me baletin Pasifik Nortuest në Siatëll të Uashingtonit dhe me Shkollën pranë Baletit Çikago.
Që nga viti 2008 ai rregullisht organizon në Bullgari kurse të baletit klasik, hip-hopit, teknikave moderne, valleve karakteristike. Pjesëmarrësve më të mirë fondacioni i tij u jep bursa dhe u siguron mundësi të mësojnë në shkolla të njohura në Siatëll, Çikago, Los Angjelis, Nju Jork. Deri tashti fondacioni ka 52 bursistë. Është interesante, që muzika për dy shfaqjet u krijua nga bullgarë të cilët gjithashtu prej vitesh jetojnë jashtë shtetit – vëllezërit Vlladigerovi dhe vëllezërit Kërparovi. Pjesëmarrësit janë fëmijë dhe adoleshentë. Shfaqjet për nga përmbajtja janë krejt të ndryshme. “Jashtë caqeve” prezanton 12 valltarë të rinj të cilët nën tingujt e muzikës së vëllezërve Vlladigerovi prezantojnë katër stile të ndryshme.
Më shumë hollësi sjell Petër Ilievi: “Në këtë premierë marrin pjesë nxënës profesionistë të cilët mbaruan programet tona mësimore të Akademisë Pranverore dhe të asaj Verore. Shumica prej tyre morën bursa nga fondacioni im dhe ishin në SHBA-në. Tani ata u kthyen dhe punojnë bashkë. Mësojnë në shkollën tonë, të cilën e krijuam në Sofje dhe ajo punon që nga 1 tetori i këtij viti. Pa u ndërprerë po zgjerojmë veprimtarinë tonë. Gjithnjë kam ëndërruar të krijoj kompani bullgare të vallëzimit, e cila të ketë një pamje të vet. Shfaqja e dytë është kulmi i punës sonë në programin e ri “Fëmijët në vallëzim”. Në të marrin pjesë fëmijë në moshë nga 10 deri në 12 vjeç. Ata janë nga shkolla të ndryshme. Duhet të them, se ata fëmijë për herë të parë do të dalin në skenë. Shfaqja “Kush i vodhi patatet e skuqura” me muzikë të vëllezërve Karparovi do të jetë disa ditë më vonë. Ndër heronjtë ka mi, milingonë, merimangë, qenie jashtëtokësore, zombi... Ideja është të provokojmë interesin e fëmijëve jo vetëm ndaj vallëzimit, por edhe ndaj artit në përgjithësi. Për dy shfaqjet ishin të domosdoshme shumë mjete dhe i jemi mirënjohës Ambasadës së SHBA-së në Bullgari. Pa ndihmën e saj nuk do të ishim në gjendje t’i realizojmë.”
“Ne u kemi zgjatur dorën të gjithë atyre, të cilët kanë dëshirë të zhvillohen. Disponojmë një ekip të mrekullueshëm pedagogësh. Rosica Terzijska – një nga bursistet tona të para jep mësime të hip-hopit, Nikollina Karageorgieva gjithashtu bursiste jonë jep mësime të baletit klasik. Kemi edhe pedagogë nga jashtë –specialistë në fushën e vallëzimit. Për shfaqjen “Jashtë caqeve” ata artistë të rinj kanë kontrata të hartuara në mënyrë profesionale. Dëshiroj që ata të zbulojnë si punohet në mënyrë profesionale dhe me sa rëndësi është që të jenë besnik dhe të përgjegjshëm. Kam dëshirë që të mos kufizojnë punën e vet vetëm në sallat e mësimit. Ata duhet të hyjnë në salla të pa njohura për ta, të punojnë me mësues të cilët nuk i njohin dhe kështu vazhdimisht të vërtetojnë sa të mirë janë. Në Bullgari rrallë herë mund të shihet në një shfaqje ose në një skenë balet klasik me teknikat moderne të vallëzimit. Në shfaqjen “Jashtë caqeve” gërshetojmë stile të ndryshme. Shfaqja përfundon me një valle të mrekullueshme popullore bullgare të quajtur “Kopanica”. Në skenë me valltarët e rinj do të dalin edhe muzikantët Aleksandër dhe Konstantin Vlladigerovi – trumbeta dhe piano, Stojan Jankullov-Stunxhi – bateri dhe Nedjallko Nedjallkov – fyell. Valltarët duhet të dëgjojnë me vëmendje muzikën, sepse temat janë të ndryshme edhe me improvizime. Gjithçka do të jetë në mënyrë spontane dhe të natyrshme.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Fotografi: arkiv personal
Ditën e premte në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Sofje u zhvillua një takim i ngrohtë dhe i përzemërt mes Ambasadores Znj. Inid Milo me studentët dhe profesorët e Gjuhës shqipe në Departamentin e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes “Shën..
Në ditët e para të vjeshtës, banorët dhe mysafirët e Plovdivit janë të ftuar të kujtojnë hapësira të veçanta, të dashura dhe interesante në qendër të qytetit. Ky rizbulim i veçantë dhe njohje e vendeve të përvetësuara nga emocionet dhe kujtimet personale..
Filmi "Triumfi" i tandemit regjisorial Petër Vëllçanov dhe Kristina Grozeva fitoi çmimin e madh për film artistik në Festivalin e 42-të të Kinemasë Bullgare "Trëndafilin e Artë" në Varna. Filmi mori edhe çmimin për skenarin e shkruar nga dy..
Si një galerie arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçerajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë..